Kori “Rozafa Expression” në Shkup
Nga Tonin Çobani
Zef Çoba: “Pjesëmarrja e Korit “Rozafa Expression” në aktivitetet ndërkombëtare mishëron vullnetin tonë që përmes gjuhës së artit e kulturës, të ndërtojmë një dialog konstruktiv, human, me shumë dëshira pozitive.”
Në Ditën e Krishtlindjes, 7 Janar 2018, Kori “Rozafa Ekxpression” (Shkodër) ka qenë i ftuar në koncertin tradicional të koreve që organizohet çdo vit në Shkup. Në intervistën e tij të fundvitit, mjeshtri i korit dhe dirigjenti i “Rozafa Expression”-it, prof. Zef Çoba, shpjegon pjesëmarrjen në këtë koncert koral që është një veprimtari e konceptuar si një festë muzikore në atmosferën e Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri (sipas kalendarit të vjetër). Do të performohej nga tre kore, njëri prej të cilëve: Kori “Rozafa Expression”.
Dhe ajo mbrëmje muzikore u realizua në datën e caktuar në Kishën e Shën Marisë (Pravosllavna Çrkva “Presvjeta Bogorodiça” – Skopje). Ajo qe e veçantë për artistët shkodranë. Koristët e “Rozafa Expression” ndjenë emocionet e një pjesëmarrjeje që kishte tërhequr paraprakisht vëmendjen e të ftuarve, në mes të të cilëve edhe kryetari i Kishës Ortodokse të Maqedonisë, Hirësia e Tij z.z.Stefani, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Shkup, z. Skënder Reka etj. të pranishëm në atë koncert. “Pjesëmarrja e Korit “Rozafa Expression” në aktivitetet ndërkombëtare,- thotë duke iu referuar këtij aktiviteti dirigjenti dhe kryetari i Shoqatës “Miqtë e Muzikës Rozafa Expression”, prof. Zef Çoba,- mishëron vullnetin tonë që përmes gjuhës së artit e kulturës, të ndërtojmë një dialog konstruktiv, human, me shumë dëshira pozitive.”
Sipas traditës të tre koret e ftuar kënduan një partiturë të përbashkët, të dirigjuar nga Letka Dimovaska Polizova, që ishte dirigjente e Korit të dhomës (vajza) “Sv. Zllata Meglenska” dhe organizatore e këtij aktiviteti muzikor. Ajo shpjegoi më pas se kori nga Shqipëria është i ftuari i dytë i huaj (pas korit nga Bullgaria) që merr pjesë në një mbrëmje të tillë muzikore tradicionale për Krishtlindjen në Shkup. Kori “Rozafa Expression” dhe dirigjenti Çoba,- thotë ajo,- ishin të njohur për ne muzikantët. Dhe sonte “ishit të mrekullueshëm”, i merituat duartrokitjet që morët nga publiku i ftuar pas secilës pjesë të interpretuar me profesionalizëm të lartë, korrektësi artistike dhe shprehëshmëri vokale të veçantë. Pas kësaj ajo gjeti rastin të formulojë fjalët se “Muzika nuk njeh kufij” dhe se “Kori i Shkodrës i theu barrierat që na kishin veçuar prej njëri-tjetrit ose që e kanë pretenduar një gjë të tillë”.
Në programin e përzgjedhur me këtë rast nga Kori “Rozafa Ekspression”, bënin pjesë vepra të kompozitorëve të njohur për këtë lloj muzike, si Bortijanskavo, Çesnokov dhe Hipolitof-Ivanof. Nga të katër pjesët e ekzekutuara, dy u kënduan në gjuhën shqipe, çfarë do të thotë se ato partitura kanë ekzistuar në repertorin shqiptar qyshkur të krishterët ortodoks shqiptarë krijonin Kishën Autoqefale Shqiptare në ShBA dhe më pas në Shqipëri. Mund të mendohen si të tilla në gjuhën shqipe (dhe të ekzekutuara nga koristë shqiptarë) qysh në vitet e para të Pavarësisë ose më herët, ndoshta, pas vitit 1908, që shënon vitin e shpalljes nga Fan S. Noli të Kishës Autoqefale Shqiptare. Fan S. Noli është edhe përkthyes i këtyre teksteve në gjuhën shqipe.
Duke u kthyer nga Shkupi për të mbërritur në Shkodër me Franin (shoferi që prej më tepër se dhjetë vjetësh është vënë në dispozicion të grupit), koristët bëjnë shaka me njëri-tjetrin se cila doganë do t’i përcjellë më shpejt: ajo që të nxjerr jashtë apo ajo që të pret brenda. Dhe janë katër të tilla (ose tetë shkuarje dhe ardhje): Shqipëri-Kosovë, Kosovë-Maqedoni, Maqedoni-Kosovë dhe Kosovë-Shqipëri. Ndonjëri mendon se doganat përfaqësojnë seriozitetin e shtetit. Dikush tjetër përpiqet të arsyetoje se ashtu janë rregullat për shtetasit që hyjnë e dalin nga njëri vend i huaj në tjetrin. Në fakt janë orë pritjeje të shkuara kot fare. Aq më pak mund të jenë kufij apo barriera. Sepse artistët do t’i kishin bërë të paqenë apo do t’i kishin thyer ata pengesa prej kohësh me tingujt e këngëve që artikulojnë: sopranot e Korit Rozafa Expression (Mirsa, Edita, Sidjana, Silvia), tenorët (Beni, Rafaeli, Xhulio), altot (Lidia, Stela, Graciela, Marina), bas-baritonët (Klinsmani, Paskali, Erigeri) dhe solistet Miranda Gjinaj e Niki Mjeda.
Gjithsesi, të gjithë së bashku me maestron e tyre, prof. Zefin, janë të kënaqur nga ky udhëtim muzikor, nëse mund ta quajmë kështu pjesëmarrjen në Koncertin Tradicional të Muzikës Korale të Shkupit në Ditën e Krishtlindjes dhe në atmosferën e Vitit të Ri 2018, sipas kalendarit të vjetër.