Kumbaro me drejtorin e ri: Konkurs ndërkombëtar për rikonstruksionin e Galerisë Kombëtare
Është prezantuar zyrtarisht drejtori i ri i Galerisë Kombëtare të Arteve, Erzen Shkololli.
Shkololli u prezantua pëpara stafit të GKA nga Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro dhe Zv/Ministrja Valbona Shujaku. Pasi falenderoi ish drejtorin Artan Shabani për bashkëpunimin në këto 4 vite,
Kumbaro i uroi suksese drejtorit të sapo emëruar duke e cilësuar këtë si një moment të ri për institucionin kombëtar të artit pamor i cili i prin edhe një nga projekteve më të rëndësishme, atij të rikonstruksionit të Galerisë.
“Do të jemi bashkë për të realizuar projektin e rehabilitimit të GKA-së, puna për të cilën ka nisur me termat e referencës, si dhe konsultimet për të shkuar drejt një konkursi ndërkombëtar për rehabilitimin fizik të GKA, njësoj si edhe të MHK”, tha Kumbaro.
Erzen Shkololli është I njohur në Shqipëri nga bienalja botërore Dokumenta 14, që u zhvillua në Kasel të Gjermanisë dhe në Athinë. Si këshilltar i bienales, shqiptari nga Kosova, prezantoi më së miri artin modern ne një eveniment ndërkombëtar. Drejtori I sapoemëruar në detyrë, Erzen Shkololli u shpreh për mediat:
“Është një nder i veçantë për mua të emërohem nga Qeveria e Shqipërisë për të drejtuar Galerinë Kombëtare të Shqipërisë, në këto momente kur skena artistike dhe arti shqiptar, Shqipëria vetë po merr kahje të jashtëzakonshme në skenën artistike ndërkombëtare. Mendoj që vizioni im për të ardhmen e Galerisë Kombëtare do ta shtyjë skenën artistike të ketë këtë hov në skenën ndërkombëtare, asnjëherë pa i harruar talentet vendor. Kjo është qasja dhe mënyra sesi do të frymojë Galeria Kombëtare”.
Kumbaro, Shabani dhe Shkololli zhvilluan një takim me stafin e GKA-së, duke drejtuar vëmendjen ndaj projekteve në proces , projekteve të reja, etj duke shprehur gadishmërinë dhe bashkëpunimin mes Shabanit dhe drejtuesit të ri të GKA-së.
Erzen Shkololli ka qenë drejtor i Galerisë Kombëtare të Kosovës nga viti 2011 deri në vitin 2015. Nën udhëheqjen e tij Galeria e Kosovës pësoi transformim të plotë duke u shndërruar në një urë përmes së cilës skena artistike e Kosovës, që deri vonë ishte e margjinalizuar dhe e izoluar nga komunikimi kreativ me skenat artistike evropiane dhe botërore, depërtoi fuqishëm përtej kufijve të Kosovës. Si drejtor i Galerisë, Shkololli avokoi suksesshëm për pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në Bienalen e Venedikut, duke shërbyer njëkohësisht si komisioneri i parë i Kosovës në edicionin e 55-të të Bienales.