Kujtesë: 35-vjetori i vdekjes së rapsodit të njohur
Dervish Shaqa ishte rapsod i shquar popullor dhe i njohur në të gjitha trevat shqiptare.
Shaqa lindi në Llukë të Epërme të Deçanit më 1912 dhe vdiq më 11 prill 1985.
Deri në vitin 1956 jetoi në Kosovë, mirëpo në këtë vit iu desh të lëshonte Kosovën për shkak të përndjekjes nga aksioni i njohur “mbledhja e armëve” që ndërmerrte në atë kohë Sigurimi i Punëve të Brendshme i Jugosllavisë (UDB-ja) kundër shqiptarëve.
Së bashku me kolegun e tij të këngës, Demush Neziri, u vendosën në Rashbull afër Durrësit. Aty e vazhdoi këngën që për të ishte e vetmja mënyrë e shprehjes së dhimbjes që kishte për familjen dhe vendlindjen. Këtë e shpreh në këngën “Kur ta ktheva Kosove shpinën, e lash borë e gjeta dimër…”.
Dervish Shaqa në Shqipëri e vazhdojë traditën e këndimit të historisë së vendlindjes së tij. Në vargjet e këngëve të përcjella me çifteli përshkruhen kullat e gurta të Dukagjinit dhe figurat kombëtare.
Në Rashbull arrin të themelojë e të udhëheqë grupin e rapsodit. Po me këtë në vitin 1968 prezantohet për herë të parë në Festivalin e Folklorit Kombëtar ne Gjirokastër. Që nga kjo kohë, së bashku me Demush Neziri, prezantojnë një varg këngësh të cilat për disa gjenerata ende janë të njohura, si: “Ç`janë këto gjamë që i bjen era”, “Prej Prokuples deri n`Nish”, “Moj e mira porsi bora”, këngët për Azem dhe Shote Galicën, Nak Berishën e shumë të tjera…
Pjesa më e madhe e regjistrimeve muzikore të bëra nga Dervish Shaqa dhe kolegu i tij gjenden në arkivin e Radio Tiranës.
Përpos këngëve popullore dhe të përpunuar nga ai vetë, për Dervish Shaqën ka kompozuar edhe kompozitori Tish Daija, si këngën “Festë të madhe ka sot Shqipëria”.
Populli ku ai kalojë pjesën më të madhe të jetës së tij e mban mend si këngëtar të lindur që këndon për këngën dhe jo për para. /KP/