Lamtumirë Xhodë! Përloten aktorët, Kristaq Skrami kujton sheshxhirimin e fundit me Xhevdet Ferrin
Aktorë të njohur dhe njëkohësisht miqtë e tij janë të tronditur nga humbja parakohe e Xhevdet Ferrit.
Në lidhje telefonike për Ora Neës aktorët Kristaq Skrami, Luftar Paja dhe regjisori Gëzim Kame kujtojnë të emocionuar momente që kanë ndarë bashkë.
Në një moment aktori Kristaq Skrami nuk mban dot as lotët.
Kristaq Skrami: “Është lajm i pabesueshëm për ne për miqtë e Xhodës. Në një moshë të tillë të ikësh dhe me një energji të tillë që kishte dhe zotëronte Xhoda. Unë me Xhodën kam lidhje shumë të hershme. Unë kam qenë në vitin e tretë, Xhoda në vitin e parë. U bëmë shumë shpejt miq dhe miqësia ka vazhduar shumë qartë.
Kujton dhe sheshxhirimin e fundit me Xhodën
“Puna e fundit që kemi bërë ka qenë xhirimi tek “Delegacioni” (Ne foto, shkurt 2017) atmosfera, humori që krijonim me njëri tjetrin.”
Regjjisori Gëzim Kame kujton pështypjet që Xhoda i kishte lënë si student dhe premtimin që I kishte dhënë për ta bërë pedagog në Universitetin e Arteve.
Gezim Kame: “Unë Xhevdetin e kam pasur student, koleg si pedagog dhe aktor në veprat e mija. Ka qenë një ndër studentët më korrektë. Si aktorë ka pasur një disiplinë të jashtëzakonshme. Është një humbje shumë e madhe për artin shqiptar. Unë isha dekan kur Xhevdeti mbaroi shkollën. E kisha piketuar që ta mbaja pedagog. Luftova deri në atë moment por nuk munda dot. Mbaroi Xhevdeti dhe dola nga komisioni dhe i kam thënë duro nja dy vite dhe unë do të të marr pedagog. Dy vjet luftova shumë sepse teatri i Durrësit donte ta mbante për vete. Ashtu ndodhi. Unë e mora pedagog dhe Xhoda më tha se e kishte menduar të pabesueshme të ishte pedagog në krah të pedagogëve të tij të dikurshëm
Luftar Paja: U habita kur pashë në ekran lajmin e hidhur. Kam shumë kujtime me Xhevdetin. Fillimet e tij kur kandidoi në arte kam qenë një ndër anëtarët e komisionit të pranimit të studentëve. Ai ishte një nga studentët që spikati dhe ndër më të talentuarit në atë komision. U ndjeva i befasuar dhe mbeta pa fjalë për ikjen parakohe të kolegut tim Xhevdet Ferri.
/Ora News