Letra e Mehmetit, për Enverin: Ismail Kadare mund të shërohet
Pas kritikës së Enver Hoxhës për Ismail Kadarenë dhe poemën e tij “Pashallarët e kuq”, Mehmet Shehu, në një letër drejtuar Hoxhës shkruan se shkrimtari mund të shërohet. Pjesë të kësaj letre, të 20 tetorit 1975, mund të lexoni më poshtë:
“…ideologjike, te marksizëmleninizmit, të vijës së partisë sonë, të luftës së klasave e ligjeve të saj, veçmas nuk njeh praktikën e luftës së klasave gjigandeske e të pëshëmbullt që ka bërë dhe bën partia. Mund edhe të gaboj kur them se Ismail Kadareja mund të shërohet, por unë e kam akoma vetë bindje, sepse Ismaili i ka kënduar Partisë, Luftës nacionalçlirimtare, popullit jo njëherë, dhe ka bërë vepra të mëdha në këtë drejtim. Poema e tij “Përse mendohen këto male”, është me partishmëri të lartë. ‘Gjenerali i ushtrisë së vdekur’, ‘Kështjella’, ‘Qyteti i gurtë’, janë nga romanet më të mira, si nga përmbajtja dhe nga ana artistike.
‘Dimri i vetmisë së madhe’, megjithë boshllëqet ideologjike, është një vepër e madhe që ngre shumë lart luftën e partisë dhe është e vetmja vepër ku portretizohet si duhet, me baza marksiste, udhëheqësi i Partisë dhe i popullit… Dhe, mesa di unë, Ismaili e ka ripunuar këtë roman për të ndrequr gabimet e bëra. Edhe me mua ka biseduar për këtë e ka bërë autokritikë. Romanin ‘Dasma’ ai e ka dënuar vetë si dështim etj. Për nga origjina, dihet se Ismailin s’e lidh gjë me armikun. Ai ndoshta ka dashur të fus në vjershë luftën kundër grupit të kompllotistëve e kundër burokratizmit. Por, në këtë orvatje, dështoi.
Shpresoj se po të bisedohet shtruar me të, do t’i kuptojë gabimet e rënda. Përsa i përket konfuzionit që kanë dhe disa nga shkrimtarët e tjerë më të mirë në lidhje me luftën e klasave, luftës kundër burokratizmit etj., mjafton të përmëndim dy vepra të gabuara, për mendimin tim, të Dritëro Agollit: a) Romani ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’, ku absolutizohet burokratizmi, ku del se rendi ynë është kalbur me burokratë të pandreqshëm si Zylua etj.; b) Drama ‘Fytyra e dytë’, në fillim ishte një dramë që e nxinte situatën e rendit tonë sepse këtu sundonin burokratët. Pastaj pas disa kritikave kjo dramë ka vjet që jepet. Por, romani mbi burokratin Zylo është në qarkullim. Dhe, megjithatë, më vonë siç duhet, Dritëroi shkrojë poemën e mrekullueshme ‘Nëna Shqipëri’.
Ju e dini vetë më mirë se puna me shkrimtarët është delikate, ata duhen edukuar vazhdimisht. Dhe, vetëm kur kalojnë krejtësisht në anën e kundërt, ndonjëri, si p.sh. Fadil Paçrami, duhen fikur e dënuar. Mendoj se Ismaili nuk ka shkuar gjer në atë shkallë. Këtyre njerëzve ne duhet t’u ndihmojmë duke u vënë në dukje gabimet e të metat, t’i edukojmë e të përpiqemi t’i shpëtojmë gjer në funt. Pastaj po e kaluan barrikadën për m’atanë, më qafë paçin vehten. Kështu mendoj unë. Por mund edhe të gaboj në mendimin tim. Sidoqoftë unë jam dakort si të vendosni ju”. /Përgatiti: Dashnor Kaloçi/