Kisha eremite, mes ujërave të Prespës

Kisha e Engjëjve dhe kisha e Shën Mërisë janë dy nga objektet e kultit të cilat tërheqin vëmendjen e turistëve vendas dhe të huaj në Shqipëri, jo vetëm për shkak se janë dëshmi kulturore e historike, por edhe për pozicionimin brenda faqes shkëmbore në breg të liqenit. Mes qiellit dhe ujit, këto kisha duket sikur dalin nga historitë e përrallave. Ndërtimi i tyre në shkëmb, ikonat dhe panorama që i rrethon plotësojnë njëra-tjetrën, duke i bërë të parezistueshme për vizitorët, të cilët nuk ngurrojnë të ngjisin shkallët e drunjta për t’i parë nga afër.

Kisha e Shën Mërisë është një ndër atraksionet turistike më të veçanta në këtë liqen. Itinerari që të çon drejt saj është po aq i veçantë. Për të parë kishën e Shën Mërisë nisesh nga fshati Pustec, ku duhet të ndërmarrësh një udhëtim me varkë për rreth një orë. Rruga nuk ndihet fare pasi peizazhi i mrekullueshëm i liqenit me ujërat e kristalta dhe pasqyrimi i maleve në ujë, të mbërthejnë. Një udhëtim magjik mes kontrasteve natyrore.

Buzë liqenit, në lindje të fshatit Tuminec shfaqet kisha e Shën Mërisë, një kishë eremite e shekullit XIV. Në kishën me tre kate të gdhendur në shkëmb, bien në sy ikonat të cilat ruajnë vlerën dhe simbolikën e kohëve kur janë vendosur aty. Piktura e Shën Mërisë, e cila daton në fundin e shekullit XIII, tregon gjurmë të përparuara të stilit të artit pamor bizantin.

Swiss Digital Desktop Reklama

Për të arritur në brendësi të kishës, ngjitesh në shkallë druri të ndërtuara nga banorët e zonës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në brendësi, kisha është e pasur me ikona të ndryshme që pavarësisht kohës ruajnë ngjyrat, shkrimet dhe madje në disa prej tyre gjenden të gdhendura dhe iniciale njerëzish që e kanë vizituar atë për të bërë një lutje, apo për të gjetur qetësi shpirtërore. Kisha është vend pelegrinazhi dhe kjo duket qartë nga qirinjtë dhe lulet e vendosura aty. Edhe turistët, të cilët shijojnë bukurinë dhe historinë e strukturës, nuk ngurrojnë të shprehin dëshirat e tyre në këtë vend që konsiderohet i shenjtë nga banorët e zonës.

Dritaret e hapura në pjesën jugore të kishës janë i vetmi burim drite për në brendësi të saj. Përmes tyre vizitori shijon një pamje mbresëlënëse të liqenit, ndërsa qetësia ndërpritet vetëm nga zhurma e valëve të lehta në breg. /atsh/

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?