Krujë, ansambli historik sot destinacioni më i madh turistik
Qyteti historik Kruja, çdo fundjaë pret mijëra vizitorë vendas dhe të huaj. Mbi kalldrëmin e qytetit, ndihesh si bashkëkohës i Gjergj Kastriotit, teksa shikon zejtarinë e trashëguar prej kohës arbërore, kur “Derexhiku” siç e thërrasin vendasit, nisi të ndërtohej. Nga të pakta qytete në Shqipëri, që të kthen 500 vite pas në kohë, sapo prek Pazarin e Vjetër, ku ende ruhet tradita më e bukur etnografike.
Në rrugicën e ngushtë me gurë, gjallon puna artizanale, që zgjon kureshtjen e turistëve për të parë e për tu njohur me trashëgiminë etnografike, e cila ruhet plot fanatizëm nga krutanët. Qeleshja, puna në tezgjah, enët e punuara në bakër, Kalaja e Krujës e punuar në dru, antikuaret e rralla bëjnë që turistët të marrin një pjesë të historisë me vete.
Rruga e Derexhikut të çon deri në Kalanë e Krujës, në portën që i rezistoi tre rrethimeve më të mëdha osmane, e që sot është e hapur për mijëra vizitorë. Muzeu që “flet” për Skënderbeun, me mikpritjen e stafit tejet profesional, prek madhështinë e Heroit Kombëtar. Mbas dy muajve të parë të vitit 2019 që ishin të heshtur, muaji mars solli qindra turistë, ku vetëm në ditën e fundit, Kalaja u vizitua nga 1000 vizitorë.
Lama, drejtuesi i “Tours Albania & Balkans”, i cili po shoqëron një grup turistësh britanikë, tregon mbi përshtypjet që marrin turistët. “Kruja ka një pamje dhe histori befasuese, që tregon krenarinë e një kombi. Habia e tyre është kur kuptojnë rëndësinë e Heroit tonë Kombëtar, si mbrojtës i qytetërimit europian dhe qëndresa e shqiptarëve bëri që Europa të merrte kohën që ti forconte portat ndaj forcave osmane”, tregon Lama.