“Kreditorët”, pas rikthimit për publikun e kryeqytetit nis rrugëtimin në rrethe
Shfaqja teatrore “Kreditorët”, vepër e August Strindberg me regji nga Luli Hoxha, do të rishfaqet sërish sonte dhe nesër për publikun në skenën e “arTurbina”.
Pak orë para shfaqjes, aktori Laert Vasili në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se, ”vepra ”Kreditorët” e August Strindberg është shkruar 130 vite më parë dhe përzgjedhja e kësaj vepre nga regjisorja Luli Hoxha është e guximshme pasi është aktuale dhe sot sepse flet mbi figurën e gruas”.
”Kjo shfaqje vjen si bashkëpunim i Teatrit Kombëtar me ministrinë e Kulturës dhe për herë të parë ne si aktorë, pas një kalvari vuajtjesh që kemi pasur në skenën e vjetër të Teatrit Kombëtar, në skenën e ”arTurbinës” ndihemi njerëz. Kjo pasi kushtet teknike, ngrohja dhe salla janë në kushte shumë të mira”, tha Vasili.
”Publiku na ka treguar me pjesëmarrjen e tij që i dëshiron këto projekte artistike. Shfaqja rivjen për publikun në skenën e ”ArTurbinës” më datat 26 dhe 27 janar ora 19:00 dhe më pas kjo shfaqje do udhëtojë në teatrot e rretheve si në Elbasan, Durrës, Korçë etj”, u shpreh aktori Laert Vasili.
Projekti tjetër i ardhshëm i aktorit Laert Vasili është ”Ëngjëjt në Amerikë”, një vepër nga Toni Kushner e cila vjen në regjinë e Arben Kumbaros dhe pritet të vihet në skenë për publikun në muajin prill.
Vepra e Strindberg vjen sonte për publikun nga aktorët: Helidon Fino, Luli Hoxha, Laert Vasili dhe Tringa Shala. Me regji nga Luli Hoxha, një nga kryeveprat e autorit të madh skandinav hedh dritë mbi marrëdhëniet bashkëshortore.
Krisja e marrëdhënieve bashkëshortore vjen si ngërç, që zbërthehet brenda 90 minutave në një skenë teatri. “Kreditorët”, është një shfaqje që trondit mekanizmin e njeriut të sotëm, grushton brenda shpirtit bosh të njeriut bosh. Përbindëshat konsumues do të përballen me pangopësinë si kurth i fajit të tyre. Bota si portokall do t’u kujtojë atyre karmën që nuk vonon për të marrë atë që ka dhënë.
Strindberg e shkroi këtë pjesë më tepër se një shekull më parë dhe triumfon frikshëm njësoj në të sotmen dhe në të pandryshueshmen./m.m/ – atsh/