Kisha unike në Finiq, perla e stilit bizant
“Kisha e Shën Kollit në Manastir daton që prej shekullit të 11-të. Banorët i besojnë ende me fanatizëm, ndërkohë që për turistët është një atraksion i veçantë.”
Konsiderohet një nga perlat e arkitekturës bizantine në Shqipëri.
Temperaturat e dimrit dhe as kufizimet e pandemisë nuk i kanë ndalur vizitorët.
“Këtu jam surprizuar shumë nga lloji i kishës. Kisha është shumë antike dhe nuk e dija që kishte kështu lloje kishash në Shqipëri. Është shume qetësi, më pëlqen të rri këtu, thjesht të bëj ecje në kohë dimri.”
Objekti është monument kulture dhe qëndron gjithmonë hapur.
Aty nuk mbahen mesha, por qirinj gjen gjithmonë ndezur.
Janë tregues se ka qenë një turist ose banor i Mesopotamit.
“Kush beson vjen këtu.”
Sipas gojëdhënave në këtë Manastir jetonin rreth 900 murgj në shekullin e 11.
E shembur dy herë nga tërmetet, kisha e Shën Kollit është rindërtuar.
“Kisha e parë është poshtë. Ka lëvizur nga tërmeti. Kjo është e dyta dhe është bërë mbi themelet e asaj.”
Por dëmtimet më të mëdha Kisha i mori gjatë komunizmit, por edhe në atë kohë u shërbeu besimtarëve.
“U prish nga sistemi dhe u ndërtua furra e bukës. Vinim fshehurazi.”
Kisha e Manastirit të Shën Kollit në Mesopotam të Finiqit u restaurua vetëm dy vite më parë.
Absida e dyfishtë e bën unike në zhanrin e saj, dhe disa kërkues kanë hipotezuar që ky manastir të ketë qenë përdorur për mesha si katolike ashtu dhe ortodokse.