Kyra Vassiliki, “E robëruara” e anglezit, Richard Caton Woodville
Albert Vataj
Kjo tablo titullohet “E robëruara”, daton më 1880, është realizuar me bojra vajo mbi pëlhurë. Përmasat e saj janë 23,5×34 cm. Piktura u realizua nga Richard Caton Woodville Jr. (7 janar 1856 – 17 gusht 1927), i cili ishte një artist dhe ilustrues anglez, që njihet më së shumti si një nga piktorët më pjellorë dhe më efektivë të skenave të betejës në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të.
Kjo tablo i dedikohet Kyra Vassiliki, e cila në moshën 12 vjeç kërkoi një audiencë me sundimtarin shqiptar, Ali Pash Tepelena, për të ndërmjetësuar për jetën e babait të saj.
Pasi i dha faljen babait të saj, Ali Pasha u martua me Vassiliki në 1808 dhe ajo u bashkua me haremin e tij. Duke qenë e lejuar të praktikonte besimin e saj të krishterë, ajo ndërmjetësoi në emër të popullit ortodoks.
Pas vdekjes së Aliut, Vassiliki u dërgua si e burgosur në kryeqytetin Osman, Kostandinopojë. Më vonë ajo u fal dhe u kthye në Greqi, e cila ndërkohë fitoi pavarësinë e saj pas Luftës së suksesshme Greke të Pavarësisë (1821–30). Në 1830, shteti grek i dha Vassiliki një kullë mesjetare në Katochi, ku ajo jetoi pjesën tjetër të jetës së saj. Ajo vdiq nga dizenteria në 1834.
Kjo tablo nuk dihet nëse bëhet fjalë të përjetësojë pikërisht dërgimin e saj në Kostandinopojë, pas vdekjes së Ali Pashait, apo e ndonjë ekspedite, ku ajo është e shoqëruar nga një shpurë shqiptarësh, siç mund të identifikohen edhe nga veshja. Gjithsesi titulli, “E robëruara”, siç identifikohet nuk lë shumë shkak për aludime të tjera veç kohës kur ajo çohet në Kontandinopojë.