Letërsia për fëmijë pa çmim në Panairin e Librit, Çupi: S’keni bërë asnjë investim
Ata që çirren që lexuesi ka bojkotuar leximin, janë po të njëjtët që kanë bojkotuar autorin dhe kulmi është ankesa e radhës (e tyrja): se autorët shqiptarë të letërsisë për fëmijë nuk janë të krahasueshëm me autorët e huaj (nënkupto të shumëshitur) apo se këta nuk sigurojnë sasinë a cilësinë (nuk u kuptua në shkrim) për të krijuar konkurrencë. Dhe ajo që nuk hahet as me vaj e as me uthull është shprehja “jemi të gjithë në një mendje”.
Ky shkrim vjen si reagim ndaj shkrimit “Letërsia për fëmijë pa çmim, shkrimtari Pandeli Koçi: Mungon interesi i botuesve dhe i institucioneve” (botuar te shqiptarja.com), i cili fillon me: ËSHTË PËR TË ARDHUR KEQ…
Si autore librash për fëmijë (them autore “libri” dhe jo autore “letërsie” për fëmijë, pasi për ta ushqyer fëmijën me përvoja leximi ai ka nevojë jo vetëm për tekste letrare) që po rrekem me-sa-kam-mund të hedh pikën time në përroin e gati-tharë të librit shqip për fëmijë (që nuk po e bëjnë ata që drejtojnë gishtin nga plaga) sot dua të REAGOJ. Dua të them BOLL!
BOLL u ankuat që nuk ka lexues, duke mos bërë asgjë për të investuar për vezën sot, për të pasur pulën mot (a thua se lexuesi nuk stërvitet që në vegjëli, por bëhet në fabrikat e kinezit me një buton makinerie). Boll e bëtë JU rolin e viktimës!
BOLL ia latë VETËM autorit barrën e një produkti kulture për të cilin duhet një punë skuadre, ku autori është vetëm NJËRA nga hallkat: autori, ilustruesi, redaktori, psikologu, botuesi, shpërndarësi, promovuesi e marketimi, si dhe politikat e posaçme shtetërore të dërgimit të librit te lexuesi i vogël (më në fund po bëhet diçka në lidhje me këtë).
BOLL me paragjykimet se autori shqiptar nuk krahasohet me autorin e huaj për fëmijë (kini parasysh se autori i huaj i ka të gjithë mbështetësit e lartpërmendur në dispozicion), sepse me këtë PADITNI VETEN:
– që jeni mësuar që autori të sigurojë pjesën më të madhe të hallkave të lartpëmendura – duke jua bërë gati përftimet pa lëvizur ju as gishtin – ose të sigurojë paratë për botimin (shkurt: t’ju bjerë fati nga qielli);
– që pretendoni që autori të jetë i shumëshitur (gjë që mund të ndodhë kur Blendi Fevziu të fillojë të shkruajë EDHE për fëmijë), çka do të thotë se synimet tuaja janë katërçipërisht komerciale dhe aspak kulturore, gjë që tregon se nuk ju figuron vizioni për të prodhuar vepra që t’ju prezantojnë në panairet europiane, pasi keni vendosur të mbeteni te ankesa se nuk ka autorë shqiptarë (do t’ju këshilloja të shihni stendat e shtëpive botuese fqinjë: ata diç kanë bërë, kanë arritur t’i gjejnë autorët, ia kanë vlerësuar “nivelin”, kanë marrë në sy rrezikun e botimit pa fitimin “e shumëshitur”, u kanë ofruar mbështetjen dhe ilustruesin (arsye kjo për të cilën ju të përplasni derën në fytyrë e as të të përgjigjeni në e-mail, e me këtë përgjigje-parafabrikat e shpërfillni autorin aq sa të mos denjoni t’ia lexoni tekstin); ndoshta ata kanë kuptuar se kjo botë është aq bujare sa të mbajë edhe elefantë, edhe milingona e se te elefanti nuk shkohet pa zhvillim evolutiv… ose thjesht ata kanë vendosur të mos jenë nga ana e ankesës; (nuk është aq e pamundur sa ç’mendoni… unë jam vetëm një individ dhe ia dola, një shtëpi botuese mund të bëjë shumë më shumë)…
– që tregon se ju nuk keni politika tuajat rreth kësaj çështjeje (por ama keni paragjykime) dhe nuk keni sisteme vlerësimi (nga përgjigja: “libri yt nuk do të jetë i shitshëm sa librat tanë të përkthyer” kuptohet që e ka dhënë dikush që merret me shifrat) dhe se kriteri po s’qe “i suksesshëm” nuk e botojmë është si mania “po s’qe djalë, e abortojmë”;
Një pyetje: a do të shpreheshit njësoj sikur Ministria do të shpallte ndonjë projekt shpërblyes në mbështetje të këtyre autorëve??? Do të VËRDHONIT dhe do t’i nxirrnit nga dheu!
Epo, autori nuk është për t’u SHITUR, por as për t’u SHITUAR (plagosur).
Bëni një përpjekje t’i qasni fillimisht autorët shqiptarë, pastaj t’i gjykoni. Tregohuni bashkëpunues e jo përjashtues/diskriminues thjesht sepse ai nuk ju paguan dot si autorët e tjerë. Mësoni t’i zbuloni e jo vetëm t’i duartrokitni kur ata bëhen të famshëm (fatkeqësisht këtë lloj “artisti” nuk mund ta zbulojnë dot të huajt).
A keni reflektuar ndonjëherë me dhimbsuri se e ka lexuesi i vogël dhe prindi i tij të drejtën ta përzgjedhë ose jo autorin shqiptar (i cili fillimisht duhet ofruar); se e kanë ata të drejtën për të mos u bombarduar nga ofrimi i një letërsie me problematika të thelluara si bullizmi, divorci apo depresioni i fëmijëve apo edhe gjuha joetike për të arritur te “gallata” siç ndodh në DISA libra të shqipëruar e që janë përkthyer si mos më keq (thashë DISA); se u takon atyre të zgjedhin ose jo të lexojnë për një realitet a mendësi jete i cili u duket joreal, larg jetës që bëjnë… E kanë ata të drejtën të zgjedhin një libër “vendi” t’ua dërgojnë nipërve apo kushërinjve të vegjël që jetojnë nëpër botë.
Të vjen keq që disa që lexojnë dhe punojnë me librin nuk arrijnë t’i përthithin atij KULTURËN. Së paku cilësinë e mirë e të qenët mendjehapur, jopërjashtues e paragjykues.
Ajo për të cilën më erdhi më shumë keq është se në shkrim flitej si nga retë e jo duke parë realitetin. Gjatë gjithë këtij çerekshekulli liri botimi, për shkak të specifikave të botimit të librit për fëmijë (lipsen ilustrime, çka do të thotë se jo vetëm ilustruesi por edhe ilustrimi me ngjyra ua rrit koston, ndaj autori nuk arrin ta botojë librin VETË siç ka ndodhur me zhanre të tjera) ky zhanër ka pësuar një djerrim a shkretim dhe, pikërisht këtë vit kur u duk sikur u ngjall disi… (bëni një statistikë në Bibliotekën Kombëtare për të më kundërshtuar me fakte), pikërisht këtë vit çmimi u fashit…
Dikush mund të më pyesë: “E gjitha kjo për një çmim?!” JO! Nuk ka të bëjë thjesht me një çmim. [Dua t’ju bëj me dije se libri im i sapobotuar “Një elefant elegant” NUK figuron në listën e konkursit të çmimeve të panairit, ndaj ju siguroj se ky reagim imi nuk ka lidhje me interesa vetjakë.] Nuk ka të bëjë as me aksh autor apo me aksh vepër, por ka të bëjë me shpresën se e ardhmja do ta rimëkëmbë e do ta plotësojë këtë boshllëk nëse secili bën qoftë edhe një pikë të vogël përpjekjeje. Ka të bëjë me lexuesin e sotëm me vetëbesimin se edhe këtu, si në çdo fushë tjetër, emrat e autorëve mund të jenë EDHE shqip. Ka të bëjë me besimin se një ditë dikush prej këtyre lexuesve do të frymëzohet të ndjekë këtë rrugë e cila së paku duhet shtruar.
Pasioni për librin për fëmijë dhe për vetë ata më përmbush e më nxit të krijoj, por edhe të REAGOJ në raste si këto, pasi siç thotë Ajnshtajni (cituar nga libri për fëmijë “Rikthimet e Shtriganes”):
“BOTA NUK DO TË SHKATËRROHET NGA ATA QË BËJNË TË LIGA, POR NGA ATA QË RRINË E SHOHIN PA BËRË ASGJË.”
Shkrimtarja shqiptare Rudina Çupi me anë të një shkrimi të botuar në Shqiptarja.com ka reaguar ndaj Pandeli Koçit, i cili u shpreh se për letërsinë për fëmijë mungon interesi i botuesve dhe institucionave. Kjo pasi në Panairin e Librit mungoi çmimi për shkrimtarët që shkruajnë letërsi për fëmijë.