Letërkëmbimet e dashurisë, të Henry Millerit
E njohur për kontributin që dha në letërsinë erotike dhe ditarët që u kthyen në mësime jete, shkrimtarja franceze Anais Nin, jetoi një jetë të rrëmujshme mes stuhirave të dashurisë dhe vetmisë. Shënimet e saj, nga refleksionet personale e lidhjet intime, tek rrëfimi i marrëdhënies incestuale me të atin e deri në lidhjet martesore e jashtëmartesore kishin një qëllim: Udhëtimin e gjatë dhe të dhimbshëm drejt njohjes së vetvetes. “M’u deshën 40-të vjet për të njohur veten”, është shprehur gjithnjë ajo.
Mes shumë lidhjeve që Nin kaloi përgjatë gjithë jetës, duke e përplasur dashurinë nga një burrë tek tjetri, vetëm një prej syresh ndikoi në stilin e saj të të shkruarit dhe ndjesisë të së ndjerit grua mes plotit dhe boshit. Shkrimtari amerikan Henry Miller. Edhe pse të dy të martuar, asgjë nuk i ndali të përjetonin një romancë e cila i frymëzoi njëjtë.
Ishte viti 1932 kur të dy u takuan në Paris. Një dashuri me shikim të parë brenda hojeve të çmendurisë dhe epshit. Lidhja e tyre intime zgjati disa vjet.
Në vëllimin e parë të ditarit të saj (Vol.1, 1931-1934), Anais Nin, rrëfen për marrëdhënien e ngushtë me të dashurin e saj përmes letërkëmbimeve të pasionit siç vetëm shkrimtarët bohemë munden.
***
“Henri im,
E di çfarë mendoj këto kohë? Mbase për një grua e vetmja e gjë e duhur është që të jetë mbi të gjitha njeri.
Unë kam qenë kryesisht grua, Henri. Dhe kjo më mërzit ndonjëherë. Është e gabuar për një grua të presë një burrë për t’i krijuar botën që dëshiron.
E vetmja dhembje është paaftësia për të rënë në dashuri. E di se cili ishte momenti më i keq i personazheve të mija?
Kur zbulonin se ishin zot të fatit të tyre dhe kur nuk mund ta akuzonin më atë, ishin të dëshpëruar.
Jeta zvogëlohet, Henri, ose zmadhohet në raport me guximin e secilit. Mos kërko pse, në dashuri nuk ka pse, as logjikë as shpjegim apo zgjidhje.
Hidhi ëndrrat e tua në pafundësi si një balonë që nuk e di se çfarë do të sjellë , një jetë të re, një mik të ri, një dashuri të re apo një vend të ri.
Nuk e kam kuptuar kurrë se përse nuk i shohim gjërat ashtu siç janë, por i shohim ashtu siç jemi ne. Pse kështu kur e vetmja gjë që mund të kthejë gjithçka në ar është dashuria.
E vetmja magji kundër vdekjes, plakjes, rutinës është dashuria. Po e shtyj vdekjen duke jetuar, Henri dhe duke vuajtur. Duke bërë gabime, duke rrezikuar dhe duke humbur.
Çdo ditë Henri, çdo ditë kështu.
Nuk ka nevojë për opium apo jo? A nuk është e bukur dhe e trishtë e gjitha ç’të thash Henri? Jemi me fat sa kohë ëndërrojmë.”
***
“Anais,
Jam shumë i hidhëruar dhe ndjej një nevojë absolute për të të parë.
Duhet të të shoh. E kam mendjen gjithë ditën tek ty dhe në të njëjtën kohë i shkruaj Joon dhe bëhem copa.
Pres të më kuptosh. Duhet të më kuptosh Anais, dhe të qëndrosh në krahun tim. Je kudo rreth meje, si një zjarr që feks dhe më djeg nga brenda.
anais nin-heri miller-konica.al
Oh, sikur ta dije, Anais, se si ndihem në këtë moment … dua të njohim njëri-tjetrin më shumë. Unë të dashuroj! Të dashurova kur erdhe dhe u ule në shtratin tim.
Kam mbetur ende në atë pasdite që kaluam të dy, mes atyre çarçafëve dhe dëgjoj përsëri mënyrën se si shqipton emrin tim. Me theksin tënd të çuditshëm, ndërsa je krejtësisht lakuriq.
Anais, je duke më bërë lëmsh. Mua dhe emocionet, aq sa kam frikë të të afrohem. Por ti eja, afrohu dhe çdo gjë do të jetë e bukur.
Të premtoj! Më pëlqen kaq shumë ndjeshmëria jote saqë nuk do të mundja kurrë ta lëndoja. Mbrëmjeve mendoj se me një grua si ty duhet të martohem.
Apo ndoshta mendoj kështu, sepse në fillim dashuria të frymëzon me mendime të tilla? Por nuk kam frikë nga asgjë. As se ti ndonjëherë do të duash të më lëndosh.
Nejse!
Shkrova shumë gjëra të pakuptimta, por nuk bëj dot ndryshe. Ke një ndjenjë kaq të hollë humori dhe unë të adhuroj për këtë.
Gjithmonë, dua të të shoh të qeshësh. Je e bukur kur qesh. Mendoj vende të ndryshme që do duhej t’i vizitonim së bashku.
Vende të vogla dhe të errëta, të shpërndara këtu dhe atje, në Paris. Vetëm për të thënë: …këtu kam ardhur me Anais, këtu kemi ngrënë, këtu kemi kërcyer, këtu pimë së bashku.
Oh, sa dua të të shoh të dehur. Çfarë kënaqësie do të ishte! Frikësohem që e them, Anais, por kam në mendje çdo ditë mënyrën se si bashkohen trupat tanë.
Ti që hap këmbët e tua dhe kur imangjinoj sa lagësht je… Zot, më kap çmenduria. Dje, të mendova. Imagjinova këmbët e tua që më preknin dhe dhoma u shemb.
Dua vetëm të bie mbi ty në errësirë dhe mos të di më asgjë. Nëse fundjava kalon pa të parë, do të jetë e padurueshme.
Nëse është e nevojshme, do të vij të dielën në Versajë. Do të bëj gjithçka për të parë ty. Të dua, kjo është e gjitha.”
***
“Henri,
O i dashuri im i shtrenjtë, grise letrën që të kam dërguar sot.
Midis përkëdheljeve të Hugos, të dëshiroj dëshpërimisht. Dua fuqinë dhe butësinë tënde.
Dua duart e tua, gjithçka. Nuk e kupton se çfarë gjërash kujtoj dhe dëshiroj? Por e gjithë kjo situatë më çmend kur imagjinoj, ndiej ose kur të shkruaj gjithë këto gjëra me fytyrën e Hugos të gozhduar mes meje dhe letrës.
‘Zemër, çfarë shkruan? Çfarë mendon? Më dashuron?’
E gjithë kjo situatë po më mundon dhe paralizon, Henri. Sonte kam ëndërruar të kthehem te ti, ndoshta do të doje të vije në Louvrein?
Do të jemi vetëm në shtëpi. Henri, Henri, nuk më hiqesh nga mendja.
Kam në kokë ditët tona në pyll dhe netët në Klissi. Nuk ka rëndësi asgjë. Dua vetëm që të kesh ndjenjën se unë të dashuroj.
Anais”. /Përgatiti: Ilnisa Agolli/Konica.al/