Klod Dyran rrëfime nga Shqipëria dhe Franca për botuesin e Fayard
Luan Rama
Claude Durand (Klod Dyran), iku tepër herët nga kjo botë kur, ndërkohë, e kishte lënë fushën e botimeve dhe ishte hedhur në botën e shkrimit, në pasionin e tij të parë, shkrimin e romaneve, eseve dhe të teksteve historike, si ‘Isha numri Një’, ‘Agjenti i Solzhenicinit’, ‘Pavioni i shkrimtarëve’, etj.
«Miku francez» i Shqipërisë dhe së pari i Kadaresë, na la padyshim një trisht të madh pasi, ky njeri e bëri Shqipërinë të tijën jo thjesht si një botues që interesohet për romancierin e tij (dhe ai kishte shumë romancierë të mëdhenj që kujdesej për krijimtarinë e tyre), por, sepse vërtet, edhe pse e njohu këtë vend në një epokë të errët totalitare dhe pas saj bashkë me kaosin e vet dëshpërues, përsëri ai e deshi shumë dhe e ndjeu si detyrë të kontribuonte disi në ripërtëritjen e këtij kombi.
Ardhjet e tij në Shqipëri edhe pse në periudha të ndryshme, na kanë mbetur në kujtesë me sharmin që ai kishte, kulturën e thellë, vizionin politik të botës dhe angazhimin e tij si një njeri humanist. Miq të tillë, kur shkojnë, edhe pse ata mbeten gjithnjë në kujtesën tonë me aktet dhe kontributin e drejtpërdrejtë të tyre, lenë pas një keqardhje të thellë, si largimi i një miku të afërt, edhe pse nuk ke mundur ta pikëtakosh drejtpërdrejt.
“FALEMINDERIT”
Shumë vite më parë, duke shkruar një shkrim për të, ndjesia e parë që kisha ishte t’i thosha: «Faleminderit Claude»! Biografia e botuesit të veprës së Kadaresë është pak e njohur nga intelektualët tanë dhe aq më tepër nga lexuesit shqiptarë. Vite me radhë, nga një dhjetëvjeçar në tjetrin, jemi gëzuar me botimet e Kadaresë në Francë dhe shpesh kemi dëgjuar emrin e botuesit të tij, Klod Dyran, por përsëri kjo figurë ka mbetur në hije dhe rrallë kemi menduar për të, vlerën e tij, komplicitetin e tij në krijimtarinë e Kadaresë, për këtë pikëtakim kaq të rëndësishëm për letërsinë shqiptare dhe vetë emrin dhe krijimtarinë e Kadaresë. Vallë sa ka bërë kritika jonë letrare për ta venë në dukje këtë fakt? Sa kanë bërë vetë shkrimtarët? Emrin e Dyran herë-herë e gjejmë në ese të ndryshme të Kadaresë, impresione takimesh, pa mundur të arrijmë në refleksionin se ç’është në të vërtetë botuesi për një shkrimtar të madh, siç është Kadareja, dhe aq më shumë për një shkrimtar të një vendi të vogël si Shqipëria. Botuesi nuk është thjesht një ent, një tregtar, apo biznesmen i një krijimtarie artistike. Botuesi është një “komplis” intim i shkrimtarit, ai e shoqëron atë, e inkurajon, e vë në dukje, bëhet një mbështetje morale për të. E padyshim, për Kadarenë ishte një fat që u pikëtakua me Dyran, drejtuesin e “Fayard” që veç romanit ‘Gjenerali i Ushtrisë së vdekur’, (botuar nga “Albin Michel”), 1970 dhe të ‘Tamburet e shiut’, apo ‘Kështjella’ në shqip, botuar nga “Hachette Littérature”, në vitin 1972, do të jetë ai që do të botojë pothuaj tërë veprën e shkrimtarit. Një punë e palodhshme, pasionante, gati tridhjetë vjeçare. Veç Kadaresë ai ka botuar Rexhep Qosen, librin e Bashkim Shehut ‘Vjeshta e frikës’, (L’Automne de la Peur), si dhe një roman të fundit të shkrimtarit dhe poetit kosovar Eqerem Basha. Të tjerë autorë trokisnin në dyert e “Fayard”. E pse jo, një botues si ai, veç bujarisë kishte dhe kërkesën mjaft të lartë të cilësisë së letërsisë, apo esesë që kërkoi t’i prezantojë publikut francez e atij botëror, pasi, siç dihet ishin pikërisht përkthimet e Vrionit, mbi të cilat u bazuan dhe përkthimet e romaneve të Kadaresë në gjuhë të ndryshme të botës. Klod Dyran kishte në dorë të drejtat e autorit tonë më të madh shqiptar të shekullit të XX.
Atë burrë simpatik e kisha parë shkarazi në Tiranë dhe më vonë, nga vitet ‘80 në sallën e Lidhjes së Shkrimtarëve, në hollet e hotel ‘Dajtit’ dhe më duket dhe në studiot e Kinostudios «Shqipëria e Re». Lidhja e Shkrimtarëve i rezervonte botuesit francez një pritje të veçantë, edhe pse shumë shkrimtarë e shihnin me xhelozi këtë lidhje të fortë të shkrimtarit me botuesin e huaj, që aq më tepër ishte një premierë në Shqipërinë e epokës totalitare. Madje hamendësitë ishin të shumta. Realisht do ta njihja atë pasi erdha në Paris si diplomat dhe më konkretisht në librarinë e «Fayard», në «Rue de Saints Pères», apo një mbrëmje të vitit 1992 kur Ismaili me të ktheheshin nga një konferencë letrare në Belgjikë dhe zbrisnin në stacionin e trenave të Gard du Nord bashkë me Helenën dhe Karmenin (Carmen). Me makinë, përmes shiut, së bashku u drejtuam për në shtëpinë Kadaresë. Klodi të bënte menjëherë për vete me mirësjelljen, buzëqeshjen dhe dashamirësinë e tij. Atë kohë nuk njihja asgjë nga jeta e tij: Cili ishte? Nga vinte? Çfarë pëlqente në këtë botë? Cilët shkrimtarë ishin të preferuarit e tij? A i pëlqente teatri, muzika klasike, kinemaja, ç’dinte ai për Shqipërinë?
Dyran kishte lindur më 9 nëntor 1938 në rrethinat e Parisit. Në rininë e tij ai ndoqi shkollën normale të mësuesve në Versajë dhe shpejt u dashurua pas teatrit. Nga 1991-1998 pasi drejtoi dhe shtëpinë botuese “Stock”, ai kërkoi të krijojë një konstelacion botimesh rreth “Fayard”, pra departamente të reja si botimet Le Pommier, Pauvert, Mazarine, Mille et une nuits, etj. Më 1994 u nderua me titullin “Chevalier de la Legion d’Honneur” dhe më pas me “Officier des Arts et Lettres”(Oficer i Arteve dhe i Letërsisë”). Në vitin 2014, ishte presidenti Holland që do ta dekoronte me titullin e lartë “Commandeur de la Legion d’Honneur”.
“ME KADARENË”
Të paktë janë letrarët e mëdhenj që kanë hyrë në thellësi të jetës së Dyran. Këta janë Kadare, Garcia Markez dhe Solzhenicin. Tre shkrimtarë të natyrave të ndryshme, dy “Nobël” dhe një pretendent prej kaq vitesh; një i “realizmit magjik” të Amerikës latine, tjetri disident i shquar i botës staliniste dhe denoncues i gulagut totalitar, i treti shqiptar, ballkanas, europian, me një krijimtari tronditëse, ku mithet e legjendat, bëmat e rapsodëve dhe dramat tragjike kombëtare, janë aureola e tij.
Në shkrimet e tij, herë pas here Kadareja flet dhe për Dyran, veçanërisht në udhëtimet e tij në Paris, shkuarje e ardhje mjaft të tendosura e plot mister, i ndjekur gjithnjë nga dyshimet se dikush po e përgjonte gjer në thellësi të qenies së tij, atmosferë që e gjejmë mjaftë mirë në romanin e tij ‘L’Ombre’, (Hija). Klod si të thuash ishte dëshmitar i pamundësisë së lirisë së shkrimtarit në atë kohë, të atij romancieri që më pas ai do ta konsideronte si „një ndër pesë apo dhjetë shkrimtarët më të mëdhenj të botës që jetojnë aktualisht”.
Në një darkë në shtëpinë e poetit dhe kritikut Alain Bosquet, ku do të ftohej Kadareja, duke pritur për një kohë të gjatë që të shfaqej shkrimtari shqiptar, botuesi e kuptoi se ambasada shqiptare në Paris e kishte detyruar shkrimtarin të mos shkonte atje. Madje dihet fakti se kur atasheu i “kulturës” së ambasadës i kërkoi atij të botonte në frëngjisht “veprën e mrekullueshme të shokut Enver Hoxha”, ‘Hrushovianët’, Dyran i ishte përgjigjur: “Nuk besoj se më intereson”.
“Pata përshtypjen se po më binte tavani mbi kokë”, – do të shkruante për këtë episod Kadareja në Pesha e Kryqit. Mund të thuash se pikëtakimi dhe kompliciteti i Kadaresë dhe Dyran, puna e bërë së bashku, takimet në selinë e “Fayard”, në “Rue des Saints-Pères”, mbrëmjet në „Lipp”, “Flore”, apo në “Les deux Magots”, udhëtimet, ethet e një pune pasionante për afro tri dekada, duke bashkuar këtu përkthyesin e famshëm Jusuf Vrioni, gjithçka përbënte një libër më vete, madje dy: një i shkruar nga vetë Kadareja dhe tjetri që duhej shkruar nga Dyran.
Ata të dy u takuan së pari, në vitin 1981, atëherë kur Dyran po kujdesej për botimin e romanit L’Hiver de la grande solitude, kur, siç kujton Dyran, „ai ishte rrethuar nga njerëzit e ambasadës „pour écouter ce que nous disions”. „Me vdekjen e Enver Hoxhës, Ismaili kërcënohej të arrestohej, – kujton ai në një intervistë në revistën parisiane L’Oeil de Boeuf, – dhe kur sulmohej me kritika të shumta në shtyp apo në gjirin e Lidhjes së Shkrimtarëve. Ishte urgjente të ndërhyhej. Kur shkova në Shqipëri bashkë me gruan u prita në kushte të vështira dhe ishim pothuaj të izoluar në një kat të hotel „Dajti”, ku askush s’mund të merrte kontakt me ne, veç njerëzve të regjimit. Por megjithatë nga prezenca dhe deklaratat e mia, ky udhëtim ndihmoi në mbrojtjen e Ismailit… Autoritetet shqiptare e kuptuan se ne ishim mjaft të vëmendshëm ndaj asaj ç’mund t’i ndodhte atij”.
Më 1990, në kohën kur Ramiz Alia nisej për herë të parë në krye të një delegacioni shqiptar në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të OKB-së, në New York, Dyran e ndihmoi Ismailin në largimin e tij drejt Francës, me idenë se kjo do të përshpejtonte procesin e ndryshimeve politike edhe në këtë vend. „J’ai déménagé une bonne part des archives de Kadare dans mes bagages: treize valises… A Orly, notre equipe était un peu encombrant aux yeux des douanes françaises” . Dhe Dyran do ta shoqëronte Kadarenë në gjithë atë periudhë të vështirë, por dhe të mbarsur me një veprimtari letrare e politike, që nga deklarata e tij në konferencën e shtypit në Paris ku do kërkonte azil politik e më pas me letrat drejtuar presidentëve të botës, apo për botimet e mëtejshme të Kadaresë.
Më kujtohet pranvera e vitit 1991 kur erdha në Paris me detyrën e diplomatit. Shumë miq më kishin transmetuar përshëndetje për Kadarenë. U takuam në fillim një mbrëmje vonë, në shtëpinë e kitaristit klasik Ehat Musa dhe disa ditë më pas në një apartament të Klod Dyran, diku në Bulonjë, në periferi të Parisit, pranë një kishe në avenynë Jean Jaures. Në mbrëmje, në interfonin e derës, ku duhej kërkuar emri i tij, ishte, në fakt, emri “Mozart”.
Kadareja ruhej ende nga frika e një reprezaljeje të ardhur nga forca të errëta, s’dihej nga. “Botuesi im Klod Dyran, – shkruan Kadare në Printemps albanais, apo ‘Nga një dhjetor në tjetrin’, të cilit i kisha kërkuar të vinte në Tiranë, mbërriti me gruan e tij më 11 shtator. Pasi kaluam bashkë darkën, duke e çuar në hotel “Dajti”, i fola për ikjen time nga Shqipëria. Ai më dëgjoi qetësisht. Ashtu si dhe Michel Piccoli, ai asnjëherë nuk më kishte inkurajuar për një ndërmarrje të tillë. Si mik i vërtetë që është, pa më kundërshtuar, ai më vuri në dukje vështirësitë që mund të më dilnin. Ditën tjetër, ne shkuam të shëtisnim, duke folur në shkretëtirën e plazhit të Durrësit. Duke ecur në rërën e qullët, i thashë: mbrëmë, duke u zhytur në shtratin tim, urova me gjithë shpirt që dita të mos agonte më. “Të kuptoj shumë mirë më tha ai. Të nesërmen më 13 shtator i shoqërova të dy deri tek avioni bashkë me vajzën time të madhe, e cila nuk dyshonte në asgjë. Unë dhe Helena i kishim biletat për 27 shtator. Në pistën e avionit, ku më lanë të shkoja, i pëshpërita Klodit atë që i kisha thënë : nëse ekzistenca e vajzës sonë atje, pengon ardhjen time, ma dërgo atë urgjentisht! Atëherë do të detyrohem ta lë këtu, në momentin e fundit, – i thashë duke evituar fjalën “ta sakrifikoj”. Ai tundi kokën në mënyrë hijerëndë dhe ne u ndamë.”