Komedia magjike “Boeing Boeing”, këtë fundjavë në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve
Komedia e suksesshme “Boeing Boeing” këtë fundjavë do të rikthehet për publikun në Teatrin Veror të Universitetit të Arteve. Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” sjell mbrëmjen e së shtunës dhe të dielës komedinë e autorit francez Marc Camoletti, që po korr një sukses prej kohësh, duke u mirëpritur nga publiku. Kur në Europë institucionet teatrore nuk po japin shfaqje në ambiente të hapura, sipas drejtorit të TKE Kiço Londo në institucionin që ai drejton po vazhdojnë veprat e ndryshme teatrore për publikun. “Asnjë teatër në Europë nuk po jep shfaqje në ambiente të hapura, ne po japim dhe për të rritur edhe për fëmijët”, thotë Londo në një reagim të tij. Me autor Marc Camoletti, përkthyer me mjeshtëri nga Nasi Lera, vepra është vënë në skenë me regji nga Kiço Londo. Në një reagim të tij regjisori Kiço Londo shprehet se publiku ka treguar shumë interes për këtë vepër teatrore, që më 31 tetor dhe 1 nëntor rikthehet publikut në Tiranë. Në këtë komedi në role janë aktorët Amos Muji Zaharia, Rudina Dembacaj, Gentian Zenelaj, Alesia Xhemalaj, Adriana Tolka dhe Katerina Fili. Bazuar në një farsë klasike të shkruar nga dramaturgu francez, Marc Camoletti, në vitin 1960, kjo vepër arriti të rrëmbej dy çmime, Tony Award në 2008 dhe Broadway Revival Edicion, po atë vit. Komedia “Boeing Boeing” është një shfaqje teatrore e rajonit Durrës – Lezhë dhe me shumë sukses është dhënë më parë në sallat e teatrove në Durrës, në Elbasan, në Fier, në Tiranë, në Shkodër dhe në Korçë. Vepra e cila vjen e përkthyer nga Nasi Lera është me skenografi nga Genta Qyrku, kostumografe Realda Malo dhe art-design Klea Mani
Komedia për publikun
Aktive në skenën e teatrit këtë herë aktorja Alesia Xhemalaj vjen si stjuardesa Zhaklin. Më herët e pyetur për personazhin që ajo interpreton, aktorja Xhemalaj ka treguar se është një vajzë plot jetë shumë aktive dhe e mbushur me dashuri. “Qëllimi i saj është familja dhe dëshiron të martohet sa më parë për të qenë në krahët e Bernardit. Bashkë me regjisorin Kiço Londo jemi përpjekur ta sjellim personazhin me shumë elegancë, sharm dhe autoritet në të njëjtën kohë”, thotë aktorja, që këtë herë është në veprën e francezit Marc Camoletti. Ngjarjet në komedinë franceze ndodhin në Paris në ditët e sotme. Një komedi e bujshme, në venat e së cilës rrjedh gjak si ai i komedive të Shekspirit me incidente të hareshme dhe ngatërrim identitetesh, “Boeing Boeing” paraqet aventurat dashurore të beqarit francez Bernard me stjuardesat e tij bukuroshe. Tri stjuardesa njëra më e bukur se tjetra, një franceze një gjermane dhe një amerikane, secila duke besuar se është e fejuara e Bernardit. Më parë Bernardi ka ditur t’i xhonglerojë këto gra, falë zotërimit të orarit të detajuar të fluturimeve të tyre. Kur situata ndryshon dhe të tria gratë e tij mbërrijnë në apartament në të njëjtën ditë, Bernardi me ndihmën e shokut të tij Robert lufton me të gjitha mënyrat, që ato të mos e marrin vesh të vërtetën. Bernard e mban njërën në ajër, njërën në tokë dhe tjetrën të varur. Komedia fillon në momentin kur fati i sjell të gjithë personazhet në të njëjtin vend, pikërisht në shtëpinë e Bernardit. Ai arrin të dal nga situata falë mikut të tij, Robert. Gjatë kësaj kohe TKE me shfaqjet e tij ka qenë i pranishëm edhe për publikun në qytete të ndryshme, ndërsa këtë fundjavë rikthen komedinë e suksesshme “Boeing Boeing” në Tiranë