Kishat e Voskopojës të rrezikuara, mund të zhduken
Objektet e kultit postbiznatine në Voskopojë dhe Vithkuq të Korçës janë klasifikuar në mesin e 7 vendndodhjeve me monumente që rrezikojnë të shkatërrohen. Jane 12 kisha që po përballen me degradimin e ndërtesave, afreskeve, por edhe vjedhjeve. 12 objekte kulti të periudhës post bizantine në Voskopojë dhe Vithkuq janë klasifikuar mes 7 vendndodhjeve monument kulture më të rrezikuara në Europë.
Europa Nostra, Organizata Kryesore e Trashëgimisë në Europë në bashkëpunim me Institutin e Bankës Europiane të Investimeve ka klasifikuar kishat e dy zonave si mjaft të rrezikuara duke i renditur ato krah monumenteve të tjera si në Austri, Bullgari, Gjeorgji, Rumani, Greqi, Turqi e Mbretërinë e Bashkuar.
Kreu i Fondacionit E shkuara për të Ardhmen Kliti Kallamata tregon se 12 kishat sot përballen me një spektër të gjerë problematikash duke nisur nga amortizimi struktural, degradimi i afreskeve dhe vjedhjet çka sipas tij ngre domosdoshmërinë e ndërhyrjes
“këto kisha që për ne kanë një vlerë unikale janë në një gjendje jo të mirë, duke parë gjendjen e tyre ne i nominuam për t’i futur në këtë listë, në mënyrë që pas kësaj të fillojmë të hapin programe për restaurimin e tyre. Këto vuajnë pasi nuk ka pasur restaurimi prej vitesh. Është një grup kishash që kanë lidhje me njëra-tjetrën”, u shpreh Kliti Kallamata, kreu i fondacionit “E shkuara për të ardhmen”.
Ky klasifikim duket shpresëdhënës pasi parashikon ndërhyrje në këto objekte Monument Kulture të cilat kanë vlera të veçanta për trashëgiminë tonë kulturore. /Top Channel/