Kostumi i kapedanit të Mirditës, dhurata e Enver Hoxhës për Nikita Hrushovin

Në këtë fotografi, paraqitet kostumi i kapidanëve të Mirditës, i cili i është bërë dhuratë nga Enver Hoxha, udhëheqësit të BRSS, Nikita Hrushovi gjatë vizitës që ai bëri në Shqipëri më 1959. Këtë kostum e kemi parë të veshur nga kapedani i Mirditës, Prênk Bibë Dode, bërë e njohur përmes koleksionit të Marubit. Kostumi i perket shekullit te XIX dhe është frut i një pune të jashtëzakonshme të artizanëve të kohës. Njiherash me kostumin udhëheqësit komunist të vendit mik i’u bë dhuratë edhe shpata që Napoleoni i III i ia pat dhënë si suvenir kreut të Markagjonve, armë e cila sot ndodhet në një prej muzeve të Rusisë!

Jo vetëm pala shqiptare, por të gjithë kanë qenë pjesë e shkëmbimeve të dhuratave. Dhuratat ishin pjesë e pandarë e praktikës të çdo shteti. Dhurata protokollare është simbol i vëmendjes ndaj çdo miku të lartë të huaj, si formë shprehjeje e mirënjohjes për punën e suksesshme të përbashkët ose për mbajtje kontaktesh të mira pune. Si rregull, shkëmbimi i dhuratave është pjesë përbërëse e rëndësishme e programit të çdo vizite të një kreu shteti, shefi qeverie, ministri të punëve të jashtme ose delegacioni të një niveli të lartë. Dhurata protokollare është shenjë nderimi ndaj një ambasadori që largohet nga vendi për kontributin në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe. Në të njëjtën kohë, ajo mund të jetë një nga format e shfaqjes së vëmendjes së përfaqësuesit diplomatik ndaj autoriteteve të vendit pritës ose ndaj kolegëve diplomatë të tij.

Element shumë i rëndësishëm i protokollit është zgjedhja e dhuratës dhe karakteri i saj. Në zgjedhjen e dhuratë duhet marrë në konsideratë tërësia e faktorëve të shumtë nga më të ndryshmit: niveli i marrëdhënieve me vendin, kombësia e vizitorit apo përfaqësuesit diplomatik, mosha e tij, interesat. Por në këtë rast duhet të mos harrohet vazhdimisht se çdo dhuratë duhet, nga njëra anë, të shprehë specifikën kombëtare të vendit të vet, dhe nga ana tjetër, sipas mundësisë të merren parasysh veçoritë e personalizuara të personit që do t’i jepet.

Në një tekst të Thanas Mustaqit publikuar në “Ivestigim” përcjellim përmes një panorame të plotë i gjithë ky ceremonial, ky komunikim, i cili kësodore është trajtuar vetëm në marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike.

Një aspekt kurioz dhe domethënës për marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike në vitet ’50-’60 e përbëjnë edhe dhuratat e shkëmbyera nga udhëheqësit e shtetit, përkatësisht Enver Hoxha, Josif V. Stalini dhe Nikita S. Hrushov. Nga niveli i dhuratave vlerësohej edhe rëndësia që i jepej vizitorit, por e kushtëzuar kjo edhe në kontekstin historik. Ajo që të bie në sy është dallimi që i bënë udhëheqësit shqiptar dy liderët e superfuqisë botërore. Ndërsa Stalini e përcolli Enverin me një kuti ari, havjar e sallam, dhjetë vjet më vonë Hrushovi mbërriti në Shqipëri me miliona rubla dhe automjete luksoze për gjithë udhëheqjen e lartë shqiptare.

Foto e punuar

ENVERI SI ÇËRÇILLI…

Enveri Hoxha u nderua në vitin 1949 si Kryeministri britanik pesë vjet më parë me havjar, vodka, shampanjë dhe cigare. Dhuratat protokollare, që u janë dhënë miqve të lartë në BS në kohën e Stalinit, vitet e fundit të luftës dhe fillimviteve të para të pasluftës, kishin karakter mjaft specifik, që u kushtëzua nga pasojat e luftës. Kështu, p.sh., në përfundim të vizitës në Moskë të Kryeministrit dhe ministrit të Punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe (9-18 tetor 1944), Uinston Çërçill (Ëinston Churchill) mori si dhuratë 10 kg havjar, 15 litra vodka, 40 paketa cigare dhe 50 shishe uji mineral (vodka dhe cigare, në vend të konjakut dhe purove!). Entoni Iden (Anthony Eden), nga ana e tij, mori si dhuratë 6 kg havjar, 110 litra vodka dhe 20 pako me cigare. Cigaret si dhurata për miqtë e huaj u vendosën qysh në vitin 1923. Dhuratat me produkte ushqimore, si rregull, për miq të shquar u vunë në periudhën e parë pesëvjeçare të pasluftës. Kështu, për shembull, Enver Hoxhës gjatë vizitës së tij njëmujore në BRSS në vitin 1949 (11 mars – 11 prill), përveç një kutie cigaresh prej ari, iu dhanë dy kuti trekilogramshe me havjar të zi, 3 kg sallam i thatë, 2 kg çokollata, 5 shishe vodka dhe shampanjë dhe 20 kuti cigaresh. E shoqja mori dy copa mëndafshi dhe një leshi. Parë me një lloj “etnografizmi” politik, pakot me ushqime ishin një llloj “qerasjeje”, pasi udhëheqësit nuk kishin nevojë për to. Nga ana tjetër, këto lloj produktesh ushqimore nuk ishin dhe aq të lira, si për shembull havjari. Shenjojnë njëfarë identiteti rus: havjari dhe vodka. Sikurse shenjon për anglezët dhe amerikanët uiski dhe purot. Po ashtu, prodhimet artizanale të qytezës ruse të Palehut, sikurse janë peshtafet e pikturuara me miniatura, kanë famë në të gjithë botën dhe kanë fituar “granpri – Grand Prix” në panaire ndërkombëtare deri dhe në Nju-Jork.

… POR JO SI KIM IR SENIT!

Ndodhi që njëkohësisht me delegacionin shqiptar, të kryesuar nga Enver Hoxha, në Moskë të ndodhej dhe udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Ir Sen (1912 -1994). Pas gjashtë javësh qëndrimi në Bashkimin Sovjetik, shkurt-mars 1949, Kimi u trajtua vërtetë si perandor. Përveç kutisë tradicionale prej ari të cigareve dhe një pakoje me ushqime, Kremlini i dhuroi 7 vetura: 3 “ZIS-110”, 2 “Pobjeda”, si dhe 2 “Moskviç” “atij personalisht, si dhe për t’ua shpërndarë anëtarëve kryesorë të qeverisë si ta shihte të arsyeshme”. Në fillimvitin 1949 ende Stalini nuk ishte prishur me Titon, ndaj Hoxha nuk përfillej shumë. Kjo mund të shpjegojë diferencimin në “sajdisje”, që iu bë liderëve të Phenianit dhe Tiranës.

Princeshës iraniane Ashraf Pahlavi, gjatë një vizite, iu dhurua një gardërobë e tërë produktesh me lëkurë kafshësh të egra: nga Stalini – një gëzof të zi me lëkurë kunadheje, nga Molotovi – një unazë diamanti, nga gruaja e Molotovit – pelerinë me lëkurë dhelpre të murrme, nga Shvernjiku – manto me lëkurë shqarthi.

AVIONË, JAHTE, VETURA DHE …

Gjatë kohës së N.S. Hrushovit miqve të shquar, dhe në radhë të parë aleatëve ideologjikë, filluan t’u jepeshin avionë, jahte, katera, makina, vetura të klasit VIP, modele më të reja të teknologjisë moderne dhe dhurata të tjera të shtrenjta. Ka vazhduar dhe praktika e dhënies së vlerave muzeore. Presidentit të Indisë Xhavaharlal (Jaëaharlal) Nehru në vitin 1955, përveç dy veturave ZIS-110 iu dhuruan një komplet teknike bujqësore (traktor STZ, makinë mbjellëse, plug, rimorkio, kombajnë, kultivator, etj.) si dhe një numër eksponatesh muzeore. Posaçërisht, për vajzën e tij Indira Gandi u dhurua piktura e P.P. Konçalovskit (1876-1956) me titull “Jargavani”. Gjatë një vizite në BRSS në maj të vitit 1958, Presidenti i Egjiptit Naser mori dhuratë një avion IL-14 (variant sallon), një shpatë kazake me gurë të çmuar, një vazo porcelani me portretin e tij, dhe përveç kësaj – një komplet makinash bujqësore dhe pajisje mjekësore (gruas së Naserit iu dhurua një pelerinë me lëkurë kunadheje).

… FALJE BORXHESH

Është interesant fakti, që atë dhuratë që Stalini i bëri liderit koreanoverior (vetura për çdo anëtar byroje politike), pas 10 vjetësh, në vitin 1959, e bëri antistalinisti Nikita Hrushov kur erdhi për vizitë në Shqipëri. Jo vetëm kaq. Sipas Nexhmije Hoxhës, në librin me kujtime “Jeta ime me Enverin”, Hrushovi i bëri “‘dhuratë’ popullit tonë faljen e kredive, që kapnin shumën, me sa më kujtohet, prej 422 milionë rublash, apo duke u sjellë anëtarëve të Byrosë Politike nga një veturë prodhim sovjetik, të cilat u dorëzuan në parkun automobilistik të ‘pritjes së miqve’”. Ndoshta, 422 milionë rublat ishin dhe dhuratë dhe “qeraja” për bazën ushtarake-detare të Vlorës, ku për disa kohë ushtruan sovranitet Bashkimi Sovjetik dhe Traktati i Varshavës

Preng Bib Doda, foto Marubi

Dokument nr. 1

MEMO MBI OPORTUNITETIN E AKORDIMIT TË DHURATAVE NGA ANA E QEVERISË SOVJETIKE PËR ANËTARËT E DELEGACIONIT QEVERITAR SHQIPTAR [1]

Moskë, më 28 mars 1949

SEKRET

Shokut V.A. Zorin

Do ta konsideronim të nevojshme, bazuar dhe në rastet me delegacionet e mëparshme, t’u dhurohen anëtarëve të delegacionit qeveritar të Shqipërisë në emër të qeverisë së Bashkimit Sovjetik si më poshtë:

Enver Hoxha – kuti ari për cigare, 2 kuti metalike 3-kilogramshe me havjar, 3 kg sallam, 5 shishe ujë mineral, 5 shishe shampanjë, 20 paketa cigare, 2 kg çokollatë, 2 copa mëndafshi dhe një leshi për bashkëshorten.

Spiro Koleka – orë ari “Pobjeda” me zinxhir, 1 kuti metalike 2-kilogramshe me havjar, 1,5 kg sallam, 3 shishe shampanjë dhe 3 shishe ujë mineral, 10 paketa cigare, 1 kg çokollatë, 1 copë mëndafshi për bashkëshorten.

Koço Theodhosi – takëm shkrimi prej mermeri të maleve Urale, 1 kuti metalike me havjar, 3 shishe ujë mineral, 10 paketa cigaresh, 1 kg çokollatë.

Xhaferr Spahiu – peshtaf i punuar nga artizanët e qytezës Paleh, 1 kuti metalike me havjar, 3 shishe ujë mineral, 10 paketa cigaresh, 1 kg çokollatë.

Shinasi Dragoti – peshtaf i punuar nga artizanët e qytezës Paleh, 1 kuti metalike me havjar, 3 shishe ujë mineral, 10 paketa cigaresh, 1 kg çokollatë.

Nexhip Vinçani – peshtaf i punuar nga artizanët e qytezës Paleh, 1 kuti metalike me havjar, 3 shishe ujë mineral, 10 paketa cigaresh, 1 kg çokollatë.

Ju lutemi dërgoni udhëzimet Tuaja

  1. Çuvahin,
  2. Leviçkin,
  3. Bushujev

Përkthyer sipas origjinalit që kanë gjetur botuesit rusë në Arkivin e Politikës së Jashtme të Federatës.

Shënim i botimit rusisht:

[1] Mbi dokument janë bërë këto shënime për veprime të mëtejshme: “shokut V.M. Molotov. Shoku A. J. Vishinski e konsideron oportune të jepen dhuratat e mëposhtme. Ju lutem jepni pëlqimin Tuaj. V. Zorin. 29.III.”; “Shokut Zorin. Ky problem duhet dërguar në KQ. Duhet të mos përfshihen dhuratat e vogla, por të jepet shuma monetare gjithsej, që do të shpenzohet për to. V. Molotov. 31.III.”; “shokut Bushujev. Memon jepeni në KQ (për shokun Stalin) + të llogariten shpenzimet për dhuratat kryesore dhe suplementare. 31.III. V. Zorin”

Dokument nr. 2

VENDIM I KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË BRSS MBI DHURATAT PËR DELEGACIONIN E QEVERISË SË REPUBLIKËS POPULLORE TË SHQIPËRISË [1]

Moskë, më 2 prill 1949,

SEKRET

KËSHILLI I MINISTRAVE I BRSS

Vendim i 2 prillit 1949, Nr. 1273-454с

Moskë, Kremlin

Mbi dhuratat për delegacionin e Qeverisë së Republikës Popullore të Shqipërisë

Këshilli i Ministrave i Bashkimit RSS VENDOS: 1. T’i akordojë në emër të Qeverisë së BRSS Kryetarit të Këshillit të ministrave të Republikës Popullore të Shqipërisë Enver Hoxha – kuti ari për cigare

Kryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit Spiro Koleka – orë ari “Pobjeda” me zinxhir ari

Zëvendëskryetarit të Komisionit të Planit të Shtetit Koço Theodhosi – takëm shkrimi prej guri dekorativ të maleve Urale

Zëvendësministrit të tregtisë Vasil Kati – peshtaf i punuar nga artizanët e qytezës Paleh

Zëvendësministrit të industrisë Xhafer Spahiu – peshtaf i punuar nga artizanët e qytezës Paleh

Zëvendësministrit të ndërtimit Shinasi Dragoti – peshtaf i punuar nga artizanët e qytezës Paleh

Zëvendësshefit të Shtabit të Përgjithshëm Nexhip Vinçani – peshtaf i punuar nga artizanët e qytezës Paleh

  1. T’u dorëzohen, përveç kësaj, anëtarëve të delegacionit dhurata për bashkëshortet (copa mëndafshi dhe leshi) dhe nga një pako me produkte ushqimore (havjar, çokollatë, ujë mineral, shampanjë) në shumën gjithsej prej 11.000 rubla.
  2. Ngarkohet Ministria e financave (sh. Zverjev) të ndajë mjete monetare nga fondi rezervë i Këshillit të Ministrave të BRSS për Ministrinë e punëve të jashtme të BRSS si shtesë të preventivit të saj për pagesën e dhuratave, që renditen në këtë Vendim.

KRYETARI

I KËSHILLIT TË MINISTRAVE TË BASHKIMIT TË RSS J. Stalin

DREJTORI I SEKTORIT TË PËRGJITHSHËM

I KËSHILLIT TË MINISTRAVE M. Pomaznjev

Përkthyer sipas origjinalit që kanë gjetur botuesit rusë në Arkivin e Presidentit të Federatës Ruse.

Shënim i botimit rusisht:

[1] Iu shpërnda V. Molotovit, L. Berias, N. Bulganinit, G. Malenkovit, A. Poskrebishevit, A. Vishinskit, M. Menjshikovit, A. Averjevit

Dokumenti nr. 3

NGA DITARI I ZËVENDËSSHEFIT TË SEKTORIT TË PROTOKOLLIT TË MPJ TË BRSS P. BUSHUJEV MBI DORËZIMIN E DHURATAVE DELEGACIONIT SHQIPTAR

“Sot [më 26 prill 1949] në orën 15 i bëra një vizitë delegacionit të qeverisë Shqiptare dhe u prita nga Kryetari i Këshillit të ministrave Enver Hoxha.

E njoftova se isha ngarkuar t’u dorëzoja anëtarëve të delegacionit të qeverisë Shqiptare në emër të qeverisë Sovjetike dhuratat e poshtëshënuara:

Enver Hoxha – kuti ari për cigare, 2 copa mëndafshi dhe 1 copë leshi si dhe pako me produkte ushqimore.

Spiro Koleka – orë ari “Pobjeda”, copë mëndafshi dhe pako me produkte ushqimore. Koço Theodhosi – peshtaf i punuar nga artizanët e qytezës Paleh [me subjekt] “Përralla e peshkatarit dhe e peshkut” [“takëm shkrimi prej guri dekorativ të maleve Urale”, thuhet në vendimin e qeverisë Sovjetike – “Lajmi”] dhe pako me produkte ushqimore.

Vasil Kati – peshtaf i punuar nga artizanët e qytezës Paleh [me subjekt] “Pranë Llukomorjes”dhe pako me produkte ushqimore.

Xhafer Spahiu – peshtaf i punuar nga artizanët e qytezës Paleh [me subjekt] “Dy bijtë ushtarë të Ivanit” dhe pako me produkte ushqimore.

Shinasi Dragoti – peshtaf i punuar nga artizanët e qytezës Paleh [me subjekt] “Rusllani dhe Ljudmilla” dhe pako me produkte ushqimore.

Nexhip Vinçani – peshtaf i punuar nga artizanët e qytezës Paleh [me subjekt] “Panfillovasit” dhe pako me produkte ushqimore.

Pasi më dëgjoi, Enver Hoxha ftoi në dhomën e tij të gjithë anëtarët e delegacionit dhe m’u lut të përsërisja njoftimin në prani të tyre. E bëra këtë dhe u dorëzova personalisht dhurata e sipërshënuara.

Në emër të anëtarëve të delegacionit, bashkëshortes dhe të tijin personal Enver Hoxha m’u lut t’i transmetoja qeverisë së BRSS mirënjohjen për dhuratat”.

Përkthyer sipas origjinalit që kanë gjetur botuesit rusë në Arkivin e Politikës së Jashtme të Federatës.

“Nuset e Shqipërisë”, pushtimi i Shën-Petërburgut

Pak lirizëm në jetën e zymtë të një diktatori. Në vitin 1949, me rastin e 70-vjetorit të lindjes të Stalinit, kur Enver Hoxha ndodhej në Moskë për vizitë në krye të një delegacioni shqiptar, kreut të Kremlinit iu soll një fustan nuseje nga Elbasani. Është një nga befasitë etnografike shqiptare, një kryevepër që e bën krenar muzeologjinë e Shën-Petërburgut.

MË MADHËSHTORET

Nga 12 deri më 25 qershor 2008, në muzeun Etnografik Rus (MER) qëndroi e hapur ekspozita “Nuset e Shqipërisë”. Ishte veprimtari e përbashkët ekspozuese e dy muzeve rusë – muzeu Etnografik Rus dhe Kunstkamera- dhe Shoqatë Mbarёkombёtare Folklorike nga Tirana. Duke ofruar një vështrim të ri mbi Ballkanin, organizatorët e ekspozitës dëshironin të tregonin kulturën origjinale të popullit shqiptar, që ka arritur të krijojë një imazh të papërsëritshëm të femrës në veshjen tradicional. Në ekspozitë janë paraqitur kostume, ato më të qartat, më mbresëlënëset në kujtesë, më madhështoret, të cilat i mbanin njëherë e një kohë gratë në treva të ndryshme të këtij vendi. Koleksionin shqiptar të MER-it, në të cilin ruhen pothuajse 100 objekte, në ekspozitë e përfaqëson veshja (kostumi) e nuses nga Shqipëria e Mesme, e punuar në qytetin e Elbasanit.

DIMITË NGA ELBASANI PËR GJENERALISIMIN

Veshja (kostumi) e dërgua nga Shqipëria në jubileun e 70-vjetorit të J.V. Stalinit. Kompleti përbëhet nga dimitë (një lloj pantallonash të gjera), jeleku, pala e këmbëzave dhe bluza e stolisur. Veshja (kostumi) është realizuar me copë mëndafshi të hollë. Jeleku, mbulesa e brezit dhe këmbëzat janë tejet të stolisura e qëndisur në ar. Pjesën kryesore të zbukurimeve e përbën një ornament floreal, i punuar me fije sermi, që harmonizohen mirë me sfondin e verdhemë të mëndafshit. Veshje të tilla i bëjnë mjeshtrit për anëtarë kolektivash folklorikë dhe për njerëz që e vlerësojnë veshjen popullore. Duke paraqitur ekspozitën etnografike shqiptare unikale për rusët, kuratorët e saj kanë shpresuar që ekspozita të ngjashme, të cilat njohin rusët dhe miqtë e huaj me kulturën origjinale të popujve të siujdhesës së Ballkanit, do të bëhen një traditë e mirë e dy muzeve.

GLOBALIZIMI DHE FEMRAT SHQIPTARE

Të gjitha objektet e ekspozuara pa përjashtim demonstrojnë mjeshtërinë tepër unikale ose, pa iu trembur kësaj fjale, artin e prodhimit të veshjes tradicionale. Në ekspozitë janë paraqitur kostume nusërie nga treva të ndryshme të Shqipërisë: Gjirokastra, Shqipëria e Mesme, Librazhdi, Korça, Tropoja. Kostumi tradicional, që e bënin vet apo e blinin te mjeshtrit në qytete për ditën e dasmës, bëhej veshja më e çmuar në gardërobën e një gruaje. E vishnin në festa, në ditë të rëndësishme solemne dhe panaire. Kostumin e nusërisë, që ia dhuronin prindërit apo që e qëndiste me duart e veta, gruaja e ruante pastaj gjatë gjithë jetës me kujdes në sënduk – në të ashtuquajturin sënduk të prikës. Në kushtet e sotme, kur globalizimi dhe unifikimi i kulturës po gjen shprehje kudo praktikisht, madje dhe zonat e largëta malore, ruhen ende me kujdes traditat e rrobave të dasmës. Nuk është gjë e rrallë, kur vajza martohet në Shqipëri me veshje kombëtare. Dhe veshja e saj nuk është vetëm simbol i përkatësisë etnike, por dhe një dhe shënjues i qartë i kujtesës së brezave dhe nderimit për burimet e kulturës së vetë kombëtare.

Në ekspozitë u paraqitën gjithashtu fotografi etnografike, që pasqyronin anë të ndryshme të jetës së popullit shqiptar. Të realizuara me dashuri të madhe dhe mjeshtëri, fotografitë (ishin zgjedhur 31 gjithsej) u mundësonin miqve të udhëtonin konvencionalisht në tokën e lashtë të ilirëve, paraardhësve të banorëve të sotëm të Shqipërisë.

Sipas Aleksandër Aleksandroviç Novikut, kandidat i shkencave historike, shef i sektorit të evropianistikës në Muzeun e Antropologjisë dhe Etnografisë “Pjetri i Madh” (Kunstkamera) të Akademisë së Shkencave të Rusisë dhe Natalija Moisejevna Kallashnikovës, doktor në kulturologji, profesor, shefe sektori në Muzeun Etnografik Rus.

Tri pisqolla sermi për Titon

Menduam t’i çonim edhe një peshqesh Titos. Vritnim mendjen çfarë t’i çonim, pse nuk donim të turpëroheshim, por asgjë të përshtatshme s’po gjenim. Më ra ndër mend dhe u thashë shokëve t’i çonim një pisqollë sermi shqiptare, nga të vjetrat. Kjo shkonte për bukuri. Shokët e miratuan. Thirrëm Sterjo Gjokorecin dhe e ngarkuam të na gjente një të tillë. Ai na tha se, gjatë konfiskimit të pasurisë së një krimineli kuisling, kishin gjetur tri pisqolla të bukura, nga të cilat mund të zgjidhnim. I thamë të na i sillte dhe kur i solli në zyrë ishte edhe përfaqësuesi i Jugosllavisë, Josip Gjergjia. Ishin me të vërtetë pisqolla të bukura. Zgjodha një dhe i thashë jugosllavit përse e desha. Ai e pa, e pëlqeu shumë dhe pa pikë turpi na tha:

– Titoja do të kënaqet pa masë, dërgojani të tria!

Ç’t’i thoshim këtij plaçkaxhiu?! E pranuam propozimin e tij. (Kështu që Titoja i mori të tria pisqollat prej sermi dhe i futi në arsenalin e tij të peshqesheve.)

Marrë nga libri i Enver Hoxhës “Titistët”

Misteri i dy jataganëve

Në vitin 1998, zëvendës-kryekomandant i parë i flotave luftarake-detare të Rusisë, admirali Igor Vladimiroviç Kasatonov, vizitoi Muzeun Qendror luftarak-detar në Shën Petërburg dhe dorëzoi për ruajtje të përjetshme jataganët e dhënë si kujtim. Në Shqipëri? Po. Kështu thuhet zyrtarisht. Dy jataganë shqiptarë në Shën-Petërburg, që paraqesin simbolikën e konfliktit Enver–Hrushov gjatë Luftës së Ftohtë. Çarja e rrethimit në Vlorë e rriti komandantin e Flotës së detit të Zi në nivelet e larta të komandimit të luftanijeve dhe nëndetëseve bërthamore të superfuqisë së lindjes komuniste. Ai pati sherr me Enver Hoxhën. Është Vlora, vendi ku bëri praktikën i biri i Kasatonovit, si kursant për oficer. Aktualisht, me të njëjtën gradë të lartë me të atin e ndjerë. Admirali Kasatanov, që arriti të rrëmbejë në Vlorë 8 nëndetëset, mori me vete dhe dy armë të ftohta, kryevepra të artit zejtar shqiptar. Gjithsesi, ato mbartin dhe një mister. Në familje askush nuk di për origjinën. Ndërkohë ekspertët kanë thënë se vijnë nga Shqipëria.

RASTI I PARË NË 300 VJET

Gjatë disa dekadave dy jataganë janë ruajtur si relikte familjare në familjen e Kasatonovëve, e cila i dha Rusisë dy zëvendës-Kryekomandantë të Parë të FLD-së (Flotave Luftarake-Detare) – admiralin e flotës Vladimir Afanasjeviçin në vitet 1964-1974 dhe admiralin Igor Vladimiroviçin në vitet 1992-1999. Në një periudhe 300-vjeçare të historisë ruse ky, ndoshta, është rasti i parë i këtij lloji. Punonjësit e Muzeut Qendror luftarak-detar në Shën Petërburg, thonë se, për fat të keq, kush dhe kur i dhuroi këta jataganë Vladimir Afanasjeviçit, në familje askush nuk mund ta kujtojë. Prandaj dhe kërkimi, i filluar nga punonjësit e muzeut, shkoi në dy drejtime – studim i detajuar i objekteve dhe analizë e shërbimit të kryer nga Vladimir Afanasjeviçi (1910 -1989) në flotë.

12 KORALË TË KUQË

Jatagani më i madh, me numër inventari 56125, ka një teh të drejtë me anë të mprehtë, me gjatësi 57 dhe gjerësi 4 cm me dy ullukë (të çara) të hollë nga të dy anët e sheshta të shiritit që shkojnë përgjatë qylykut dhe mprehjes së njëanshme. Të dy anët e tehut janë të dekoruara me gdhendje kundër ndryshkut dhe ornament gjeometrik të larë me serm (argjend). Bazamenti i tehut në të dy anët është i stolisur me pllakëza lidhëse, të figuruar me dredha elegante, dhe të realizuara në teknikë filigrani dhe me larmi rrahjesh. Doreza e jataganit është përgatitur me aliazh argjendi me ndarje karakteristike dhe hollim në anën e fundit të saj (“veshët”), e zbukuruar me fletushka të laminuara. Veçanërisht 12 koralë të kuqë, të fiksuar në sythe rozetash si dhe dekori me ornamente të çuditshme gjeometrike i japin elegancë dizajnit të hollë artistik të dorezës. Duke vlerësuar tendencën tematike të formulimit artistik të jataganit, veçoritë e tij konstruktive, materialet e përdorura dhe mënyrat teknologjike të bartjes së dekorit, mund të supozohet se armën e e kanë prodhuar mjeshtra ballkanas në fund të shekullit XIX. Është për t’u vënë në dukje se si material për prodhimin dorezës është përdorur lidhja argjend me bakër në raport nga 39:10 deri në 60:40 pjesë. Përveç filigranit, mjeshtrit vendas kanë përdorur gjerësisht derdhjen, gdhendjen, rrahjen, skalitjen, filetimin dhe stolisjen me granulim. Zbukurimet me përdredhje filigrani dhe me dantella, të aplikuara në produktet me teknikën e ”telish kafazeli filigranit” në vendet e Ballkanit konsiderohen thjesht shpikje kombëtare. Përzierja e argjendit, bakrit dhe plumbit, shkrirë në zjarr në poçe, gjatë ftohjes i jepte një nxirje (oksidim) specifik, që ishte tipike për armëtarët dhe argjendarët e Kosovës, thonë ekspertët rusë të muzeut të flotës detare të Shën Petërburgut.

SKËNDERBEU NË JATAGANIN E VOGËL

Jatagani i vogël me numër inventari 56126, me një anë të mprehtë prerës, me formë karakteristike të kamës, ka një gjatësi prej 44 cm dhe gjerësi prej 2,5 cm dhe një ulluk të ngushtë, që kalon nëpër të gjithë gjatësinë e dy anëve të sheshta të shiritit. Jatagani i vogël, me sa duket, është prodhuar në kufirin e shekujve XIX-XX. Ndryshe nga jatagani i madh, identifikimi i jataganit të vogël rezultoi dukshëm më i thjeshtë. Këtu, në dorezën e derdhur në metal me shkëlqim, lehtësisht shihet një simbolikë tipike për mjeshtrit shqiptarë, e përdorur shpesh prej tyre në zbukurimin e armëve – një zog që mban në sqep një gjarpër. Së fundi, më tej në dorezë shihet dukshëm një shqiponjë dykrerëshe (lindje-perëndim) – stema e Shqipërisë që i ka burimet nga stema e fisit të princit shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Këllëfi prej druri është i mbuluar me pllaka bronzi në sipërfaqe me ngjyrë argjendi. Dekori i millit është i mbingarkuar. Zbukurimet janë bërë me teknikën e gdhendjes nga brenda. Këtu ka gërshetim të dendur të degëve të ornamenteve floreale dhe gjeometrike, dhe pasqyrim tradicional të “Dragoit”. Dekori i anën së të pasme të millit pothuajse reflekton imazhin në anën e përparme. Gryka e millit është e zbukuruar me ornamente rrethore (floreale dhe gjeometrike). Ka plotësisht mundësi që jatagani të jetë prodhuar në fundshekullin XIX- fillimshekullin XX në qendrën ballkanike më të madhe të prodhimit të armëve të zbukuruars, Prizren. Në Shqipëri prej kohësh është ruajtur tradita për t’u dhuruar perandorëve, diplomatëve dhe njerëzve të nderuar armë të zbukuruara. Ka mundësi që edhe Kasatonovit t’i jetë bërë ky nder, thonë në muzeun e flotës ushtrake-detare të Shën-Petërburgut. Gjithsesi është hamendje.

RRETH BOTËS ME NËNDETËSE BËRTHAMORE

Ka pasur një rrugë të vështirë jete dhe karriere. Në historinë e flotës ruse, ndoshta, nuk mund të gjesh një tjetër admiral, i cili të ketë pasur përvojë komandimi të flotave të Bashkimit Sovjetik – Flotës së Tetë Balltikut, Flotës së Detit të Zi, Flotës së Detit të Veriut dhe Flotës së Paqësorit (si shef i shtabi). Admirali Kasatonov e mbylli karrierën si zëvendës-kryekomandant i parë i Forcave të Armatosura Detare të Bashkimit Sovjetik. Në vitin 1966, me cilësinë e kryekomandantit, mori pjesë në lundrimin e parë në historinë e flotës luftarake-detare rreth botës të nëndetëseve bërthamore, gjë për të cilën u nderua me titullin Hero i Bashkimit Sovjetik. Nga shtatori i vitit 1974 – Këshilltar-inspektor ushtarak i Grupit të Përgjithshëm të inspektorëve të ministrisë së mbrojtjes së BRSS.

Deputet i Sovjetit Suprem të BRSS. Periudha, kur admirali V.A. Kasatonov ishte komandant i flotës së Detit të Zi, në vitet 1955-1962, përkonte me acarimin e situatës në Lindjen e Mesme, ngjarjet ushtarake rreth kanalit të Suezit dhe në Hungari, rritjen e aktivitetit të SHBA-së dhe NATO-s në zonën e Mesdheut. Për të ruajtur konsipracionin, nëndetëset sovjetike dilnin në det nën flamurin shqiptar.

KURSANTI I VLORËS – ADMIRAL SUPERFUQIE

Me sa duket, gjatë një vizitë në Shqipëri Kasatonovit i janë dhuruar jataganët. Në vitin 1959, komandanti i flotës admirali Kasatonov ka bërë një vizitë të radhës në portin e Vlorës. Pas realizimit të detyrave të zjarrit në det të hapur, nëndetësja u kthye në bazë. Fill pas komandantit të flotës në mol erdhi një kursant i shkollës së lartë ushtarake, i cili quhej Igor Kasatonov. Atëherë askush nuk mund ta imagjinonte se pas 30 vjetësh nga kursant i shkollës ushtarake do të dilte një tjetër komandant i flotës së detit të Zi, dhe disi më vonë, një zëvendës-kryekomandant i parë i Forcave të Armatosura Detare të Bashkimit Sovjetik. Dhe në vitin 1998, zëvendës-kryekomandant i parë i flotës luftarake-detare Admirali Igor Vladimiroviç Kasatonov vizitoi Muzeun Qendror luftarak-detar në Shën Petërburg dhe dorëzoi për ruajtje të përjetshme jataganët e dhënë për kujtim në Shqipëri.

ENVER HOXHA: Kur Kasatonovi u zu si miu në dhokan.

“Erdhi pas tyre në Tiranë komandanti i flotës së Detit të Zi, admirali Kasatonov, me misionin që të rrëmbente jo vetëm 8 nëndetëset dhe bazën lundruese me ekuipazh sovjetik, të cilat edhe këto qenë pronë e shtetit shqiptar, por edhe nëndetëset që ne i kishim marrë në dorëzim më parë. I thamë këtij prerë: Ose do të na i dorëzoni nëndetëset sipas marrëveshjes, ose brenda një kohe të shkurtër (i caktuam afatin) të largoheni menjëherë nga gjiri, vetëm me anijet që shërbehen nga ekuipazhet tuaja. Ju po shkelni marrëveshjen, ju po na grabitni nëndetëset tona dhe do ta paguani këtë qëndrim.

Admirali u përpëlit, u përpoq të na zbuste, por më kot. Ai nuk i dorëzoi nëndetëset, por shkoi në Vlorë, hipi në nëndetësen-komandë dhe i rreshtoi të tjerat në formacion lufte. Ne dhamë urdhër të zihej ngushtica e Sazanit dhe të ngriheshin topat në drejtim të anijeve sovjetike. Admirali Kasatonov, që deshi të na trembte, u tmerrua. Ishte zënë si miu në dhokan dhe, po të tentonte të vinte në zbatim planin e tij, mund të gjendej në fund të detit. Në këto kushte admirali u detyrua të merrte vetëm nëndetëset me ekuipazh sovjetik dhe me bisht në shalë doli nga gjiri e u nis për andej nga kishte ardhur”.

Nga libri “Hrushovianët”

Dhuratë me “Matrosovë” shqiptarë

Në fotoalbumin në disa gjuhë të huaja për konsum ndërkombëtar, botuar në Tiranë, në vitin 1979, në 100-vjetorin e lindjes së Stalinit, janë dhe dy foto. Janë relike “Matrosovësh” shqiptarë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirmtare: Libri i “Historisë së PK të BS” shpuar nga plumbi gjatë luftës antifashiste gjetur në trupin e një dëshmori, dhe biografía e daktilografuar e Stalinit, e përshkruar nga plumbi, gjetur në gjoksin e guerilit shqiptar, Mustafa Asllani. Sipas shënimit, i janë dhuruar Josif Stalinit nga Enver Hoxha, në takimin e parë mes tyre, maj 1947. Po ashtu, Stalinit i është dhuruar një pistoletë e atentatorit Kajo Karafili. Enver Hoxha flet me ardhurim për Vojo Kushin që u vetësakrifikua, duke u hedhur mbi tank. Aleksandër Matrosovi (1924 -1943), hero i BS, ishte një këmbësor i thjeshtë, që u bë i famshëm gjatë Luftës II Botërore kur u vetësakrifikua, duke i vënë gjoksin një bunkeri gjerman.

Përgatiti: Albert Vataj

SHKARKO APP