Laver Bariu, ustai i sazeve, farkëtari i shpirtit përmetar dhe zëri që i dha formë kujtesës sonë muzikore

Nga Albert Vataj

Edhe pse kanë kaluar dymbëdhjetë vite nga ndarja e tij nga jeta, Laver Bariu nuk i përket së shkuarës. Ai jeton ende në ndërgjegjen e gjallë të kulturës shqiptare, si një prani e pandarë e tingullit, si një frymë që endet mes kabasë dhe këngës, mes dhimbjes dhe harese, mes tokës dhe shpirtit. Klarineta e tij nuk ishte thjesht një vegël muzikore, por një gjuhë e epërme e ndjeshmërisë njerëzore, një mënyrë për të rrëfyer atë që fjala nuk e mban dot.

Sot, Laver Bariu është përjetësuar edhe në bronz, në një statujë që e paraqet ashtu siç ishte dhe siç mbetet në kujtesë: me klarinetë në duar, i përkulur mbi tingullin, si mbi një lutje të përhershme. Ajo statujë nuk është thjesht një homazh figurativ; është një akt vetëdijeje kulturore. Ai është aty, në zemër të Përmetit të luleve dhe dashurisë, në qytetin ku muzika nuk është zbukurim, por mënyrë jetese; ku kënga nuk është argëtim, por identitet; ku tradita nuk ruhet në muze, por jeton në ajër, në valle, në zëra dhe në kujtesë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

I lindur më 2 maj 1929 në Përmet dhe i ndarë nga jeta më 26 janar 2014, Laver Bariu mbetet një nga figurat më të ndritura të muzikës popullore shqiptare, mjeshtër i pakontestuar i gërnetës dhe një nga themeluesit shpirtërorë të asaj që sot njihet si shkolla përmetare e sazeve. Ai ishte jo vetëm interpretues brilant, por edhe kultivues i një tradite që, falë tij, nuk mbeti e ngrirë, por u pasurua, u rafinua dhe u ngjit në nivele të larta artistike, pa humbur asnjë grimë autenticiteti.

Dhuntia e tij muzikore u shfaq herët. Që fëmijë, Laveri ndërtonte vegla muzikore me duart e veta, nga degë pemësh, kallam gruri apo materiale të thjeshta – një shenjë e hershme se për të muzika nuk ishte luks, por nevojë. Zhvendosja e familjes në Korçë në vitin 1935 i hapi horizonte të reja: aty u njoh me mjeshtër popullorë, përthithi ndikime të rëndësishme dhe u formua në një mjedis ku muzika ishte pjesë organike e jetës qytetare. Feim Gajdexhiu dhe tradita muzikore korçare do të linin gjurmë të pashlyeshme në formimin e tij artistik.

Kthimi në Përmet në fund të vitit 1944 shënon një pikë kthese. Takimi dhe bashkëpunimi me usta Vangjel Leskovikun, si dhe puna autodidakte për përsosjen e gërnetës, e orientuan përfundimisht drejt veglës që do të bëhej zëri i shpirtit të tij. Klarineta, në duart e Laver Bariut, nuk qante thjesht; ajo mendonte, kujtonte, vajtonte dhe shpresonte.

Themelimi i Sazeve të Përmetit në vitin 1951 dhe fitorja e çmimit të parë në Festivalin e Parë Folklorik Kombëtar në Tiranë (1952) nuk ishin rastësi, por shpërblim i një talenti që tashmë kishte gjetur rrugën e vet. Që nga ai moment, rrugëtimi i tij artistik do të ishte një proces i pandërprerë ndërtimi, regjistrimi dhe pasurimi të një trashëgimie që sot konsiderohet klasike.

Regjistrimet e vitit 1954 dhe sidomos tri kabatë përmetare të regjistruara në Radio-Tirana më 1966 janë gurë themeli të muzikës sonë tradicionale. Ato nuk janë vetëm interpretime; janë tekste muzikore, kode shpirtërore, që përkufizojnë një mënyrë të të ndierit dhe të të shprehurit.

Formacioni i konsoliduar i sazeve të tij në vitin 1976, i njohur si “Bilbilat e Përmetit”, përfaqësonte një kulm artistik: gërneta, lahuta, fizarmonika, defi dhe violina bashkëjetonin në një harmoni të rrallë, ku instrumentistët ishin njëkohësisht edhe këngëtarë. Kjo e bënte interpretimin jo vetëm virtuoz, por thellësisht njerëzor, të ngrohtë, të jetuar.

Laver Bariu ishte edhe krijues. Ai kompozoi hyrje këngësh, kaba, valle dhe reinterpretimesh të repertorit të vjetër, duke ruajtur thelbin, por duke i dhënë frymëmarrje të re traditës. Si mësues, ai la gjurmë të thella në breza të tërë gërnetaxhinjsh, të cilët nuk trashëguan vetëm teknikën, por edhe etikën e interpretimit, respektin për traditën dhe ndershmërinë artistike.

Shpirti i tij kërkues shtrihej përtej muzikës. Pasioni për astronominë dhe parapsikologjinë dëshmon një mendje të hapur, një njeri që kërkonte kuptim edhe përtej tingullit, në misteret e universit dhe të qenies njerëzore.

Bashkëpunimet e tij me estradën, me këngëtarë të brezave të ndryshëm dhe kontributi në filmin “Gjeneral Gramafoni” (1977) e dokumentarin “Këngët e zemrës” (1989) e vendosin Laver Bariun në qendër të historisë sonë muzikore moderne, si një figurë lidhëse mes traditës dhe artit bashkëkohor.

Diskografia e realizuar jashtë vendit në vitet ’90, aktiviteti i pandërprerë deri në fund të jetës dhe nderimet institucionale – nga titulli “Mjeshtër i Madh i Punës” te “Qytetar Nderi” i Përmetit – janë dëshmi se vlera e tij u njoh, u çmua dhe u institucionalizua.

Por mbi të gjitha, trashëgimia e Laver Bariut jeton. Jeton në arkivat, në tingujt e sazeve, në duart e nxënësve të tij dhe në emocionin që zgjon ende klarineta përmetare. Ai mbetet një figurë emblematike, jo vetëm si mjeshtër i gërnetës, por si simbol i shpirtit krijues shqiptar dhe ruajtës i një prej identiteteve më të rafinuara të muzikës sonë popullore.

Laver Bariu nuk ishte thjesht një muzikant. Ai ishte kujtesë e bërë tingull. Dhe kjo është forma më e lartë e përjetësisë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?