“Letrat e mia kredenciale”, Besnik Mustafaj prezanton librin e tij më të ri

Ditën e djeshme, shkrimtari, poeti e diplomati Besnik Mustafaj promovoi librin e tij më të ri të titulluar “Letrat e mia kredenciale”, në një rrëfim me Arta Markun. Botimet Toena dhe Instituti i Promocionit organizuan stendën e tyre në Panairin e Librit “Tirana 2018”, ku veç të tjerëve, në promovimin e librit të Mustafajt ishte i pranishëm edhe gazetari e moderatori Blendi Fevziu.

Veç shkrimtarit, gazetarja Arta Marku ka intervistuar edhe diplomatin me dyshimet, pasiguritë dhe pengjet; politikanin që tërheq skajin e kundërt të të njëjtit litar tërhequr edhe prej shkrimtarit; deputetin që kur e pa veten në parlament nuk kish lexuar kurrë një ligj; gazetarin që e brodhi Shqipërinë cep më cep; pedagogun që s’e kishte hiç përzemër mësimdhënien; intelektualin për të cilin zgjerimi i horizontit është domosdoshmëri; qytetarin që nuk mund të rrijë shpërfillës ndaj terrenit mbi të cilin vë këmbët; burrin që gratë i mishëron në poezi; bashkëshortin, të cilit i duket e zbrazët Shtëpia pa Donën; babain që ngjan dhe nuk ngjan me babanë e vet; birin, që, sidoqoftë, nuk e vrau kurrë atin; nipin që ruan kujtimin e mrekullueshëm të gjyshit dhe dy grave të tij.

Mustafaj shpjegon se libri “Letrat e mia kredenciale” është i gjithi i tij, por ai nuk është i gjithi në atë libër.

“Libri është komplet koncept i Artës, unë vetëmn e kam ndjekur në rolin që më takonte duke iu përgjigjur pyetjeve. Ky libër është i gjithi i imi por un nuk jam i gjithi këtu. Gjithçka që kam thënë un këtu është realisht e vërtetë, realisht e sinqertë dhe ju siguroj që nuk do të mundet kush të mi hedhi poshtë faktet që mund të kem përmendur. Titulli është komplet i imi, sepse është një lloj ‘shkelje syri’ e një përvoje shumë të bukur sic është mardhënia që kam unë me marrëdhëniet ndërkombëtare. Termi kredenciale lidhet me besueshmërinë”, u shpreh Besnik Mustafaj në fjalën e tij. /Politiko.al/

SHKARKO APP