Kruja më e vizituara në 4 muajt e parë të vitit, me 25000 vizitorë të huaj

Kruja është një nga qendrat e rëndësishme turistike në Shqipëri. Sipas statistikave të këtij viti të nxjerra nga drejtoria e shërbimit turistik në bashkinë e Krujës, këtë qytet e kanë vizituar rreth 305 mijë turistë vendas e të huaj. Përgjegjësi i Zyrës së Informacionit Turistik të Bashkisë Drini Masha, e konfirmon këtë numër duke specifikuar se, “vetëm polakë e kanë vizituar qytetin tonë me rreth 56 mijë turistë, ndërsa vizitorët e huaj të ardhur kryesisht nga Europa, por edhe nga Amerika e Australia, e kalojnë shifrën mbi 105 mijë”.

I pyetur se për se vijnë në Krujë, Masha përgjigjet se, “kanë lexuar dhe dëgjuar për historinë e këtij qyteti, që këtu ndodhet një muze për Heroin tonë Kombëtar, një muze etnografik, ndërtesa mesjetare dhe mbi të gjitha është pika historike më e afërt nga Tirana dhe Aeroporti “Nënë Tereza”.

Në Krujë, ruhet dhe një traditë: zejtaria tradicionale e prodhimit me dorë si, punimi i leshit, metalit dhe drurit. Kruja, dallohet edhe për gatimet e saj të veçanta dhe tradicionale. Këto janë disa arsye që Kruja vizitohet kaq shumë”, thotë Drini Masha.

Ndërsa drejtori i muzeut “Gjergj Kastrioti” Medi Hafizi, thotë për ATSH-në  se, “të huajt vijnë dhe kuriozohen nga historia e Skënderbeut dhe artifaktet, por dhe nga pozicioni gjeografik i qytetit. Vetëm të ardhur nga vende të tjera të botës, na kanë vizituar vitin që shkoi rreth 200 mijë turistë”, thotë Hafizi. Kruja në 4 muajt e parë të këtij viti është vizituar nga 25,000 turistë të huaj. Çdo ditë në Krujë ngjiten vizitorë vendas dhe të huaj, që interesohen për historinë e qytetit, për prodhimet dhe zejet krutane.

SHKARKO APP