Kritikë për romanin “Viti i elefantit” të autorit Brajan Sukaj: Mënyra absolute e vështrimit

Dr. DURIM ÇAÇA-

Lexim i ‘Viti i elefantit”, roman historik nga Brajan Sukaj

1. Koha e historisë, e këtij miti të fortë, është dhe koha e romanit. Por karakteri përrrallor, energjia mitike e ngjarjes dhe rrëfimit, duket se po humbin gjthnjë e më shumë në artin e sotëm të letraritetit, prej logjikës demonstrative të performancës, në emër të ngulitjes së historisë si formë e dukshme “objektive”, në dëm të miteve që e përshkonin thellësisht tronditshëm. Por ndodh që rikthehet herë pas here ky shpirt historik kumti, ky vrundullim mitik, si në romanin e ri “Viti i elefantit”, (Ombra GVG, Tiranë, 2020), të prozatorit të talentuar, Brajan Sukaj. Ku forcat e padukshme dhe fuqitë e së ardhmes, kjo narrativë sugjestive, i bën të jenë aty tashmë, përmes protagonistëve të saj rrëfimorë që, nëpërmjet ngulmimit të tyre dhe për shkak të pranisë së tyre në vetë çastin kur riparaqitin makthin, gjymtimin, rënien, dështimin, apo idealin, humanitetin, aspirimin për zhvillim shoqëror, i japin jetës një fuqi të re, skajshmërisht, të drejtpërdrejtë.
2. Dhe, është mbresëlënëse të shikosh se si një autor shqiptar, shkon kaq larg në kohë, hapësirë, gjuhë, kulturë, traditë etnike, siç është ajo e jetës së mbyllur klanore pagane, në antikitetin e popujve fisnorë të Arabisë. Por ndryshe nga shkrimtarë të njohur bashkëkohorë, që jepen pas fantazisë e mistikës së beduinëve të shkretëtirës më të shkretë në botë, të Rub al Khalit, të Gadishullit Arabik, apo pas 7 poezive të famshme arabe paraislamike, (si braziliani Alberto Mussa, “Enigma e Qaf-it”, etj.), romancieri ynë i ri, vë në qendër të veprës së tij, dramën e flijimit, në Mekën paraprofetike, në emër të një besimi të vrarë prej idhujsh e fetishesh.
3. Endjen e romanit në fjalë e përbën konflikti i thellë i brendshëm vetjak i protagonistit kryesor Abdulmutalibit, me ankthin e tij të premtimit absurd që e mban peng (të flijimit të djalit të vet) dhe të dilemës e mosbesimit në idhujtarinë politeiste, Konflikt që shndërrohet më pas në familjar, atë e bir, mes tij dhe djalit të vogël, Abdullahut si dhe mes vëllazërisë, (Abdullahut, dhe vëllait të madh, Harithit), që zgjerohet më tej, si konflikt fisnor publik, mes familjes së Abdulmutalibit dhe fisit të tij të Kurejshëve. Gjer në konfliktin e gjerë të jashtëm, mes fiseve pagane idhujtare të Mekës e popullsive arabe beduine të shkretëtirës, me ushtrinë e krishterë pushtuese etiopiane që vjen nga Jemeni, Dhe ku, në këtë kontekst, personazhet familjarë në fjalë, (Abdulmutalibi, Abdullahu, Harithi – vëllavrasës), janë protagonistë të një alegorie, të një shpërfaqjeje, se si besimet ndikojnë jetën, përmes situatave. Dhe situatat janë gjithëherë reale, sepse shkëputen nga e njëjta cohë e ekzistencës jetësore, në kohëzgjatjen e pritjeve dhe besimeve,- “në një vend tipikisht të zakonshëm, ku shpërfaqet pritja, gjithëherë identike dhe shpresa e ndryshimit dhe ku tundimi i ofruar e oguri i shkatërrimit, formësojnë kuadrin, brenda të cilit individët hedhin në short, dinjitetin e vet”, (Zhak Rankie).
4. ”Viti i elefantit” paraqitet si fiksion i vitit të parë të kalendarit të ri fisnor të banorëve mekas të idhujtarisë, kur qyteti i tyre shpëtoi, në shekullin e 6-të të erës së re, nga pushtimi i ushtrisë së krishtere të Ebreheut, sundimtarit-mëkëmbës të Jemenit, (të mbretit etiopias, Negus-it, të fuqizuar prej mbështetjes së Perandorisë së krishterë Bizantine të kësaj kohe dhe që, pas pushtimit të Jemenit, Negus-i kërkonte të fuste nën sundimin e tij të gjithë gadishullin e Arabisë). Ushtria e madhe, në fjalë, që ishte pajisur dhe me elefantë, të sjellë nga Afrika, të cilët do të shkatërronin plotësisht e do të kthenin në rrënojë, Mekën dhe faltoren e saj të lashtë të Ka’bas, (Qabes). Në të vërtetë, viti i elefantit, është viti 569 të erës sonë, sipas biografive të shumta për Profetin Muhamed, mes të cilëve dhe ajo e autorit Martin Lings, “Muhamedi, jeta e tij sipas burimeve më të hershme”, (Roçester, Inner Traditions Internacional, Ltd,1983 dhe, në shqip, Logos –A, Shkup, 2011), një prej jetëshkrimeve autoritare e dinjitoze, kushtuar personalitetit hyjnor profetik dhe veprës së tij shoqërore të jashtëzakonshme, shkruar me një ajth të frymëzuar, siç i shkon aq shumë për shtat, argumentit të shenjtë, jetëshkrimit të një profeti. Një biografi historike nga ku është inspiruar dhe ka marrë shtysën, në gjykimin tonë, dhe prej së cilës ka letrarizuar një pjesë episodesh, për rrëfimin e tij artistik, autori ynë. Kështu, shumë ndodhi dhe detaje të romanit, shpërfaqen njëjtësisht, si në veprën e biografit në fjalë, (por, me pikëtakime dhe me biografë të tjerë të Muhamedit, paqja qoftë mbi të, si: Muhammed Hamidullah, Mustafa Islamogllu, Vehbi Sulejman Gavoçi, Osman Nuri Haxhiq, Fetullah Gylen, “Dritë e pashuar, Profeti Muhamed”, Prizmi, Tiranë, 2015), etj.. Kështu, bie fjala, Abdulmutalibi, kurejsh hashimit, kujdestari i Shtëpisë së Shenjtë të Qabes, që rizbulon burimin e lashtë të Zemzenit, në pusin që hap në shkretëtirë, rrëzë mureve të Mekës, me djalin e tij të madh, Harithin, premtimi i tij për të flijuar djalin e vet, dashuria e tij më e madhe atërore, pikërisht, pë djalin e dhjetë, Abdullahun, për të cilin ka bërë betimin ta sakrifikojë, rrethimi i Mekës prej mëkëmbësit-sundimtar abisinas, (në roman, etiopias), të Jemenit, Ebreheut, me ushtrinë e madhe të krishterë, në ballë të së cilës është një elefant, (në roman, 8 elefantë) që do të shkatërrojë Mekën, por që elefanti gjunjëzohet para saj dhe, sado që e goditin me kamxhikë, nuk lëviz në drejtim të qytetit të Ka’bas së shenjtëruar, gjersa ushtria e shpartalluar, prej zogjve alabilë që errësojnë qiellin dhe sulmojnë me gurë, në sqepat e kthetrat e tyre, kthehet mbrapsht, pa mundur të hyjë në Mekën e faltores së Zotit të parë abrahamik. Zotit, të cilit ka filluar t’i falet, në të vërtetë, fshehtas, Abdulmutalibi, dhe jo si të tjerët, që i falen idhullit kryesor moabit të Hubelit dhe 365 idhujve të tjerë të të gjithë fiseve pagane arabe të Gadishullit Arabik, që kishin mbushur Qaben e shekullit të 6-të të erës së re. Episode dhe detaje të dhëna me ndryshime, natyrisht, sipas synimeve ideacionale estetike të krijuesit letrar. Kështu, Abdulmutalibi, tek Lings-i, shkon në Jatrib, tek një grua e urtë shpirtërore për t’u këshilluar, për flijimin e djalit, e cila i thotë që të zëvendësonte shpagimin e gjakut të të birit, me deve’, duke filluar shortin e hedhjes së shigjetës, me dhjetë deve, të vendosura përballë djalit, Abdullahut, (që duhet të flijohet, sipas premtimit të dhënë) dhe duke shtuar nga dhjetë deve të tjera, deri kur shigjeta të bjerë ne anën e deveve, short që shkon në njëqind deve, të cilat bëhen fli si kurban, për t’u shlyer gjaku, sakrifia e premtimit dhe për t’u mbajtur në jetë Abdullahu. Ndërsa në roman, Abdulmutalibi shkon në Jatrib, qyteti i vjetër i Medines së mëvonëshme, tek një murg i krishterë. Ndërkohë që episodi me murgun Behira, (tek Lings) ndodh me njërin prej djemve të Abdulmutalibit, pas vdekjes së tij, me Ebu Talibin që, në udhëtimet e tij tregtare, merrte herë pas here dhe nipin jetim, Muhamedin, 12 vjeç, djalin e të vëllait të tij, Abdullahut, i cili u martua me Eminen, të bijën e Vahbi-ut, prijësit kurejsh të klanit Zuhrah dhe vdiq në moshë të re, në vitin e parë të martesës, nga një sëmundje e rëndë, në Jatrib, gjatë kthimit për në Mekë, prej një udhëtimi tregtie në Palestinë e Siri. Duke lënë shtatzënë të shoqen, e cila lindi në vitin 570, një vit pas “vitit të elefantit”, djalin jetim të tij, Muhamedin, Profetin e ardhshëm të Islamit. Dhe që, tek i cili, murgu dallon, mes tregtarëve të karvanit, te ky fëmijë, bariu i vogël e i varfër i dhenve, në skërkat e gurishtet e kodrave rreth Mekës, shenjat profetike. Ndërkohë që në roman, Abdullahu reformator i ripërtëritjes së besimit të parë monoteist, pararendës i idealit profetik, vritet nga vëllai i madh, Harithi, mbrojtës i idhujtarisë pagane, Shpërfaqet kështu, zotësia e shkrimtarit të ri, që shkëput individulitetin njerëzor të Abdullahut, nga përkatësia e tij e së dhënës biografike- historike, për ta shndërruar në një personazh-protagonist të fuqishëm të veprimit fiksional të një vepre artistike. Po kështu, episode të tillë, si përdhosja me urinim e katedrales së madhe të Jemenit, tërbimi i sundimtarit –mëkëmbës, Ebreheut dhe nisja e tij, me 7 mijë ushtarë dhe elefantin, (elefantët) në krye, për të fshirë nga faqja e dheut Mekën, ndërmjetësimi i Abdulmutalibit tek ai për të ruajtur jetën e banorëve të Mekës së rrethuar dhe për të marrë dhjetë devetë e tij, që ia kishin rrëmbyer ushtarët, (në roman, devenë e vetme që kishte), debatet e krerëve të fiseve në Këshillin e qytetit të Mekës, mes besimtarëve të idhujve e fetisheve dhe atyre që kërkonin besimin e lashtë të ripërtërirë të Zotit të vetëm abrahamik, etj., janë paraqitur, përgjithësisht, në prozën romanore që po shqyrtojmë, si tek të dhënat jetëshkrimore të Martin Lings-it dhe të biografëve të tjerë që përmendëm më sipër. Por episodet me elefantin , me sulmin e zogjve mbi ushtrinë e Ebreheut, në veprën në fjalë, jepen shkaras, për të mënjanuar përmasën e tyre mistike, duke ruajtur elementët mitikë, aq të domosdoshëm, të një epike narrative artistike. Dhe, ky “Vit i elefantit”, si një vit i parë i një epoke të re, për fiset mekase, shpërfaqet si një pararendje e Vitit të parë Hixhri, të kalendarit të ri kohor të Islamit, të Kalifatit Arab, shtetit të sapokrijuar, mes luftrash të përgjakshme, me të cilin nis një qytetërim i ri botëror, ai i kulturës së re dhe besimit të ri monoteist islamik.
5. Vepra letrare që po shqyrtojmë, paraqitet si një roman historik për antikitetin fisnor paraislamik të Gadishullit Arabik. “Ngaqë historia ka qenë gjithëherë një mit i fuqishëm, ndoshta, miti i fundit i madh, bashkë me të pavetdijëshmen, një mit që nënkupton njëherësh mundësinë e rrjedhës objektive të ngjarjeve dhe shkaqeve, si dhe mundësinë e ndërlidhjes narrative të kumtit”, (Zhan Bodriar). Duke u projektuar kështu, “Viti i elefantit”, si një paralele, mes premtimit të flijimit, në emër të Zotit të vet të vetëm, nga patriarku i parë i besimit monoteist, Abrahamit, (Ibrahimit, për arabët), të birit të tij, Isakut, që kishte me të shoqen, Sarën, (pasardhës të të cilit e mbajnë veten hebrejtë); apo të sakrifikimit të djalit të tij, që kishte me shërbëtoren e së shoqes, skllaven egjiptiane, Haxhire, të Ismaelit, por që Perëndia e zëvendësoi me një dash, nga ku nisi dhe rituali i mëvonshëm i kurbanit, me bagëti, (pasardhës të të cilit e mbajnë veten arabët, si ismailitë). Dhe, në anën tjetër, premtimit të flijimit, të djalit të vet të dhjetë, të një idhujtari pagan mekas, Abdulmutalibit, pa patur këtë besim të lartë hyjnor. Pikërisht, madhështia e premtimit të parë për sakrificën sublime, në emër të fuqisë së besimit, përballë absurditetit të premtimit të dytë të flijimit, për ujin e pusit, krijojnë vegullinë e vuajtshme, të fajësisë së këtij premtimi të pamend të një çasti dhe të mosmbajtjes së tij si dhe sfilitjen shpirtërore të protagonistit, që dyshon në vlerën e besimit të idhujve, për të merituar një sakrificë të tillë të jashtëzakonshme, por që nuk ka kurajon të ngrihet përmbi prapambetjen primitive barbare fisnore, (siç do të guxojë djali i tij i vogël, i premtimit për flijim, Abdullahu), vegulli dhe sfilitje 25-vjeçare të Abdulmutalibit, që krijojnë dhe intensën ideacionale të kësaj narrative letrare.
6. Përpjekjet e Abdullahut, deri në martirizim, për të kthyer familjen dhe fisin e tij idhujtar, në traditën e lashtë abrahamike të besimit shpirtëror hyjnor, (si hebrejtë e kulturuar, me shoqërinë e tyre të organizuar e të emancipuar shtetërore, që ndjekin zhvillimin e botës, me udhëtimet e tyre tregtare anë e kënd), përpjekje të cilat përfundojnë tragjikisht, janë një pararendje e përlasjeve të mëpasme të Profetit Muhamed dhe e luftës së tij me fisin e vet të Kurejshëve, ideal të cilin ai e realizon nëpërmjet shpalljes hyjnore kuranore. “Ngaqë gjithçka që përbën pjesën më të lartë të jetës njerëzore, çdo përpjekje mendimi, çdo përpjekje dashurie, çdo përpjekje dileme e dyshimi, janë gërryese për rendin e një shoqërie”,(Simone Veil), aq më tepër në rastin tonë, për rendin e një fisi të prapambetur shkretëtire.
7. Në këtë relatim tonë letrar, për veprën në fjalë, vëmë në pah fuqinë dhe hijeshinë ligjërimore gjuhësore të Sukajt, elokuencën e narrativës së tij artistike erudite, me të cilën krijon një afresk të gjallë të jetës së mbyllur mendimore, popullore, zakonore- fisnore, familjare e shoqërore të prapambetur arabe të shekujve të parë të erës së re, krahasuar me popujt e kulturuar të kohës, me shoqëri të organizuara të tyre në forma shtetërore dhe te zhvilluara si komunitete shoqërore. Ndieshmëri dhe gjallëshmëri që jepet dhe plazmohet përmes arkaizmave, barbarizmave, historicizmave të arabishtes së hershme, (Kur u kthye Abdullahu, pa që i zoti i tij kishte shtruar një jamulli në tokë”,,,etj.) dhe stilizimit të orientalizmave në përgjithësi, (si, bie fjala, për të përmendur një shembull, leksemën persiane-arabe: llaf, llafi, llafe, në kuptimin e turqizmës, muhabet dhe të shqipes, fjalosje, bisedë, etj.), ndërthurur me fjalën e vjetër e të rrallë shqipe, (“Zjarr! Zjarr!- bërtisnin. Gra, pleq, fëmijë, të murrëtyer, nxorën kova, bagraçë, shtamba, gërçakë, gërxhare, musllukë. I mbushnin tek burimi dhe i zbraznin tek shtëpia në flakë…” etj.), sjellë me një vitalitet të ri shprehës dhe me një amëz, (shije) kumti, në kohën tonë të deformimit e tjetërsimit gjuhësor me slangje elektronike, “ku hiper-komunikimi aktual i zë frymën gjuhës dhe ku, në rrjetën dixhitale, të banuar prej egos, ka humbur çdo shpërqëndrim tronditës, teksa rrotullohemi brenda këtij rendi dixhital, po në hapësirën numërore të së Njëjtës”, (Bjung-Çul Han).
8. “…Në horizont, i përpirë nga një tis i kuqërremtë i cili kishte mbuluar krenajën e mprehtë si majë bizhute, në njërën anë, dhe të kreshpëruar, në anën tjetër, u shfaq profili i rëndë i malit Uhud…Në rrugët e Jatribit, shihej gjallëria e vakët e një dite të rëndomtë. Burrat lëviznin me grupe, nga dy-tri syresh dhe, nga rrobat, çallmat, prerja e mjekrës, dhe të dhëmbëve të latuar në formë trekëndshi, dalloheshin në ishin çifutë apo arabë; këta të fundit ndaheshin në dy fise të mëdha, atij të Banu Evs dhe Banu Hazraxh, të përçarë nga një hasmëri tashmë pesëdhjetëvjeçare…Abdulmutalibi lidhi kalin në një tra dhe u kërbunj poshtë avllisë së një shtëpie përdhese…Në mbrëmje u shtruan për darkë për të ngrënë kabza, oriz të gatuar me shafran, rrush të tharë dhe mish qengji dhe për të pirë arak, një pije alkolike e përftuar nga fermentimi i hurmave…-Nëse Himyari bie, Negusi nuk do të kënaqet me kaq, -tha Abdulmutalibi.- Çfarë do të bëjë, sipas teje,-iu përgjigj njëri nga burrat e fisit të nënës,-do të vijë të na pushtojë?! Ne jemi toka të shkreta, të paorganizuara , pa asnjë lloj rëndësie strategjike dhe, më e keqja, ne jemi akoma të ndarë në fise, këtu nuk ka shtet. Fisi më i fortë përcakton se ç’është e mira dhe ç’është e keqja. Me thënë të drejtën, habitem se si kemi jetuar kaq gjatë kështu, që në kohën e Ismaelit, tre mijë e gjashtëqind vjet,- tha dhe fishkëlleu. – E di sepse?- iu kthye Abdulmutalibi, sepse jemi një popull që nuk e duam shtetin… Të gjithë kanë një bindje, një ideal, një fe. Ne nuk kemi asnjërën nga këto…Mbase jemi kështu, sepse kemi harruar atë që kemi qenë…
…Murgu e pa i vrejtur dhe fytyra i ndërroi ngjyrë. -Mendon vërtet se do të këshilloja që të flijoje fëmijën tënd? Ty?! Nuk kanë ngelur më etër aq të guximshëm, sa të sakrifikonin bijtë e tyre pa iu dridhur qerpiku.- Abrahami, paraardhësi im, për pak sa nuk e flijoi birin e tij, -iu përgjigj Abdulmutalibi. –Po, për pak sa nuk e flijoi, mirë e the. Por nuk e bëri, ama. Ai ishte nisur ta flijonte për atë që besonte, – tha murgu, duke ngritur zërin, por ti, ti, për kë do e flijosh?- Nuk e di,- tha Abdulmutalibi, duke tundur kokën i turbulluar…
…Muaji hanin kishte mbërthyer Mekën me një zymtësi grymëse…Mjeku u ngrit, mbërtheu tallaganin dhe i tha Abdulmutalibit, t’i jepte Lubnës, (njërës prej grave të tij, të sëmurë për vdekje), për të ngrënë mjaltë dhe, nëse temperature nuk i binte, duhej t’i jepte për të pirë urinë deveje…Abdulmutalibi shkëmbeu një çerek thesi elb me një kavanoz me mjaltin më të mirë në qytetin e Mekës. –Nuk po përmirësohet, -tha të nesërmen njëri nga djemtë. Dhe shkoi në shitore. , pwr tw blerw urinw. Në fakt, kishte shitore që nuk shisnin gjë tjetër, veçse urinë deveje sepse, përveç mjekësisë, përdorej për të ngjyer flokët, si dezinfektues apo si fertilizues në bujqësi.
…-Nganjëherë mendoj që është më mirë të vdesësh pa i kuptuar gjërat se sa t’i kuptosh dhe të durosh demonët e të vërtetave.-tha Abdulmutalibi. – Prandaj jemi katandisur kështu. Ti, dhe gjithë ky popull, ku unë dhe ti, bëjmë pjesë. Nuk dëshironi t’i kuptoni gjërat dhe asnjëherë nuk keni dashur. Mbyllni veshët dhe sytë dhe jetoni në këtë skëterrë mijëravjeçare! E di përse vjen kjo? Frymëmarrjet e babait të tij po bëheshin gjithnjë e më të çrregullta. -Vjen ngaqë keni frikë! Ti ke frikë!- bërtiti Abdullahu duke drejtuar gishtin tregues nëpër errësirë. Në këtë çast dy duar e mbërthyen nga jaka e tallaganit dhe e tërhoqën.- Po, kam frikë, e di. Gjithmonë kam patur. Çdo natë…-ia ktheu, me zë të vrarë Abdulmutalibi. -The që ke kaluar një jetë mes frikës, por nuk e di se si do të ndiheshe, po të kaloje një jetë mes gënjeshtrës. Të vinte një ditë kur do të mësoje që, njeriu që ke dashur më shumë në botë, ka dashur të të bëjë kurban dhe, për çfarë, për një copë gur pa frymë e pa jetë…-Nuk ka burim më të madh vuajtjesh, se e vërteta, – tha zwprerw Abdulmutalibi…”.
9. Romani ka si lejtmotiv flijimin birëror dhe konstruktohet si një paralelizëm i kuptimit të tij, si sakrificë e madhërishme njerëzore, në emër të një idealiteti të lartë shpirtëror, – të premtuar prej patriarkut të lashtë, profetit të parë të monoteizmit, si shprehje dhe fuqi e pathyeshme besimi, ndaj një Zoti të vetëm hyjnor dhe, në anën tjetër, të flijimit të premtuar, nga një banor i Mekës idhujtare, nëse do të nxirrte ujë, pusi që po gërmonte në shkretëtirë.
10. Duke qenë se lëvizjet e dukshme të jashtme, të aktorëve semiotikë, (personazheve veprues të nivelit diskursiv), iu nënshtrohen forcave të brendshme të padukshme të aktantëve, (shtytësve apo nxitësve të veprimit, si shenjime me rëndësi të ligjërimit fiksional e ku marrin vlerë dhe kategori abstrakte, si: dashuria, urrejtja, përmallimi, dhembja, përçmimi, përbuzja, admirimi, adhurimi, etj. të përcaktuara nga pozicioni dhe investimi modal dhe që realizojnë nivelin narrativ, në boshtin aksiologjik të veprës), mund të ngjitemi nga lëvizjet, deri te këto forca të fshehta të së vetëdijshmes e të së pavetëdijshmes. Ku, forcat e para të padukshme, janë ato të izolimit, (Abdulmutalibi, me veçimin, ankthin, mbylljen në vetvete, mungesën e komunikimit, (me familjen, me fisin e tij bestyt, me komunitetin, etj.), komunikim për të cilin duhet të udhëtojë nëpër shkretëtirën përvëluese, një muaj tw twrw, nga Meka, në Jatrib, (qyteti i mëvonshëm i Medinës së shenjtë), për të folur me një murg, si e vetmja shpresë e çlirimit dhe qetësimit të tij, nga faji i premtimit dhe faji i mosmbajtjes së tij), etj.. Të dytat, janë forcat e shformimit, (dilema e Abdulmutalibit në besimin politeist të idhujtarisë, revolta dhe përçmimi ndaj traditave të vjetëruara e çnjerëzore fisnore, -romani nis, pikërisht, me groposjen gjallë, prej tij, të foshnjes së porsalidur vajzë, sytë e shkëlqimtë të së cilës, edhe pasi i ka mbuluar me rërën e kuqe të nxehtë, të shkretëtirtë, e ndjekin nga pas; heqjen nga ana e tij, prej prindi, të së drejtës së favoreve të djalit të parë, Harithit, duke ia dhënë këtë të drejtë, djalit më të vogël, Abdullahut, të cilin, sipas premtimit, duhej ta flijonte, por që, përkundrazi, ndoshta pikërisht për këtë, si një rebelim, ndaj moralit mizor fisnor, e do më shumë se nëntë djemtë e tjerë, duke i dhënë dhe nderin e shërbimit të shenjtë të ujit, për njerëzit e pelegrinazhit idhujtar, që vinin në faltoren e lashtë, (ndërtuar prej patriarkut të parë, Abrahamit, në përkujtim të flijimit të qengjit, që zëvendësoi flijimin e njërit prej bijve të tij), nder që i takonte familjes së tij Kurejshe, të degës Hashimite, si pasardhës të Hashimit, organizatorit të parë të pelegranazhit të shenjtë në Ka’ban mijëravjeçare; apo të së drejtës së djalit të madh, për ta zëvendësuar si kreu i familjes, pas vdekjes së tij, etj., veprime, këto, që binin ndesh me normat arkaike fisnore. Forcat e shformimit, shpërfaqen tek Sheybja, (emri i tij i vërtetë, ndërkohë që Abdulmutalib, është nofka me të cilën e thërrasin të afëmit e tij e që tek arabët është më i gjatë se emri i lindjes), edhe me ikjen e tij, për të marrë devenë e vet, në kampin armik të ushtrisë së krishterë të Ebreheut, që ka rrethuar Mekën, për ta pushtuar me mijëra trupa luftarake e për ta shkatërruar me elefantët, të sjellë nga Afrika. Kopti egjiptian Ebrehe ka ndërtuar kishën e madhe, (sipas modelit të katedrales që ka parë në Kostandinapojë), në Sana, kryeqytetin e Jemenit dhe, pasi të rrënojë Mekën me Ka’ban e saj të famshme, do të drejtojë të gjithë pelegrinazhin e popujve të shkretëtirës së Gadishullit Arabik, nga faltorja e lashtë, tek kisha e sapondërtuar madhështore, për të siguruar për pushtetin e vet, fitimet e mëdha financiare që vinin prej pelegrinëve të shumtë idhujtarë, gjatë ditëve të pelegrinazhit shpirtëror, fitime këto që i merrnin krerët e fiseve mekase. Dhe ku Abdulmutalibi shpreh përçmimin për popullin e vet të Mekës i cili, në vend që të përgatitet për luftë kundër rrethimit të pushtuesit që, në çdo çast, mund të bëjë plojën e tmerrshme, shpreson të shpëtojë prej mëshirës së armikut; po ashtu, në neverinë e tij për djalin e parë, mbrojtës të besimit idhujtar, që vret vëllanë e vet të vogël, vetëm se guxoi të përbuzë statujat e shëmtuara e qesharake të idhujve dhe fetisheve, në emër të besimit të parë të lashtë hyjnor. Dhe, forcat e treta të padukshme, janë ato të shpërndarjes, që mishërohen përmes Abdullahut, idealizmit të tij shpirtëror dhe pasionit heroik për të ndryshuar një botë të mbyllur shkretëtire, në emër të një morali të ri. Forca, këto, të pashterrshme, me energji të jashtëzakonshme, që arrijmë t’i kapim njëherësh, përmes triptikut narrativ, (dilemë-guxim-kundër’reagim): si forcë e bashkimit të së tërës, që i përket dritës, (Abdulmutalibi me dyshimin në besimin idhujtar, por pa kurajon dhe guximin për t’iu kundërvënë, traditës shekullore primitive barbare fisnore, Abdullahu besimplotë në kuptimin e lartë të frymëzimit të tij monoteist dhe Harithit, mbrojtës i idhujve, i ekzekutuar prej fisit të vet që po nis të aspirojë për idenë e re). Por, po ashtu, dhe një forcë të ndarjes, (të kryeprotagonistit, me dramën e tij të fshehtë shpirtërore, ku kalojnë vetëtima të vetëdijësimit, të protestës së brendshme ndaj një morali të prapambetur, që e bën të shkëputet prej djalit të parë dhe prej përkatësisë klanore), por është një ndarje e ndritshme, në pjesën e dytë të veprës, që nuk ngatërrohet me izolimin e mëparshëm e të udhëtimit të tij të gjatë, me makthin e traditës arkaike, në pjesën e parë të romanit, (nëse do ta perceptonim vetë këtë strukturë formale, që nuk paraqitet në tekstualitetin e vëllimshëm në fjalë, por që fare lehtë konceptohet si konstrukt leximi). Ndriçim që shpërfaqet më tej prej energjizmit të Abdullahut, idealitetit të tij të lartë kurajoz e dinjitoz. A nuk është vallë kjo, Jeta, Koha që bëhen të ndijueshme, të dukshme? Sepse “forca e kohës që ndryshon e që është pjesë e shformimit dhe, njëherësh, forca e kohës së përjetshme, përjetësia e kohës, nëpërmjet këtij Bashkim-Ndarjeje, si një dritë e kulluar”, (Zhil Deliz), shpërfaq zhvillimin, emancipimin, lirinë, mendimin, guximin dhe adhurimin e lartë të një shpirtërimi titanik.
11. Vepra që po kundrojmë, shpërfaq një nivel të ri të pjekurisë së letërsisë shqipe, e cila mund të universalizojë çdo temë, çdo subjekt, çdo histori të çdo populli e çdo vendi, si një fat njerëzor, si një fat njerëzish, popujsh e njerëzimi, konstruktuar përmes një idealizmi dhe sakrifice sublime.
12. Ndërkohë, në letraritetin e historisë fiksionale që po shqyrtojmë, vihen re, aty-këtu, dhe mangësi e ndonjë pasaktësi e lehtë, si: teprimi me hollësi të panevojshme, (të tipit: Pasi u përcaktua vendi ku do të merreshin blloqet e gurëve, u shënuan vija vertikale e horizontale, duke vizatuar mbi shkëmbinj, katrorë të drejtë të një madhësie. Në pikat e takimit të vijave të hequra në shkëmbinj, u hapën bira të vogla, të cilat u mbushën me kunja druri, etj.); shpjegime të përsëritura që ndërpresin rrjedhën ligjërimore, (të tipit: Mizerja është e thellë, skamja është e madhe dhe toka e shkretë, mbi të cilën qëndrojnë, nuk i ndihmon. Në këto kushte, parime të tilla si: nderi, burrëria, fisnikëria apo drejtësia, errësohen nga perdja e errët e mbijetesës, etj.); faktime historike pa lidhje me veprimin rrëfimor, (të tipit: Perandoria Romake e Perëndimit kishte afro një shekull që kishte rënë, ndërsa Perandoria e Lindjes u tregua një shtet shumë më i konsoliduar e i organizuar, etj.)); gjithashtu, lufta midis etiopianëve të Aksumit, (emri i vjetër i Jemenit) dhe çifutëve, (komunitetit të madh hebre të Himyarit, kryeqytetit të vjetër të Jemenit, që zëvendësohet me kryeqytetin e ri të Sana-s, pas pushtimit të tij, prej Negus-it, mbretit të Etiopisë), del pa lidhje, në boshtin aksiologjik të veprës; mungesa e një korrektimi teknik gjuhësor të drejtshkrimit e pikësimit, në standardin e njësuar kulturor të shqipes sonë të sotme; episodi që del pa sens, i varrosjes të gjallë, prej Abdulmutalibit, të fëmijës së tij, foshnje e porsalindur vajzë, ndërkohë që ai ka në shtëpi, përveç 10 djemve, edhe 4 vajza, (sipas Lings-it, 5 vajza, vetëm me nënën e Abdullait, Fatimen, -Fatmën, në roman), që rrinë në dhomën e tyre; një lloj narrative, në ndonjë pjesë të romanit, si e një përralle realiste folklorike, (“ai më i vogli, ai më i miri i vëllëzërve”), një lloj përrallosjeje, në peripecitë, (aventurat, mundimet), nëpër shkretëtirë, të Abdullahut, 16-vjeçar, pas arratisjes prej familjes, (kafshimi prej nepërkës, mjekimi prej një beduini dhe shitja prej tij, e djalit të ri, si skllav, tek një tregtar, blerja, më pas e tij, prej një pronari, për punë krahu, djegia e pronarit, me djegjen e shtëpisë, të punuarit për mbijetesë tek një pronar tjetër dhe shpëtimi nga tharja e palmave të pronarit në fjalë, ikja me një karvan tregtarësh hebrej, që plaçkiten e vriten nga banditët e shkretëtirës, kthimi pas 7 muajsh në Mekë, në shtëpi dhe tronditja, kur nuk gjen nënën, që ishte zhdukur në shkretëtirë, në kërkim të tij, etj. etj.
13. “Viti i elefantit” shpërfaq si një pararendje, jo vetëm në kontekstin e domosdoshmërisë, për popullin e degraduar idhujtar mekas, por dhe përmes ravijëzimeve të haditheve (“Një burrë që do të lindi kohë më vonë, do të thoshte se fjala, pa dalë nga goja jote, është skllavi yt, kur del, bëhesh ti, skllavi i saj”, etj.) si dhe domethënieve tekstuale (“Para syve, Abdullahut, i doli si një shajni, qyteti i tij i lindjes, i Mekës, Ndodhej aty, i rrethuar nga njerëzit e vet. Ishin të harbuar, të zemëruar. E shanin me fjalët më të ndyra, e mallkonin, e pështynin në fytyrë, i gjuanin me çfarë të kishin në dorë, e tallnin, e nëpërkëmbnin, e përçmonin, e rrihnin, sikur të ishte një kriminel, e lidhnin këmbë e duar dhe e godisnin me kamxhikë…dhe ai përgjigjej vetëm me buzëqeshjen e një njeriu që nuk është penduar fare për atë që ka bërë”), si një pararendje e persekutimit të Profetit të ardhshëm etj.), – shpërfaq imazhin dhe figurën vegimtare të Muhamedit, profetit të ri, në ardhje, të besimit të ri Islam, të popullit semit arab, ashtu siç kishte ardhur tek populli tjetër semit, ai hebre, kohë më parë, popuj me prejardhje të përbashkët, si pasardhës të bijve të Semit, të birit të Noes, (Nuhut) e që ishte vendosur, pas përmbytjes së madhe, në portin vullkanik të Adenit, në Jemen, në jug të gadishullit të Arabisë.
14. Teknika realiste e rrëfimit linear klasik, pa linjë të dytë e të tretë të syzhetit fabulor, pa maniera postmoderniste copëzimesh e shpërbërjesh të diskursit subjektor, të psikologjisë karakteriale të protagonistëve-personazhë, të përmbajtjes ironike e nihiliste postmoderne të realizimeve historike të së shkuarës, etj., e bëjnë veprën që po vërejmë, tërheqëse, në estetikën e vet ku, në të cilën, rikthehet qenia e gjallë e gjuhës sepse, në epokën moderne, letërsia është ajo që plotëson funksionin domethënës të gjuhës, nëpërmjet së cilës qenia gjuhësore, shndrit rishtaz në kufijtë e kulturës.
15. Mënyra absolute e vështrimit të njëkohëshëm e njëherësh: historik, kulturologjik, etik, folklorik, etnografik, kauzistik, mitologjik, në një modernitet letrariteti të kohës sonë, nëpërmjet një tekstualiteti fiksioni, trilli, (trillimi) artistik, të historisë së Mekës paraislamike, ndërthurur aty-këtu, me pasazhe eseistike biblike e historiografike dhe refleksione meditimesh moraliteti popullor etnik (proverbash arabe: “Shkretëtira ka një mijë sy dhe të njëmijtë i ka të verbër”,”Duke kërcëlluar dhëmbët, nuk mbushet barku”,”Për çdo fjalë që thua, do të ketë një vesh që të dëgjon”, etj.) dhe filozofik, (“Nëse në errësirën e thellë askush nuk çan kokën të ndezë një pishtar, këtë do e bëjnë gjithnjë duart e gabuara”, etj.), -krijon një magjepsje ndiesie e përjetimi, që duket thuajse e zhdukur apo fare e rrallë, në kohën tonë të akullt të çmagjepsjes dixhitale.
16. Vallë, Sukaj, na shpërfaqet me artin e tij narrativ, që në publikimet e parë, (kujtojmë, me këtë rast, dhe botimin e tij të spikatur debutues, të nderuar me çmim të parë institucional, prozën tjetër romanore “Ciklopi”, Ombra GVG, Tiranë, 2018), si një autor-diskurs që përpiqet të krijjojë unicitetin e vet, shenjën, simbolikën, ideologemën e tij kulturologjike dhe, mos ndoshta, në rastin më të mirë, që arrin të themelojë dhe diskursivitetin e vet të thellë, të totalitetit të shprehësisë, prej të cilit gjenerohen më pas, diskurse të reja, mbi parimin e analogjisë dhe të diferencës?! Sepse dihet që një autor-diskurs, shfaqet nëpërmjet lokus-it, (përafrimit të këndvështrimit të tij botëkuptimor artistik, sipas llojit të zhanrit letrar) dhe logos-it, (ligjërimit të tij të individualizuar estetik dhe stilistik).
17. “Epilog. Historia është si një kështjellë. Bedeni i një fakti të dokumentuar pasohet nga një hapësirë e zbrazët, pas së cilës vjen një beden tjetër e kështu me radhë…Duke qenë se bedeni është i ngurtë, ai nuk të lë mundësinë të shohësh gjë tjetër, përveç asaj që duket, një drejtkëndësh i ftohtë pa ngjyrë; por në çastin kur hedh shikimin pak më tutje, aty ku fillon hapësira, mund të shohësh gjithçka. Mund të shohësh një ushtri armike prej qindra mijë ushtarësh, mund të shohësh një baba me fëmijën për dore që ecën në vetmi… Ose ajo që të shfaqet para syve, nuk mund të jetë asgjë tjetër, veçse një shkretëtirë…”
18. Udhëtimi nëpër shkretëtirë i Abdulmutalibit, në kërkim të së vërtetës, me dyshimin e vuajtshëm, prej të cilit nuk gjen prehje, në besimin politeist të idhujve të fisit të vet, udhëtimi nëpër shkretëtirë i Abdullahut idealist, në kërkim të së vërtetës, përmes rikthimit të njerëzve të tij paganë, tek besimi i lashtë monoteist abrahamik të të parëve, mbrojtja e së vërtetës së gënjeshtërt të idhujtarisë prej Harithit, brenda fisit të tij të mbyllur, të izoluar e të prapambetur të shkretëtirës, – paraqitet si një triptik vuajtjesh e dhembjesh të brendshme, që ngrejnë arketipin e dramës shpirtërore të qenies njerëzore të çdo kohe.
19. “Papërsosmëria e përsosjes, thelbi i përfunduar i së cilës është papërfundshmëria”, (Alen Bado), në romanin “Viti i elefantit” të Brajan Sukajt, shpërfaqet si një shkëlqim i fshehur në errësirë, si një njësim i qetë monumental i një peizazhi të një bote pa kufij dhe i një virtualiteti të pafundëm domethëniesh e perspektivash, në një epizëm dramatik rrëfimi, për ata që kanë bërë të mundur çdo ndryshim e ripërtëritje, përfshirë ëndrrat dhe përjetësinë.

*Doktor i Shkencave të Gjuhësisë

SHKARKO APP