Kuarteti Letrar përmbyll edicionin e pestë të Tirana Lexon

Tirana Lexon për të kujtuar në ditën e tretë prezantoi para publikut të ri “Kuartetin Letrar”, një format risi ku në qendër të diskutimeve ishin katër vepra që trajtonin tematikën e kujtesës dhe identitetit. “Kuarteti” u mbajt në Sallën Franceze të Leximit mes studentësh dhe dashamirës të librit dhe u përshendet nga drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare, Persida Asllani.

Sipas ideatores së “Kuartetit“, Jonila Godole, përkthyese dhe pedagoge e gazetarisë dhe shkencave të komunikimit, ky format synon të nxis debatin profesional mbi librat dhe ta vendosi fokusin më shumë te vepra, se sa te autori. Veprat e marra në diskutim në „Kuartet“ ishin “Kohë e pamjaftueshme” nga Helena Kadare, “Valsi i Lumturisë” nga Ylljet Aliçka, “A është, vallë, njeri” nga Primo Levi dhe “Më kujtohet’ nga Ylli Demneri.

„Kuarteti“ u bashkëmoderua nga gazetarja Beti Njuma, poetja Ledia Dushi, kritiku letrar Agim Baçi dhe Jonila Godole, të cilët ishin njohur më parë gjerësisht me secilën nga këto vepra. „Kuarteti“ ndezi debat konstruktiv për të gjitha veprat e paraqitura aty. „Kohë e pamjaftueshme“ u prezantua nga Agim Baçi, i cili pohoi se e njeh mirë veprën e çiftit Kadare. Sipas tij, libri i Helenës duhej parë i pandarë nga ndikimi i shkrimtarit Ismail Kadare. Ai ndezi jo pak debat mbi veprën dhe sesi kishte ndikuar marrëdhënia e çiftit Kadare në veprën autobiografike.

Po ashtu Beti Njuma këmbënguli se „është vetë Kadare ai që ka dorë më shumë në këtë libër, se aty nuk gjejmë vetëm kujtimet e Helenës, por është vetë shkrimtari Ismail Kadare, i cili me anë të Helenës ka përzgjedhur ato çfarë ka dashur ai të thotë për publikun“.

Njuma shtoi se Helena ka përfituar nga benefitet e të qënit gruaja e shkrimtarit të madh, por sipas saj ajo në këtë vepër ka thyer edhe disa tabu, sepse sjell kujtimet e saj që nga fëmijëria, tregon për fejesën e saj të prishur dhe dashuritë me Ismailin, dhe kjo sipas gazetares e bën atë gruan apo femrën e parë në vendin tonë që flet aq lirshëm dhe ndan me publikun detaje të tilla intime duke thyer çdo lloj tabuje në opinionin publik.

Ndryshe nga dy kolegët, Godole tregoi për publikun se ishte përpjekur ta shihte veprën të fokusuar vetëm te shkrimtarja dhe jo te bashkëshorti i saj.

‘ Teksa e lexoja u përpoqa ta distancoj nga ndikimi që mund të ketë patur Helena nga shkrimtari. Kam mësuar së tepërmi në këtë libër për jetën në Tiranën e viteve 70′ , 80’. Nga përshkrimet që bën Helena jam çuditur nga festat e shumta që bëheshin dikur, sesi çifti Kadare kishte një jetë të lirë në atë kohë, sesi përtej atij izolimi, kishte patur një liri intelektuale.” -shtoi Godole.

Romani „Valsi i Lumturisë“ nga autori Ylljet Aliçka, u prezantua në Kuartet nga Jonila Godole, e cila e cilësoi veprën një tragji-komedi që jep shumë saktë kalvarin e emigrantëve shqiptarë në vitet 1990 dhe zhgënjimin e dyfishtë që ata ndjejnë kur shohin se janë të padëshiruar si në vendin nga vinin, ashtu edhe aty ku shkuan. Sidomos dëshmia tragjike e familjes Tota (Popa) që përpunohet nga autori me një stil sa të ndjeshëm, aq edhe grotesk duke kaluar nga një burg brenda vendit, në një burg të huaj është unikale për letërsinë tonë të pas viteve 1990. Baçi gjithashtu e vlerësoi veprën për vendosjen në qendër të një familjeje kundërshtare të regjimit që në vend që të vlerësohej për guximin e treguar, u la në heshtje dhe në mëshirë të fatit.

Ledia Dushi prezantoi romanin “A është, vallë, njeri” nga Primo Levi. Dushi u ndal në subjektin e këtij libri, se si nazizmi e merrte njeriun, e fuste në një proces laboratorik dhe e zhvishte atë nga të qënit krijesë humane, në mënyrë që ta kishte më të lehtë më pas ekzekutimin e tij. Kjo sipas kritikut Baçi dukej që nga titulli pyetës ‘A është vallë njeri’? duke vënë në pikëpytje vetë qënien njerëzore. Godole e shihte vlerën e veprës sidomos te stili ndryshe i autorit, tepër i distancuar nga realiteti i dhimbshëm që kishte përjetuar. Godole theksoi që veçantia e këtij libri qëndronte edhe në faktin se kjo ishte dëshmia e pare për Holokaustin, botuar në vitin 1947.

Libri “Më kujtohet” nga Ylli Demneri që u prezantua nga gazetarja Beti Njuma hapi mjaft debat. Sipas Njumës, libri përshkruante Tiranën e dikurshme dhe zgjonte nostalgji për rrugë dhe detaje që ajo i njihte si e rritur vetë në lagjet e vjetra tiranase. Debati më pas u fokusua te pyetja a është letërsi kjo formë kujtimesh si ditar me kujtime personale të autorit që nuk arrin dot të vendoset në shërbim të një kujtese më të gjerë kolektive.

Më pas panelit iu drejtuan pyetje nga pjesëmarrësit në publik. Ndërkaq, në pjesën e dytë të ditës, Tirana Lexon u zhvendos në gjimnazin ‘Ismail Qemali, aty ku dy autorët Gëzim Peshkëpia dhe Saimir Muzhaka zhvilluan një maratonë të vërtetë leximi me nxënësit e kësaj shkolle.

Kujtojme se Tirana Lexon çeli siparin e aktiviteteve më datë 22 Tetor, ku në sallën Europa House në lexime dhe diskutime me publikun ishte autorja shqiptaro- zvicerane Besa Myftiu e cila diskutoj gjërësisht rreth krijimtarisë së saj artistike por dhe jetës së saj tashmë jashtë kufinjve të Shqipërisë.

Ditën e dytë Tirana Lexon i’a kushtoj aktivitetit nën moton “Tirana Lexon për të kujtuar” me fokus: ‘Identiteti dhe kujtesa në letërsi si aspekte të rëndësishme për reflektimin mbi të shkuarën’. Në ambientet e “Europe House” autorët e ftuar nga Instituti për Demokraci Media dhe Kulturë (IDMC) Karsten Dümmel dhe Albert P. Nikolla treguan të tjera aspekte të komunizmit, kjo përmes pasazheve të veprave të tyre dhe përmes pyetje-përgjigjjeve me të pranishmit në sallë.

SHKARKO APP