Këtu prehet ai që quhej Ndoc Gjetja, poeti me fytyrë Krishti…
– poezi nga Ndoc Gjetja-
DASHURISË
O perëndeshë e gjithëpushtetshme
e universit mashkull-femër!
Bëj c’të duash me veten time
jam instrumenti yt i verbër.
Në jetë më solle kaq shumë dhimbje
dhe shqetësime pa mbarim
po s’jam ankuar kundër teje
as me gojë e as me shkrim.
Të jam nënshtruar e të nënshtrohem
gjersa në botë të jem i gjallë
ndën pushtetin tënd të përbotshëm
më pëlqen të jem skllav
Ma ktheve gjuhën në përcartje
më bëre plak me shpirt fëmijë
herë më hodhe qefinin krahëve
herë më ngrite gjer në yje.
Më hidh në zjarr, në det, në ferr!
Më hidh në baltë, më hidh në hon!
Vec të lutem mos më lër…
në atë vend ku ti mungon!
EPITAF PER VETEN
Ketu prehet ai qe quhej Ndoc Gjetja
i cili pati ardhur gabimisht ne bote
nga vetja e tepruar nxirrte vjersha
dhe gjithe njerezit i quante shoke.
Kur pa qe enderra kalkulohej me kompjuter
kur pa se idealet rrezoheshin ne kolltuce
kur jepte buzeqeshje dhe merrte skermitje
uri syte me dore dhe vendosi te ikte.
Dhe shkoji e hyri ne manastirin e Unit
te shpetonte shpirtin nga gjuheligat e lehjes
Pastaj e percollen ne banesen e fundit
me shpenzimet falas nga Bashkia e Lezhes.
Ne çastin e mbrame nje hene e pergjakur
e puthi ne balle dhe thirri,, “Nene”
Mos kerkoni te dini per te me teper
se iku sikur te mos kishte qene.
FEMRAVE
Pa ju ne jemi gjysma njerzish
se ju per ne jeni gjysma tjeter
Tek dashuria behemi te plote
as te manget e as te tepert
Sikur te dija te thurja sentenca
ashtu sic fatmiresisht ben Saadiu
Juve do tju jepja metaforen Vreshta
Per vete do te metaforen shiu.
PUTHJA
Sa gjëra të shëmtuara si grindja dhe sharja
ndodhin në mesin e rrugës së madhe
po ajo më njerëzorja
më e madherishmja, me hyjnorja
puthja
ka mbetur ilegale.
SIKUR
C’mrekulli do te kishte qene
sikur te jepnin qe sot doreheqjen
presidenti dhe cdo lloji ministri!
dhe ta merrte pushtetin
shpirti.
NJË HESHTJE E BUKUR
Ka heshtje që na thonë gjëra të bukura,
si për shembull fytyra e gruas
në orët e vona të natës
kur e pagjumë numëron me vete
ditët e fundit të barrës.
Ec e thuaj po munde këtë heshtje
ti muzikant me nota
ti piktor me ngjyra
ti poet me vjersha
dhe ti, aktore e famshme
me gjeste dhe fjalë !
Për ta thënë duhet të jesh
nje grua shtatzënë,
domethënë
dyfish e gjallë.
LUTJE
O Zot që fatet tona në dorë i mban!
Na ruaj nga shëndeti trashaman
na ruaj nga orekset e Sanço Pançës,
na ruaj nga hija e rëndë e famës,
na ruaj nga faqeputhjet helmuese të
Judës,
na ruaj nga orteku rrëmintar i turmës,
na ruaj nga prejardhja prej shimpanzesë
na ruaj nga thyerja e timonit të kresë
na ruaj nga putra pushtetore e Njëshit
na ruaj nga engjëjt, na ruaj nga dreqërit,
na ruaj përditë nga ftohjet e miqësive,
na ruaj, o Zot, secilin prej të gjithëve!
AH!
Ah, të kishim gëzime sa kemi partira,
të kisha dhoma sa kemi ministra,
të kisha shokë sa kemi shefa,
të kisha miq sa kemi gazeta,
të kisha mikesha sa kemi vetura,
ah, të gjithë meshkujt të ishin burra
të kishim njerëz sa kemi banorë
veç qiellin lart të kishim epror.
(marre nga www.voxalbaniae.com)