Kur lindi “Ferma e Kafshëve” e George Orwell, një libër që sfidoi diktaturën dhe kohërat

Albert Vataj

“Ferma e Kafshëve” është një nga librat më të preferuar në 100 vitet e fundit, sipas “Time”. Kjo novelë alegorike e George Orwell u botua spari herë në Angli më 17 gusht 1945. Sipas vetë autorit, libri reflekton ngjarjet që çuan në Revolucionin Rus të vitit 1917 dhe më pas në epokën staliniste të Bashkimi Sovjetik. Orwell me pikëpamje socialdemokrate ishte një kritik i ashpër i Joseph Stalinit dhe mbeti armiqësor ndaj Moskës drejtuar nga stalinizmi. Tharmi i kësaj kryevepre ishte ngjizur në shpirtin e shkrimtarit nga përvojat që ai pati gjatë Luftës Civile Spanjolle. George Orwell besonte se Bashkimi Sovjetik, ishte bërë një diktaturë brutale, e ndërtuar mbi një kult të personalitetit dhe i zbatuar nga një sundim terrori . Në një letër drejtuar Yvonne Davet, Orwell e përshkroi “Fermën e kafshëve” si një përrallë satirike. Në esenë e tij “Pse shkruaj ” (1946), George Orwell shkroi se “Ferma e kafshëve” ishte i pari libër në të cilin ai u përpoq, me vetëdijen të plotë të asaj që po bënte, për të bashkuar qëllimin politik dhe qëllimin artistik në një tërësi”.
Për këtë “përrallë satirike në fermë” Orwell u inspirua pasi pa një djalë të vogël që e rrihte kalin çdo herë kur ai nuk e merrte drejtimin që i thoshte djaloshi. “E kuptova se nëse edhe kafshët e kuptojnë fuqinë e tyre, ne njerëzit nuk do kishin fuqi mbi ta, dhe se njerëzit i shfrytëzojnë kafshët njëjtë si të pasurit që e shfrytëzojnë proletariatin”.
Pasi kanë hequr qafe pronarin e tyre njerëzor, kafshët e fermës “Menër” janë duke shpresuar për një jetë të lirë dhe të bollshme. Por ndërsa një elitë e mençur mizore vjen në pushtet, kafshët e tjera e gjejnë veten në mënyrë të pashpresë të zënë në grackë sipas mënyrave të vjetra.

SHKARKO APP