“Kemi respektuar me rigorozitet rregullat”, rrëfehet Helena Kadare: Nuk është punë frike, duhet të mendojmë për të tjerët, të mos bëhemi rrezik

Në emisionin “Hipokrati”, në një lidhje Skype nga Parisi, shkrimtarja e mirënjohur Helena Kadare rrëfeu ditët e saj në karantinë

Në këtë periudhë të vështirë që po kalon vendi ynë dhe e gjithë bota, Helena Kadare vlerësoi punën vetëmohuese të ekipit të mjekëve dhe infermierëve në spitalin “Infektiv”, të cilët po përballen në vijën e parë të frontit në betejën me koronavirusin.

“Sapo të kem mundësi, dua të shkoj e t’i përulem atyre grave, mes të cilave pashë një heroizëm që nuk e gjen gjëkundi. Dëgjova dhe pashë që shefja e “Infektivit” Najada Çomo, rrinte 20 orë në spital pa pushim, me një përkushtim të admirueshëm. Përshëndes ekipin e bluzave të bardha dhe kryesisht gratë, sepse gratë shqiptare janë kurdoherë më të përkushtuarat që kam njohur në jetën time.”

Shkrimtarja e dashur për publikun tregoi se si nën masa të rrepta sigurie, po e kalon kohën në Paris, në këtë periudhë pandemie, si dhe pamundësinë për të shijuar rrugicat dhe lagjet e bukura të Parisit, larg nipërve të saj.

“Kemi respektuar me rigorozitet rregullat, por në këto 4 ditët e fundit kam dale nga pak. Notre Dame ishte tjetërsuar, uji i turbullt i lumit Sena ishte kthyer në një blu të mrekullueshme, një bukuri e jashtëzakonshme që të bënte të mendoheshe ‘ku fshihet ky virus’.

Nuk mungoi edhe një mesazh për te gjithë qytetarët shqiptarë:

“Kam dëgjuar që qytetarët i kanë respektuar rregullat aty, por ka pasur edhe nga ata të disi të papërgjegjshëm. Dëgjova një zonjë e cila thoshte ‘nuk kam frikë’, por kjo nuk është punë frike, duhet të mendojmë për të tjerët, të mos bëhemi rrezik për njerëzit e dashur”./tch

SHKARKO APP