Kulturologjia e shkrimtarit Iljaz Bobaj
Nga Xhahid Bushati
Pak dritë për të ndriçuar hijshëm portretin artistik të shkrimtarit Iljaz Bobaj
Mirë e di, dhe për këtë jam besimplotë, që krijimtarinë letrare e përkthimore të shkrimtarit Iljaz Bobaj më shumë nuk e njohin sesa e njohin. Gjithashtu, nuk e di saktë sesa është hapësira e lexuesve në tokën e tij amë dhe në tokën helene. Pavarësisht kësaj, në studimet e mia, ai është një krijues që e nderon letërsinë shqipe.
Më lart, përmenda sintagmën “më shumë nuk e njohin sesa e njohin”. Se, po të ndodhte e kundërta, do të ishte më e pranishme, më rrezatuese kritika jonë letrare, e jo të ndodh si për këtë shkrimtar e për shumë të tjerë, ajo të jetë një udhëtare e vonuar e kohës. Shpesh, dhe t’i mungojë trokitja. Gjithësesi, po mjaftohemi me shpresën… e me një lloj ngushëllimi, që vërtetë nuk e di se ku i kanë kufijtë. Shpresoj të mos jem shpresëhumbur, por të jem ngushëllimshpresë.
Kjo njohje e mosnjohje për krijimtarinë e pasur letrare të shkrimtarit Iljaz Bobaj, i ka udhët e veta, ashtu siç i ka edhe ditët e veta, ashtu siç i ka edhe vlerat e veta. Dhe vjen një ditë që unë ta njoh shkrimtarin Iljaz Bobaj. Kështu, mosnjohja bëhet njohje: e përzemërt, dashtunimi dhe me fisnikëri njerëzore. Kështu, kjo njohje ka vlerën e njohjes së një planeti të ri.
E njoha për herë të parë në një takim promovues të librit “Trumcaku ftillon ferrën” të shkrimtarit e fabulistit të mirënjohur Vangjush Saro. (Më vonë diskutimin tim në këtë takim e bëra shkrim, sepse libri më pëlqeu, dhe u botua në një nga gazetat periodike.)
Kuvenduam me Iljazin, sikur të ishim njohur prej kohësh. Kuvenduam, siç kuvendon krijuesi me krijuesin… Më ka mbetur në kujtesë: një njeri i urtë dhe i mirë, i qëndisur me dituri. Më kanë mbetur në kujtesë: dy sy ëndërrimtarë, që edhe vështrimin e kishin si buzëqeshje. Më ka mbetur në kujtesë: e folura (disi e pakët por e duhura) pas së cilës fshihej një sofër e begatë letrare. Më kanë mbetur në kujtesë: lëvizjet e gishtërinjve aq të avashta dhe nazike, sikur ato lëvizje “pëshpërisnin”, thonin orë e çast diçka… Nuk e di pse më kujtonin ato gishtërinj me lëvizjet e tyre, sikur preknin mermerin e bardhë të lavdisë së përbotshme antike me vlera universale të botës helene.
Pas një kohe jo shumë të largët, njohja me veprat e shkrimtarit Iljaz Bobaj mori një përmasë tjetër, një plotëri të mëtejshme. Tek miku im, shkrimtari dhe studiuesi Sazan Goliku (Pandeli Koçi) që banon në Tiranë, Iljazi më kishte lënë si dhuratë dy libra (njëri me poezi, tjetri me fabula). Nga shënimet e mia të atëhershme po shkëpus dy fragmente:
*”Metafora si figurë letrare “shëtit” e zbërthehet gjatë gjithë indit të poezisë, në funksion të realizimit të motivit. Ajo rreket në mënyrë të atillë sa i jep ngjyrë çdo vargu nga ngjyra e vet.”
*”Në të shumtën e rasteve i mbetet besnik statusit të fabulës klasike. Por… te kjo fabul, shpesh, substancë vjen me një materie të re që autori i qaset me mjeshtëri realitetit bashkëkohor me problematikat e tij. Filizat dhe sythat që sjell brenda dialogut të personazheve, flasin për përfytyrime, vrojtime e vizione të reja. Ndoshta këtu, me këtë shartim poetik, duhet ta kërkojmë përveçësinë e fabulës që shkruan Iljaz Bobaj, një përveçësi që shpreh një individualitet artistik të formuar, e që pasuron dinjitetshëm fabulistikën shqiptare, si në procesin e saj, si në udhën e zhvillimit të saj”.
Koha erdhi duke u zvogëluar dhe njohja erdhi duke rritur përmasat e saj. Emri i shkrimtarit Iljaz Bobaj, në gazetën “Nacional”, ishte (është) më i shpeshtë. Botimet e tij: poezi, prozë, reportazhe, përkthime, fabula, etj., janë shenja që e thellojnë profilin e tij. Leximi i kësaj krijimtarie, flet për një estetikë të këndshme, që sigurisht duhet studiuar. Aq më shumë kur shkrimtari Iljaz Bobaj, kohët e fundit, paraqitet me librat: “Antologji e tregimit satirik botëror”, “Nuk rroj dot pa grindje” (përkthim), “Shkolla e Diplomacisë” (fabula, vepër e autorit), “Antologji: Kavafis, Seferis, Elitis, Ricos” (përkthim). Me këtë begati veprash, portreti i shkrimtarit e përkthyesit Iljaz Bobaj merr dimensione te reja, ku kritika jonë letrare dhe studimet, duhet patjetër të lënë shenjat e tyre. Veprat janë në pritje…