Kongresi i Manastirit për alfabetin shqip
Ju falënderoj për ftesën tuaj dhe ndihem shumë i lumtur dhe i nderuar të jem mes një auditori kaq të veçantë e të nderuar, shkrimtarësh, historianësh, albanologësh, përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare.
Njëqind e nëntë vjet më parë, në qytetin e vjetër të Manastirit, përfaqësuesit më të spikatur e të mencur të Rilindjes sonë Kombëtare dhe veprimtarë të shquar, të deleguar nga shoqata të ndryshme kulturore dhe atdhetare, të mbledhur në Kongresin e Manastirit, i dhanë zgjidhje një problemi madhor të kulturës kombëtare, alfabetit të gjuhës shqipe.
22 Nëntori, Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, është padyshim një nga datat më të mëdha të historisë sonë kombëtare, momenti kyç e përbashkues që e orientoi kombin tonë drejt kombeve të përparuara të botës perëndimore.
Pas Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që shënoi pikën më kulmore të organizimit politik dhe ushtarak për mbrojtjen e interesave kombëtare, Kongresi i Manastirit shënohet si ngjarja më e madhe historike e kombit tonë që do t’i paraprinte shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912.
Kongresi i Manastirit, vlerësohet me të drejtë për rëndësinë e tij politike e kulturore, por dy janë arritjet më kryesore të tij, akti historik i institucionalizimit të alfabetit të gjuhës shqipe dhe përqafimi i modelit të alfabetit perëndimor, alfabetit latin.
Ndaj edhe sot, pas njëqind e nëntë vjetësh, ne shqiptarët duhet të jemi krenarë për vendimet e Kongresit të Manastirit, kryeqytetit të alfabetit shqip, i cili e renditi gjuhën e lashtë shqipe në radhët e gjuhëve moderne.
Kongresi i Manastirit pati rëndësi të madhe jo vetëm për alfabetin dhe për gjuhën letrare kombëtare, për arsimin e për kulturën, por edhe për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare në përgjithësi.
36 shkronjat e alfabetit tonë përjetësuan shkrimin shqip dhe historinë e shqiptarëve në trojet ku ata historikisht kanë jetuar dhe do të jetojnë.
Me alfabetin e Kongresit të Manastirit u shkrua dokumenti i Pavarësisë së Shqipërisë në 28 Nëntor 1912.
Me këtë alfabet u nënshkrua edhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008.
Me këtë alfabet u shkrua në shqip edhe Marrëveshja e Ohrit e 13 gushtit 2001. Me këtë alfabet shkruhet edhe liria dhe mbrojtja e respektimi i të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni.
Me këtë alfabet u hartua edhe Kushtetuta e Shqipërisë dhe neni për mbrojtjen e shqiptarëve kudo ata ndodhen, por edhe traktatet e miqësisë mes vendet fqinje.
Me këtë alfabet, ne shqiptarët do të shkruajmë edhe ardhmërinë e sigurt e të plotë të të gjithë shqiptarëve. Ky është thesari më i çmuar dhe trashëgimia më e rëndësishme që të parët tanë e fituan me shumë mundim dhe në kohë të vështira për kombin tonë.
Jam shumë i gëzuar që godina historike e Kongresit të Manastirit, që unë sa e vizitova, do t’i nënshtrohet restaurimit dhe do t’i rikthehet rëndësia e saj historike dhe muzeale e, shpresoj shumë që ky monument të kthehet në një vend pelegrinazhi për ne, veçanërisht për fëmijët tanë, të cilëve duhet t’u mësojë më shumë për historinë tonë dhe t’ju ushqejmë dashurinë për atdheun, kombin dhe gjuhën tonë amtare.
Na takon të gjithëve të jemi shumë të përkushtuar dhe të vëmendshëm të ruajmë këtë trashëgimi e ta përcjellim në brezat që vijnë, sepse nëpërmjet gjuhës sonë të dashur përcjellim historinë, kulturën, traditën, simbolet, vlerat mes nesh, por edhe ndaj të tjerëve.
Gjuha është e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja e një kombi, shtylla kurrizore e tij, tipari unik dhe identifikues i tij.
*Fjala e Metës në simpoziumin kushtuar 109-vjetorit të Alfabetit të Gjuhës Shqipe: