Komedia e jashtëzakonshme “Boeing Boeing” nga sot te “ArTurbina”
Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” nis këtë vit artistik me komedinë e suksesshme “Boeing Boeing”. Komedia rikthehet për publikun nga e mërkura deri mbrëmjen e të dielës në skenë te “ArTurbina”. Një komedi e jashtëzakonshme për institucionin, e cila vjen në skenë dhe këto ditë të muajit të parë të 2020. “Për t’ju falur argëtimin e duhur në fillim vitin e ri rikthehet “Boeing Boeing”. Komedia më e kërkuar nga publiku rikthehet nga e mërkura deritë dielën në ora 20.00 në “ArTurbina””, shkruan teatri. Me mbi 100 shfaqje në skena, aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe vijnë në komedinë me autor Marc Camoletti, përkthyer me mjeshtëri nga Nasi Lera dhe me regji nga Kiço Londo. Rolet në vepër interpretohen nga aktorët Amos Muji Zaharia, Gentian Zenelaj, Rudina Dembacaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katertina Fili. Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbejë dy çmime, Tony Aëard në 2008 dhe Broadway Revival Edicion, po atë vit. Ngjarjet në “Boeing Boeing” ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dal nga situata falë mikut të tij, Robert.
Një fillim i mbarë artistik
Aktore në komedi Alesia Xhemalaj rikthehet në skenë para publikut. Një vepër e suksesshme, që sipas saj shënon dhe një fillim artistik të mbarë në teatër. “Nuk mendoj se mund ta nisja më mbarë se me “Boeing Boeing” vitin. Në momentin që flasim do të jepen 10 shfaqje rresht dhe biletat po fluturojnë si përherë. Ka njerëz që e shohin për herë të 10-të dhe kjo gjë më mbush me gëzim. Kam lexuar diku që “i vetmi mëkat që mund të ketë teatri është indiferentizmi i spektatorit” dhe është më se e vërtetë”, shprehet aktorja e njohur Alesia Xhemalaj, një nga emrat e vlerësuar të skenës teatrore me aktivitetin e saj artistik. Në komedinë franceze aktorja vjen me personazhin e stjuardesës Zhaklin. Aktorja shprehet se u bënë dy vite tashmë që luhet “Boeing Boeing”, dhe Zhaklin është roli që ka luajtur më shumë herë deri tani. “Plot 118 herë. E nëse ti mendon se puna me rolin ka mbaruar në momentin që del premiera është shumë gabim. Pikërisht aty fillon gjysma e punës dhe shijimi i personazhit, që në këtë rast ndjehem me fat dhe jam duke e shijuar çdo ditë. Shfaqja dhe karakteri në thelb është e njëjta, por e ndryshme çdo shfaqje. Kemi arritur një kimi me gjithë grupin e kolegëve sa kuptohemi në ajër. Uroj të zgjasë sa më shumë”, pohon aktorja. Për veprën që vjen në skenë në datat 8, 9, 10, 11 dhe 12 janar, kostumografia është nga Sofi Kara dhe skenografia nga Gerta Qyrku.