“Lahuta e Malcis”, e At Gjergj Fishtës vihet në skenën e Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë

Në kuadër të “Tetorit Fishtjan”, një muaj që i kushtohet nderimit të trashëgimisë së pavdekshme të At Gjergj Fishtës, skena e Pallatit të Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë u mbush me frymën epike të veprës monumentale “Lahuta e Malcis”. Vepra që prej kohësh cilësohet si Iliada shqiptare, si një gur themeli në altarin e letërsisë sonë kombëtare, u soll në një formë të re dramatike që preku thellë publikun e pranishëm.

Shfaqja, me regji të Kol Kunorës, ishte një kapërcim i guximshëm nga faqet e vargut epik drejt gjuhës së skenës. Interpretimi i “Lahutës së Malcis” në një format të përzgjedhur dhe të përpunuar artistikisht, krijoi një atmosferë të fuqishme, ku figura të pavdekshme të Fishtës rindërtuan historinë, nderin, besën dhe shpirtin e maleve tona. Në skenë u ngjitën Mark Hilaj, Mario Paloka, Keslin Perdoda, Alesia Alcani dhe Gerald Ndreca, të cilët sollën me pasion dhe përkushtim tiparet e heronjve fishtjanë, duke i dhënë jetë një bote që qëndron në zemër të identitetit tonë kulturor.

Regjisori Kunora e quajti këtë vënie në skenë realizimin e një ëndrre të hershme. “Nga 20 e ca mijë vargje të Lahutës, kemi përzgjedhur dhe rregulluar rreth 800 vargje. Jam munduar të ndërthur ngjarjet më pikante dhe të përfshij pjesët që lidhen me Lezhën tonë”, u shpreh ai, duke nënvizuar sfidën e madhe që sjell përkthimi i epikes në gjuhën dramatike, pa humbur madhështinë e origjinalit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një moment i veçantë, që i dha ngjarjes një dimension të thellë autentik, ishte prania e lahutarit Pretash Nilaj, Mjeshtër i Madh, i cili me tingujt e lahutës ndezi emocionet dhe riktheu në skenë frymën e traditës së lashtë shqiptare. Ky ndërveprim mes së shkruarës, së kënduarës dhe skenës moderne krijoi një bashkëjetesë të rrallë mes kohëve.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në përmbyllje të aktivitetit kulturor, një tjetër vepër e Fishtës, satira e mprehtë “Te porta e Parrizit”, u ngjit në skenë si kulm i “Tetorit Fishtjan”. Artistët e rinj lezhjanë, Leandro Malshi, Donald Lleshi dhe Sidrit Mergjyli, së bashku me aktorin e njohur Kol Kunora, sollën me finesë e humor therjen satirike të shoqërisë së Fishtës, duke e bërë këtë tekst klasik të tingëllojë po aq aktual sa një kritikë e sotme sociale.

Regjia e Alket Bushit dhe skenografia e Ymer Metalijës i dhanë skenës “Djemtë e Detit” një dinamizëm të ri, duke e kthyer në një hapsirë të gjallë ku arti, tradita dhe bashkëkohorja u ndërthurën natyrshëm. Nën kujdesin e Drejtorisë së Kulturës dhe Trashëgimisë Kulturore, shfaqja u prit me entuziazëm dhe duartrokitje të gjata nga publiku, që vlerësoi profesionalizmin, humorin dhe mënyrën artistike me të cilën Fishta u rikthye në qendër të vëmendjes kulturore të qytetit.

“Tetori Fishtjan” u mbyll kështu me një ndjenjë të thellë krenarie dhe mirënjohjeje, duke dëshmuar se trashëgimia e At Gjergj Fishtës vazhdon të jetojë jo vetëm në libra, por në ndërgjegjen artistike të brezave të rinj, të cilët e rikthejnë atë në dritë me pasion, vlerësim dhe dashuri për kulturën.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?