“Kthim në kohë” përmes fotografive
Me një aparat në dorë, Robert Pichler udhëtoi nëpër Shqipëri në vitet 90 dhe dokumentoi momente të jetës së përditshme të shqiptarëve.
Ekspozita lëvizëse e historianit, antropologut dhe fotografit , e titulluar “Kthim në Kohë” është çelur këto ditë në shtëpinë e shkrimtarit Ismail Kadare në Gjirokastër nga ku Pichler rrëfen udhëtimin nëpër shqipërinë e sapo dalë nga komunizmi
Robert Pichler: “Shumë shenja janë të lidhura me kohën e komunizmit, veshja por edhe mentaliteti. Situata ekonomike ka qenë një katastrofë por nga ana tjetër njerëzit ishin shumë kureshtarë.”
Mbresa të forta i kanë lënë Dukagjini e Kurveleshi, ku ka realizuar disa prej shkrepjeve më të fuqishme që mund të përcaktojnë fenomene dhe një kohë tjetër për Shqipërinë.
Robert Pichler: “Unë kam marrë pjesë në një pajtim gjaku, ky ka qenë një ritual për mua shumë i veçantë.”
Në 20 vitet që kanë pasuar ai është rikthyer disa herë në Shqipëri, ku thotë i ka bërë përshtypje ndryshimi pozitiv që ka përjetuar vendi ynë.
Robert Pichler: “U ktheva në Shqipëri për një projekt tjetër. Shqipëria ka ndryshiar në shumë aspekte.”
Arkiva e Robert Pichler ka udhëtuar në disa qytete ndër vite duke risjellë në vëmendje jetën e një copëz Shqipërie të viteve ’90.