Kolë Mirdita -Helenau, dramaturgu 15-vjeçar, fenomeni i artit skenik shqiptar

Për konkursin e “Vitit të Skënderbeut”, me rastin e 550 –vjetorit të vdekjes.

Me rastin e përkujtimit të 450 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut në Shkodër, më 17 janar 1917, vihet në skenë drama “Deka e Skanderbegut”!

Nga Agron Luka

(Teksti i dramës “Deka e Skanderbegut”, shkruar në vitet 1914-1915 dhe vënë në skenë dy herë, më 1916 e 1917 në Shkodër, ekziston i plotë i botuar te revista “Kalendari 1917”, Shkodër, bot. “Shtypshkonja e Zojës s’Papërlyeme”! Më 1917, thuhet se kishte të shkruara edhe dy drama të tjera, “Mojs Golemi” dhe “Zoja e Shkodrës”, por tekstet e dorëshkrimet e tyre ndoshta kanë humbur. Bashkia Shkodër, Këshilli Bashkiak, Teatri Migjeni, Universiteti L. Gurakuqi etj, asnjë lloj aktiviteti për përkujtimin e 100 vjetorit të këtij evenimenti! Vetëm Biblioteka Marin Barleti tregohet e gatshme për një aktivitet përkujtues.)

            Diku e kam lexuar dhe po e riprodhoj pak a shumë me memorie të lirë, “Mënyra më e mirë për të përkujtuar një përvjetor, apo ndonjë ngjarje të rëndësishme, është t’i nxjerrim në pah ato që nuk u thanë apo ato që mbetën pa u realizuar”. Kështu me këtë ide, po përpiqem të hedh sadopak, “një gurë të vogël a një guralec në ujë”…

Në monografinë më të fundit, “Kolë Mirdita (Helenau) Jeta dhe Vepra”, Shkodër 2015, me autor dr. Prof. Alfred Çapaliku, shkruhet: “Ngjarjen më të veçantë të jetës rinore ia shënon venia në skenë e dramës “Deka e Skanderbegut”, më 1916, ku qe autor, aktor dhe regjizor, në palkun e punuar nga artisti Kolë Idromeno. Shfaqia qëndroi gjatë në repertorin e teatrit të nxënësve. Ajo u riluajt më 17 janar 1917, ditën e 450-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit. U dalluan për lojën e tyre Luigj Mjeda (Skënderbeu) dhe Rrok Gjonej (sulltani). Suksesi qe i plotë. Duartrokitjet nuk ndaleshin. Meqë vepra nuk u botua, i njohim veç skeletin skenik, në saje të kujtesës së një spektatori entuziast. Akti i parë: pushtimi i Shqipërisë nga turqit, Akti i dytë: hyrja e Skënderbeut në Krujë, Akti i tretë: Kuvendi i Lezhës, Akti i katërt: Skënderbeu dhe i biri, Akti i pestë: porosia e fundit për bashkim.

Pas 45 vitesh regjizori Lec Shllaku rikujtoi repertorin e traditës teatrore ku spikati edhe “…drama e paharrueshme e Helenaut Kolë Mirditës…”4

“Deka e Skandebegut” i qëndroi gjykimit të kohës, jo vetëm si pioniere e teatrit kombëtar, por edhe si vlerë në vetvete. Shumë vite më vonë studiuesi Kudret Velça për veprën e Kolës flet: “Drama përshkohet nga fryma e lartë patriotike dhe tregon për një konceptim realist të veprës artistike… Ndaj arrin të bëjë një përgjithsim më të madh ideoestetik nga ç’mund të bënte një kronikë historike”…5

Në mbrëmjen e 27 nëntorit 1917 u dha premiera e dramës së dytë të Kolë Mirditës “Mojs Golemi”, por ajo u prit vakët nga gazeta “Posta e Shqypnisë”: “…me kenë qi shkruesi asht i ri, ka zell e talent për dramatikë, shpresohet se ka me mujtë me shkrue drama t’interesantshme për Shqypni”.6

Filip Fishta, ish shok shkolle, dëshmon për dorëshkrimin e një drame të tretë, që Kolë Mirdita si natyrë e ndjeshme, ndoshta nga frika e përsëritjes së kritikës, ndoshta nga trishtimi i humbjes së nënës (ajo vdiq nga tuberkulozi më 3 maj 1917), nuk pati guximin ta vinte në skenë si vepër. Subjekti thurej rreth një legjende pas vdekjes së Skëndebeut, për Gennazanon, afër Romës, ku qëndroi figura e mbrojtëses së Shkodrës.9” (Cit.)     

Pa dyshim është një monografi me shumë merita, siç përgjithsisht janë punët e Alfredit. Nërkaq, bie në sy se në biblografitë e shënuara të citimit dhe të gjith monografisë, nuk shënohet se, në fakt teksti i dramës “Deka e Skanderbegut”, ekziston i botuar i plotë nga “Kalendari i vitit 1917”, Shkodër!

Edhe unë, bazuar te kjo monografi, kisha kujtuar se teksti kishte humbur. Me këtë keqardhje, por edhe sepse e kisha një fije shprese, këto ditë fund gushti, nga gazeta kohore “Vellazënia”, postova diçka në fb të shkurtuar, shoqëruar edhe me një informacion nga ajo gazetë, mbi evenimentin dhe mbi emrat e rolet e aktorëve, që kishin luajtur rinia shkodrane nga familiet e njohura katolike të kolegjit të Shën Françesk Saverit. (shih fotoskanimin, nxjerrë nga Arkivi i M. H. Shkodër)

Atë postim fb, këtu po e sjell pak më të plotë, siç e formulova në letër: “Me 17 janar 1917, në Shkodër nderohet dhe përkujtohet 450 – vjetori i vdekjes së heroi nacional të Albani – Epirit, me rivënien në skenë të dramës “Deka e Skanderbegut”, me tekst të autorit Kol Mirdita (Helenau)…

Në Kujtimet e tia, për diskutimet në Lidhjen e Shkrimtarëve Shqiptarë, për periudhën ku ka qenë sekretar i kësaj, prindi im Gjovalin Luka, shprehej: “Nacionalizmi alban-epirot, historiografia, historia e letërsisë, siç edhe disa gjini të tjera të arteve, zanafillojnë tek ne, me Rilindjen Kulturore Evropiane, me shkrimtarët e veriut, me shkrimet në gjuhën latine, me autorë si Barleti , Beçkemi etj, dhe e ruajnë këtë traditë, sado nën çensurën turke-islame, me Bogdanin, Bardhin e në vijimësi…

Letërsia jonë nuk zanafillon vetëm shqip me Buzukun në vitin 1555, siç po bahet si zakon…

E ashtuquajtura Rilindja Kombëtare e Shqipërisë, me shqipen e bejtexhinjve, me vëllezërit Frashëri etj, ishte e orjentuar si një shprehëse e aspiratave dhe programit të diktuar për një kompromis e bashkëjetesë brenda një unitet vatani me Turqinë, maksimumi ishte për një autonomi  kulturore dhe askund nuk patën ndonjë program zyrtar për indipendencë nacionale, etj. Të ashtuquajturat konflikte të letërsisë bektashiane, nuk mund të thuhet se lidhen me Rilindjen dhe frymën kulturore evropiane… Aq më keq kur tekstet cungohen, përzgjidhen, botohen me pika-pika […], apo edhe deformohen nga konteksi me tyrli lloj interpretimesh…

Tendencat pan orjentale, pastaj tendencat imponuese pan toskërishte, injoranca, brutaliteti, autoçensura dhe direkt diktatura enver-hoxhiste thau shumë lule të bukura në lulëzim e sipër, ndër të tjera edhe me anën e harresës kohore graduale, simbas parimit “t’ia zhdukim namin edhe nishanin”…     

Me rastin e 450-vjetorit të vdekjes së Gj. K. Skandërbegut, me 17 janar 1917, rinia katolike shkodrane e organizuar në kolegjin e Shën Françesk Saverit, vuri në skenë dramën “Deka e Skanderbegut”, me autor Kolë Mirdita. Shtypi i Shkodrës, gazeta Vellazënimi, me këtë rast botonte një informacion mbi çfaqien. Ja cilët ishin aktorët: Skanderbegu – Luigj Mjeda; Gjoni i biri – Luigj Benussi; Emzot Pal Êjlli – Tef Çefa; Arjanit Topi Komneni – Tef Gjoka; Lek Dukagjini – Kol Shiroka; Gjegj Strez Balsha – Kol Koçobashi; Karl Topia – Nush Topalli; Jozef Barbarigo – Gjon Kurti; Gjergj Lleshi – Kolë Mirdita; Mark Brandala – Nush Gera; Sulltan Muradi II – Rrok Gjoni; Ahmeti – Pjerin Gera; Jakupi – Ndoc Naraçi; Basani – Êjll Radoja; Alija – Gjon Koliqi;

Do të kishte qenë në nderin e Bashkisë, Këshillit Bashkiak, Teatrit Migjeni etj, të mundësojë gjetjen e tekstit origjinal dhe mundësisht rivënien në skenë të ndonjë pjese të kësaj drame dhe të ndonjë tjetre, me rastin e 100 – vjetorit dhe të 550 – vjetorit të vdekjes së heroit nacional Gj. K. Skënderbeu.”

(Shënim, viti i vdekjes 1467 jepej nga Barleti. Historiani prof. I. Zamputi, sqaroi më vonë se simbas vitit venecian i takonte viti 1468)

Duke lexuar postimin tim, mbi mundësinë e gjetjes së tekstit, një mik i imi studiuesi Andrea Zalli, më informon flakë për flakë që e dinte prej dy vjetësh se, teksti i plotë ishte  botuar i skanuar/dixhitalizuar nga Bibl. Komb. e Shqipërisë dhe më dërgoi linkun:

http://www.bksh.al/gsdl/collect/revistaa/index/assoc/HASH3b9.dir/doc.pdf

Ky informacion hapej edhe ma shkurt, bksh, Kalendari 1917, dhe po ashtu edhe për të gjith serialin e dixhitalizuar. Kështu menjëherë e hapa dhe e gjeta.

Më pas, vazhduan edhe disa postime dhe diskutime të tjera në fb. Në emrin tim dhe të Andreas, informova menjëherë drejtorin e bibliotekës M. Barleti, Gjovalin Çuni dhe një seri personash intelektualë të shquar të qytetit tonë. Bëra përpjekje me ia prezantue çështjen edhe Z. Voltana Ademi, kryebashkiakes dhe drejtoreshës së teatrit Migjeni, Z. Rita Gjeka, me preokupimin, ç’mund të bajmë për kaq pak kohë të mbetun me e përkujtue dhe nderue këtë eveniment dhe dramaturgun fenomen, jo kaq pa vlerë! …

Dhe, siç ndodh rëndom sot, të gjithë filluen “me la duertë” : po, po, diçka do t’bajmë na e sill tekstin e printuar në disa kopje mundësisht me germa të mëdha… dhe, … e ka kush e ka e ka iksi dhe ypsiloni me qera … duhet dikush me ba  një Projekt, duhet me u pa edhe fondi i akorduem, nga ministria e kulturës Kumbara… , e shkurt me pak fjalë: veshët në lesh, kambët në krah e faqia e bardhë… Vetëm drejtori i Bibliotekës M. Barleti,  Gjovalin Çuni u tregua i gatshëm për organizimin e një aktiviteti modest përkujtimor.

 

***

A është informuar ndërkohë prof. A. Çapaliku mbasi kanë kaluar rreth 3 vjet,  që ky tekst konkretisht është i ruajtur; a ka ndërmend ta aktualizojë monografinë me të dhëna të reja etj, unë nuk e di, por po pres një përgjigje nga ai me rastin më të parë që ta takoj. Ndoshta monografia duhej të ishte aktualizuar me të dhënat e reja, sepse mbase fut në ngatërresë edhe studiues të tjerë!

Atëhere të merremi paksa me këto “të dhënat e reja”:

 

  1. A ishte botuar teksti i plotë i dramës “Deka e Skanderbegut” tek Kalendari 1917 dhe keqkuptimi që shkaktoi artikulli, i N. N., “A do të treten dorëshkrimet?” (bot. rev. Kalendari, 1924, f 20-23; cit. edhe A. Çapaliku, f 21)

Kemi bindjen se përgjigjia e red. së Veprës Pijore, te shën 1, lidhur me këtë artikull, lidhet me premtimin për botimin e të tre teksteve dorëshkrimore të dramave, si një libër më vete dhe jo si tekste tek e tek në revistë. Red. justifikohet se ata ish sponsoriuesit shkodranë i kishin ndërpre fondet. (shih skanimimet dhe cit.  ma poshtë.)

Nga ky keqkuptim mund të jetë ngatërruar edhe prof. dr. A. Çapaliku? Këtë artikullshkruesin N.N. dhe përshkrimin e tij, e quan prof. Çapaliku, si: “Kujtesa e një spektatori entuziast” ?

Ndërkaq edhe një tjetër spektator jo aq entuziast, njohës i mirë i përçarjes fetare dhe ideologjike, e madje edhe parashikues i mprehtë, po aty te artikulli në fjalë rekomandonte: “Ju shqyptarët, në daçi  me u shporrë dasinave e egoizmit, e në daç me ja shtí për palc fmive tuej atdhedashtnin e vërtet, shkrueni, çfaqni e shtypni njiksi dramash, pse jo vetun me fjalë, por edhe me t’páme t’a mbushin mendjen me veprue për së mbarit, me i ndêjë larg propagandës së huej, e sidomos me i zbî tradhtit për të cillat keni hjek’ e mundeni me hjekë ende shum keq”.

Listës së hafijeve spiûjve pa pare, renegatëve e mercenarëve, tradhëtarëve etj, si, Llalla Shahini, Mustafai, Daut Pashë Ganjolla, Moisi Golemi, Hamza, Ballabani, … iu shtuan edhe … dhe deri te dy kryepoliagjentët, terroristët e vagabondët e shkallës botërore Enver Halil Hoxha dhe Mehmet Ismail Shehu…

E gjithë kritika letrare sot, justifikohet se nuk hyn në sferën e saj ky fenomeni historik që, Ismail Kadare e quan: “Fluturimi i Dërgatës për Antarësimin e Shqipërisë në Lidhjen Islamike në Xhedah dhe Rikthimi i Nostalgjisë turko-otomaniste”…

(“MOSMARRËVESHJA mbi raportet e Shqipërisë me vetveten”, bot. 2010, f 29-30)

 

  1. Kur u shkrua drama?

Në një hyrje të botimit më 1917, në një sintezë historike edhe si Parathanie lexojmë: “…kshilli i Veprës Pijore përbamun prej do Zotnive Shkodranë ka daa me botue për kujtim t’dekës s’Skanderbegut nji dramë qi me t’knaqun e pëlqim t’tanve kje çfaqë tesh 3 vjet prej djelmoçave t’Kolegjes s’Sh’ Françesk Saverit”.

Rezulton se teksti dorëshkrimor dhe ndonjë çfaqie ndoshta kapin edhe kronologjinë 1914-1915, kohë kur lëvizja (kundër) – revolucionare = reaksionare, Duam Baba Sulltanin, e udhëhequr nga myftiu Musa Qazimi, Haxhi Qamili kishte arritur kulme, kishte ulur flamurin e Skënderbeut, kishte dërguar delegacion ribashkimi me Turqinë në Stamboll dhe historia jonë heshti …

 

  1. Trishtimi nga “vdekja e nanës” apo nga frika e çensurës, terrorit dhe imponimit turko-anadollak?!

Po aty f 27,  shkruhej nga vetë autori Kolë Mirdita:  “Turqve t’Shkodrës e t’Shqypnis mor t’ju jesin hatri për do fjalë qi fliten në n’kët dramë kundra Sulltan Muratit II e kundra Turqve t’atyne ditve, qi kah gjaku e kah giûha e komi (kavmi arab. AL) s’kan ça bajnë me mislimant e Shqypniis. Skanderbegu e shqyptarët ishin at botë krejtë t’kshtênë, e prandej nuk mund t’flitshin ndryshej; e praa na tash, për pa i kundërshtue historiis, nuk mund t’i qesim ndryshe ndiesit e zêmrës t’atyne babave t’onë”.

Konkluzioni flet qartë vetvetiu dhe supozimi trishtues i Çapalikut “nuk pi ujë”… Ky kritik letrar, diçka “harron” çuditërisht, se historikisht vetëquajtja si “turq”, ka qenë përdorur për një kohë si emërtim kombëtar i kavmit mysliman arnaut. (Shih, Ë. Sedaj, “Etnonimi Arbëresh – Shqiptar”, Prishtinë 1996, f 108 -109)

Nuk është se katolikët i quajtën me përbuzje si “turq e myslimanë”, por ishte fillimisht detyrim dhe më pas edhe vetëpëlqim për t’u identifikuar ashtu. Vetë Gjon Kastrioti i kthyer si bektashiu Hamza, qysh më 1428, i quajti djemtë e tij, përfshirë edhe Gjergjin, “el quel e fato Turcho e mulsaman”, që marrin urdhëra prej Sulltanit… (Shih, Fan Noli, “Skënderbeu”, bot. 1968, f 210-212, Dok. nr. 5, riprodhuar nga Jorga, Notes, vëll. I, f 474-476)

 

  1. A mund të gjenden edhe tekstet e dy dramave të tjera?

Humbën tekstet dorëshkrime apo të daktilografuara të dy dramave të tjera?! Nuk pranoi nga frika asnjë redaksi t’i botonte?!

 

Per finire…

Jemi në pragun e një evenimenti dhe shansi të madh: A duam vërtetë të antarësohemi dhe integrohemi me komunitetin e nacioneve evropiane. Jemi penduar, dikush asht ba pishman dhe shadetli dhe kësisoj duam të qëndrojmë me komet/kavmet e kavmiyetet e orjentit me një orjentim turko-anadollak?!

Në qoftë se do vazhdojmë kështu “thikë e brisk’, me neoenverizëm dhe neoturqizëm-otomanizëm, me konspiracione, me hipokrizira e marrëveshje të fshehta me ujin nën rrogoz…  ditë edhe më të zymta na presin…

SHKARKO APP