Kongresi i Manastirit – një krenari e ligjshme e kulturës sonë kombëtare
(Me rastin e 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit)
Prof.dr. Tomor OSMANI
Një popull i vogël, por me një histori të lavdishme, diti t’i qëndrojë trysnisë së gjuhëve të tjera, jo vetëm ta ruajë gjuhën, por edhe ta lëvrojë e ta zhvillojë më tej, gjithnjë me përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për ta ngritur atë si gjuhë kulture.
E kaluara e vendit tonë nuk është e zymtë edhe në fushën e shkrimit. Ndonëse mungojnë sot për sot dokumente të atilla shkrimore që shqipen jo ta dokumentojmë 556 vjet të shkuara, por dëshmitë me karakter gjuhësor dhe jashtëgjuhësor na bindin se shqipja duhet të jetë shkruar 2-3 shekuj më parë nga ajo që njohim si dokumentin e parë të gjuhës shqipe Formulën e pagëzimit e vitit 1462. Për këtë lypen kërkime e kërkime sistematike, me ekspert të kualifikuar të historisë së gjuhës sonë, kryesisht në ato institucione të vendeve europiane që studiuesit tanë nuk kanë shkelur në ato labirinte të antikuarëve të bibliotekave shekullore apo të arkivave të huaja. Jepen dëshmi, por jo dokumente, gjë që është e pamjaftueshme. Gjuhëtari ynë i madh prof. Eqrem Çabej në vitin 1979 në një artikull për veprën e Gjon Buzukut, shkruante: ”Në nëntorin e vitit 1940, N.Borgia më kumtoi në Grottaferrata pranë Romës se kishte zbuluar në Arkivin e Vatikanit një dokument në gjuhën shqipe më të vjetër se Buzuku. Fshehtësinë e zbulimit të tij ky dijetar e mori me vete në varr.”
Duke pasur parasysh edhe historinë e popujve fqinjë, me të cilët kemi pasur kontakte të vazhdueshme, nuk ka mundësi që ne të qendronim aq larg me ato në fushën e shkrimit.
”Popujt e Mesjetës në Ballkan,- shkruan prof. Rexhep Ismajli, -jetonin aq afër midis tyre, saqë nuk mund ta shpjegosh si mund të ndodhë që shqiptarët të përjashtohen nga një fazë dhe gjendje e tillë e zhvillimit.”
* * *
E vështirë, e gjatë, e mundimshme, plot sakrifica ka qenë udha përmes së cilës u kristalizua alfabeti ynë. Dhe, siç e kemi theksuar, rrallë mund të gjesh edhe në gjuhën e popujve të tjerë shembuj të tillë, ku u pagua aq shtrenjtë e drejta për të pasur shkrimin e vet, sa populli ynë. A.Z.Çajupi në artikullin “Duke kërkuar një alfabet”, botuar në fletoren “Shqipëria“ të Bukureshtit, shfaq pakënaqësinë në përdorimin e alfabetit turk dhe grek për shqipen, pasi ata i kishin sjellë aq të këqija kombit tonë që shpesh e shkruan gjuhën e mëmëdheut “me gjak në vend të bojës.” Këtë problem nuk mund ta zgjidhnin të huajt, por vetëm shqiptarët, prandaj Çajupi bënte thirrje “Alfabeti duhet të zgjidhet prej nesh.”
Kjo histori e përpjekjeve të patriotëve shqiptarë për njësimin e alfabetit të shqipes është pasqyruar në disa monografi dhe studime të botuara gjatë viteve në vendin tonë, që nisin me interpretimin e dokumenteve të para të gjuhës shqipe për të vazhduar deri në zgjidhjen përfundimtare të problemit të alfabetit të shqipes në Kongresin e Manastirit.
* * *
Vihet re se kjo rrugë e gjatë, që lidhet me fatet e historisë së popullit tonë, për një kohë karakterizohet nga përpjekjet vetjake të patriotëve shqiptarë për një alfabet të përbashkët që e pasqyrojnë në veprat e tyre të botuara. Këto mbesin gjithnjë si nisma individuale pa realizuar atë objektiv të dëshirueshëm të të gjithë shqiptarëve.
Iluministët shqiptarë të shekullit XIX, kryesisht të gjysmës së dytë, përhapjen e arsimit dhe të diturisë e panë si një armë të zgjimit të ndërgjegjes kombëtare me pikësynime të qarta politike. Problem i dorës së parë qenë përpjekjet për hartimin e alfabetit të përbashkët të shqipes. Kështu nga viti 1967-1979 çdo nismë për këtë problem përfundoi pa sukses.
Një ndër pikat kulmore të asaj periudhe qe themelimi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 1878. Kjo lëvizje politike do të shoqërohej edhe me masa me karakter kulturor, kur përparësi fitonte edhe zgjidhja e problemit të përbashkët të alfabetit të shqipes.
Komiteti i Stambollit për mbrojtjen e të drejtave të kombësisë shqiptare caktoi një komision me kryetar Sami Frashërin, që do të merrej me hartimin e alfabetit të vetëm të shqipes. Anëtarë të këtij komisioni ishin personalitete të politikës dhe kulturës shqiptare, si Pashko Vasa, Hasan
Tahsini, Jani Vretoja, të cilët në veprimtarinë e tyre ishin shquar për ndërgjegjësimin e shqiptarëve dhe në përpjekjet për përhapjen e gjuhës amtare dhe të shkrimit shqip.
Komisioni filloi punën në fillim të vitit 1879, duke diskutuar së pari katër variante: të S.Frashërit, P.Vasës, J.Vretos dhe H.Tahsinit. Anëtarët ishin të bindur se alfabeti i shqipes duhet të kishte bazë latine dhe një tingull-fonemë të paraqitej me një grafemë, duke përcaktuar se alfabeti i shqipes duhet të kishte 36 shkronja. Diskutime pati për mënyrën e plotësimit të atyre grafemave që i mungonin alfabetit latin. Së fundi, pas shumë diskutimeve, duke u nisur nga interesi kombëtar, pavarësisht nga bindjet e tyre personale, i lanë mënjanë dëshirat vetjake dhe miratuan atë që njihet me emrin alfabeti i Stambollit, që për kohën pati shumë vlera, ndonëse nuk arriti të bëhej alfabeti kombëtar i shqipes. Ai ishte alfabeti më shkencor i hartuar deri në atë kohë dhe për herë të parë u përcaktua drejt se alfabeti i gjuhës sonë duhet të kishte 36 fonema.
Edhe pse nuk arriti të gëzojë miratimin mbarëkombëtar, qe një nismë që përgatiti udhën për të vazhduar më tej e së fundi çoi në Kongresin e Manastirit.
20 vjet pas miratimit të alfabetit të Stambollit, në janarin e vitit 1899 themelohet në Shkodër shoqëria “Bashkimi”. Edhe kjo si objektiv kryesor të saj kishte hartimin e një alfabeti, mbështetur në atë latin, mungesat e të cilit do të plotësoheshin me anë të grafemave dyshe.
Jehona qe e menjëhershme, pasi gjeti miratimin nga shumë organe dhe shkrimtarë, ndonëse pati edhe vërejtje. Por ky entuziazëm nuk do të zgjasë më shumë se dy vjet nga themelimi i saj, pasi Ndre Mjeda, më 1901 krijoi po në Shkodër shoqërinë “Agimi”, e cila në programin e saj do të ketë edhe ajo krijimin e një alfabeti për shqipen, mbështetur në alfabetin latin, por plotësimin e mungesave të këtij sistemi, ndryshe nga shoqëria “Bashkimi“ që pranonte dyshkronjëshat, ajo do t’i plotësonte duke përdorur shenja diakritike.
Kështu fundi i shek.XIX dhe fillimi i shek.XX kishte elektrizuar të gjitha forcat intelektuale për ta zgjidhur çështjen e alfabetit të njësuar të shqipes, ndonëse gjithnjë pushtuesi e pengonte, por ndërgjegjja politike e shqiptarëve sa vinte e rritej dhe nuk pajtohej me një gjendje të tillë kaosi në fushën e shkrimit. Nervozizmi kishte arritur kulmin. “Pa të kërcasim edhe njëherë dhëmbët kundrë armiqve që na ndalojnë shkronjatë e që na punojnë kaq të liga, t’u tregojmë edhe hutat, të shohëmë se do të guxonjënë më të sillen pas kësaj mënyre”, thuhej në një shkrim të botuar në vitin 1905, ndërsa “Kombi” i Bostonit kishte besim se ky problem do të zgjidhej dhe për këtë shkuante:”Gjuha shqipe edhe nga gurët e rrugëve do të shkruhet e do të këndohet.”
S’kishte më kohë për pritje.
* * *
Më 14 nëntor 1908, 110 vjet më parë filloi punimet Kongresi i Manastirit që zgjati deri më 22 nëntor 1908. Ishte një tubim mbarëkombëtar, vendimet e të cilit patën rëndësi të veçantë politike, kulturore dhe arsimore.
Ai mund të konsiderohet si hapi i parë vendimtar drejt pavarësisë kombëtare të popullit tonë në fushën e kulturës.
Nismën për thirrjen e Kongresit të Manastirit e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit, i porsakrijuar që të thirrej një kongres me një të vjeshtës së tretë që t’i jepnin “mbarim kësaj së madheje nevojë për bashkimin e gjithë shqiptarëve në një abe…”
Organizatorët ftuan, kryesisht, personalitete të njohura të kulturës shqiptare, por edhe patriotë e aktivistë të lëvizjes sonë kombëtare. Të bën përshtypje se asnjë nga pjesëmarrësit, ndonëse larg banimit të tyre, nuk morën parasysh as moshën, kohën, shpenzimet, por me një entuziazëm të paparë u nisën drejt Manastirit të largët për të marrë pjesë në Kongres. Ata që i kanë jetuar ditët e Kongresit, i përshkruajnë si ditët e një feste madhështore, ku qyteti ishte i mbushur me shqiptarë nga të gjithë trojet shqiptare, të veshur me kostume kombëtare dhe me flamurë shqiptarë në duar brohoritnin dhe hidhnin valle në rrugët e Manastirit, pa marrë parasysh temperaturat e ulta të atij nëntori. Manastiri ishte i gjithë shqiptarë. Tërë hotelet shqiptare pritnin delegatët, të ftuarit dhe shqiptarët e tjerë të ardhur posaçërisht në Manastir.
Objektivi i tij, ishte kryesisht zgjidhja e problemit të alfabetit të njësuar të shqipes.
Kryetar i Kongresit të Manastirit u zgjodh Mithat Frashëri. Duhet të zgjidheshin paraprakisht disa probleme, se në cilin sistem shkrimor duhet të mbështetej alfabeti ynë dhe u pëlqye alfabeti latin, pasi kishte një vazhdimësi që prej Formulës së pagëzimit (8 nëntor 1462). Problemi më delikat për të cilën, pati edhe më shumë diskutime dhe mosmarrëveshje ishte caktimi i parimeve dhe zgjedhja e shkronjave.
Por nuk u quajt e drejtë që të diskutohej për ndonjë nga variantet e përdorura deri në atë kohë, por të hartohej një variant i ri, siç thoshte propozonte L.Gurakuqi. Ai sugjeronte të përpunohej një alfabet në bazë të kërkesave shkencore, duke pasur parasysh dialektet, gjuhën shqipe dhe gramatikën e saj .
Kryetar i komisionit prej 11 anëtarësh për hartimin e alfabetit të shqipes u zgjodh Gjergj Fishta.
Ndonëse nuk ishte gjuhëtar dhe aq më shumë që mund të mos ishte i paanshëm, ngaqë përfaqësonte shoqërinë “Bashkimi” dhe alfabetin e saj, por me ligjëratën që mbajti në ditën e dytë të këtij tubimi, me elekuencën e tij elektrizoi sallën dhe fitoi admirimin e të gjithë delegatëve. Jehonë të veçantë patën fjalët, kur ai deklaroi, në mes të tjerash se..”.sado që është dërguar prej shoqërisë ‘Bashkimi’, këtu nuk ka ardhur për të mbrojtur atë abece, por për të gjetur një mënyrë që të bashkohen të tërë...”
Komisioni e filloi punën me dyer të mbyllura, më 17 nëntor 1908 për tri ditë rresht, pasi ishte betuar të ruante fshehtësinë e bisedimeve dhe delegatët ishin të detyruar të pranonin vendimet e tij.
Në situatën e krijuar, gjithashtu, delegatët nuk duhet të tërhiqeshin nga interesa vetjake, por nga ato kombëtare. Duheshin bërë edhe lëshime. Ky qe një faktor që ndikoi pozitivisht në gjithë mbarëvajtjen e punimeve të këtij Kongresi. Me të njëjtën linjë ishte edhe delegati tjetër i Shkodrës, Ndre Mjeda.
Para se të shpallej vendimi, komisioni kishte pranuar që të hartohej një alfabet i ri që mbështetej në atë latin dhe shkronjat e këtij sistemi shkrimor të ruanin atë shqiptim dhe vlerë fonetike edhe në alfabetin tonë, me ndonjë përjashtim. Problemi se si duheshin plotësuar 11 grafemat e alfabetit latin që i mungonin këtij alfabeti, bënë që komisioni të zgjaste edhe një ditë punën dhe së fundi ata arritën t’i kapërcejnë dhe t’i sheshojnë mosmarrëveshjet dhe të gjejnë rrugën e zgjidhjes.
Në ditën e shtatë të Kongresit, më 20 nëntor 1908 u shpall vendimi i komisionit, duke miratuar dy alfabete: alfabetin e Stambollit, me pesë ndryshime dhe një alfabet thjesht latin, atë që përdorim ne sot. Ndonëse ideja e Kongresit ishte të miratonte një alfabet e jo dy, megjithatë
delegatët e konsideruan një fitore të madhe dhe e duartrokiten zgjidhjen e tij, pasi arriti t’i bashkojë shqiptarët dhe të mbyllin atë odise prej më tepër se tre shekuj.
Duhej përligjur pse u miratuan dy variante, pasi për disa qe i pranueshëm, për disa jo. Fishta në fjalën e tij solli argumentet pse u ndoq një praktikë e tillë.
Turqit e rinj, si dhe forcat e errëta antishqiptare, u përpoqën që t’u kundërviheshin vendimeve të Kongresit të Manastirit, por ishte vonë. Gjithandej në vendin tonë lufta me pushkë dhe me pendë ishte ndezur dhe nuk mund të shuhej. Koha tregoi së alfabeti me bazë latine u bë alfabeti kombëtar i shqipes, i lehtë në përdorim, i thjeshtë në të shkruar dhe praktik në botime. Kështu alfabeti i dalë nga Kongresi i Manastirit fitoi.
* * *
Diskutime gjatë viteve ka pasur për burimin dhe autorët e alfabeti të sotëm, pasi anëtarët e komisionit nuk dhanë asnjë njoftim për mënyrën se si u hartua alfabeti i sotëm, pasi ishin betuar të mos jepnin asnjë të dhënë.
Në shtypin e paraluftës dy teza ishin mbizotëruese: alfabeti i sotëm është i shoqërisë “Bashkimi” apo i shoqërisë “Agimi”, përkrahur nga idhtarët e secilës shoqëri. Ndërsa për Justin Rrotën alfabeti ynë është më shumë një vendim i marrë në themel të një kompromisi, ku germat latine të alfabetit të Stambollit u shartuam me ato të “Bashkimit”, ide që më vonë është kundërshtuar.
Po ky problem u rihap në vitet ’50 të shekullit të kaluar dhe më pas, ku gjuhëtarët dhe historianët dhënë versione të tjera për këtë problem.
Për mendimin tonë, alfabeti i shqipes shtegtoi për një periudhë të gjatë më se tre shekujsh. Ai u përplas në dallgë të shumta, por që mundi së fundi t’i kapërcejë ato. Alfabeti me bazë latine i miratuar në Kongresin e Manastirit u mbështet në një traditë, pati si orientim disa zgjidhje të alfabeteve të kohës dhe së fundi u udhëhoq nga parimi i zbatuar në alfabetin e shoqërisë “Bashkimi”, i përfaqësuar nga Gjergj Fishta në përdorimin e dyshkronjëshave, që patjetër duhet të ketë luajtur një rol vendimtar.
* * *
Kongresi i Manastirit është një krenari e ligjshme e popullit shqiptar, një faqe e ndritur e kulturës sonë kombëtare, që edhe pas një shekulli ruan vlerat e saj. Në ballë të saj, simbolikisht qëndron Manastiri dhe ajo shtëpi dy-tre katëshe e Qiriazëve që u bë simbol i patriotizmit të lartë të popullit tonë. Elementë antishqiptarë në çdo përvjetor kërkojnë ta asgjësojnë këtë vepër me forma të ndryshme, por nuk është guri që e mban atë, por ideali, shqiptarizmi.
Kanë kaluar 110 vjet nga ajo ditë fatlume, e cila i dha popullit shqiptar alfabetin që kemi sot. Ajo kremtohet me nderim të veçantë dhe me madhështi në të gjitha trojet shqiptare me atë ndjenjë , përkushtim, patriotizëm dhe krenari të veçantë si ato ditë nëntori të vitit 1908.