Lekë Tasi dhe “Vizatimet e një jete”
Ekspozita vetjake me titull “Vizatime të një jete” e artistit Lekë Tasi është çelur në Galerinë FAB, në bashkëpunim me Platformën e Artit Bashkëkohor Harabel, themeluar nga Ajola Xoxa.
E kuruar nga studiuesi Zef Paci dhe Platforma Harabel, mundësohet ekspozimi për herë të parë i vizatimeve të Tasit. Kjo dhuratë i bëhet artistit me rastin e 90-vjetorit të lindjes.
“Vizatimet e Lekë Tasit ruajnë frymën e historive të vogla, anekdotave, lojës, thashethemes; herë-herë përçojnë diçka epshore. Ai kërkon të tërheqë e drejtojë vëmendjen nëpërmjet asaj çka vizaton kah tensioneve të fshehura dhe të padëgjuara që gjallojnë hapësirën”, shprehet kuratori Zef Paci.
I internuar më 1975 për arsye politike në Grabjan të Lushnjës, Tasi kaloi një rini tepër të vështirë. Babai, xhaxhai, daja, vëllai, kishin qenë në burg politik. Kështu, violonçelisti i parë i Orkestrës Simfonike, i konsideruar si pjesëtar i një familjeje të padëshiruar nga regjimi, do të persekutohej si shumë të tjerë. E internuan.
Ekspozita pati pjesëmarrje të madhe, ndërsa do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 28 prill 2019. /Shqiptarja/