Leximi dhe shëndeti mendor: Shkrimtarët e njohur flasin për shërimin tekstual
Në momentet më vë vështira, letërsia mund të jetë ilaçi më i mirë. Telegrafi sjell pjesë të debatit të veçantë të organizuar nga BBC Culture, me shkrimtarë të njohur të Anglisë.
Ditët e fundit ishin të tmerrshme për Theresa Mayn. Ajo shpejtë do të jetë ish-kryeministre, por pasi do ta lë Numrin 10, cilët libra mund të lexojë për të zbutur shpirtin e trazuar?
Mund të fillojë me romanin klasik të vitit 1978, të shkrimtarit amerikan Hubert Selby Jr, “Rekuiem për një ëndërr”, të cilën e sugjeron “biblioterapistja” Ella Berthoud. Rrëfimi për katër njerëz që në mënyra të ndryshme e luftojnë varësinë nga droga – më vonë i përshtatur në film, në fillim të mijëvjeçarit – mund të jetë “i zymtë, por mendoj se do të lidhet me të”, thekson Berthoud. “Mesazhi i përgjithshëm i librit është që të përpiqemi t’ju përmbahemi parimeve; ta kapin momentin edhe një herë. Ndaj, shpresoj se do ta lexojë dhe se do të ndjehet e pastruar dhe e ripërtërirë”.
Ky rekomandim erdhi gjatë një diskutimi interesant për vlerën terapeutike të romaneve. Nën moderimin e shkrimtares dhe gazetares së BBC-së, Hephzibah Anderson, paneli i debatit me temën “Shërimi tekstual: A mund të shërojë proza letrare?”kishte Berthoudin, autore dhe agjente letrar, e cila dha këshilla personale për lexim dhe mendimet sesi letërsia përmirëson shëndetin mendor. Në debat me të ishin edhe romancierët Jessie Burton dhe Alex Wheatle.
Pra, si mundet libri të të ribalancojë?
Mbi të gjitha, siç u pajtuan panelistët, librat ofrojnë një formë të arratisjes, që është më intensive sesa çdo formë tjetër arti.
“Me një shfaqje filmike ose televizive ju jepen pamjet, kurse me një roman e shpikni vetveten, ndaj është një ngjarje më e fuqishme sepse ju jeni të përfshirë aty”, theksoi Berthoud.
Wheatle ofroi një shembull të fuqishëm të efektit transportues të prozës letrare, kur kujtoi zbulimin e “Hakëllberi Finit” të Mark Twainit, teksa jetonte në një shtëpi për fëmijë në jug të Londrës. “Libri ishte vendi ku mund të ikja nga trazirat e mia të përditshme. Të paktën mund të fshihesha nën mbulesa, me pishtarin tim të vogël, të kaloja nëpër ato faqe e të imagjinoja se isha lundrues në Misisipi, në një anije me avull ku unë merrja vendimet e mia se kur do të haja e kur do të pushoja”.
Me tregimet e strukturuara, romanet mund të sjellin rend në një mendje të çrregulluar. Burton i tha audiencës së mbledhur se romanet e saj të preferuar për t’u lexuar gjatë kohëve të turbullta, ishin ato të serisë së CJ Sansomit, për misteret historike të Anglisë së kohës së dinastisë Tudor. Kur pak vite më parë, suksesi i debutimit të Burtonit – vepra “Miniaturisti” – shkaktoi një episod të ankthit, ishte Sansomi ku u kthye për ngushëllim: “Duke u përfshirë në komplot të zymtë që ju mund të përpiqeni ta zgjidhni, ky është aktivitet i zhvendosjes nga zhurmat e mendjes suaj”, shpjegoi ajo.
Paneli ishte gjithashtu i bashkuar në mendimin se letërsia nuk duhet të jenë doemos e lumtur – në fakt ajo mund të jetë pozitivisht e zymtë. Wheatle kujtoi se kur rritej, babai do t’i tregonte për fëmijërinë e tij në Xhamajkë, kur një “tregimtar shkonte nga fshati në fshat, veçanërisht në kohët e korrjes, dhe se ata do të interpretonin tregimet e skllavërisë. Kjo pjesë është shumë e zymtë, por gjithashtu afirmon luftën që njerëzit kanë kaluar”.
Rileximi i romaneve të preferuara mund të ofrojë një lloj biblioterapie të veçantë. Berthoud tha se ajo kishte marrëdhënie të vazhdueshme me “Tesin e D’Erbervilëve” të Thomas Hardyt. “Herën e parë që e lexova, kur isha 15 vjeçe, me të vërtetë identifikohesha me Tesin, dhe herën e dytë, 10 vjet më vonë, pashë se isha pasive siç ishte ajo. Dhe, pastaj e lexova edhe 10 vjet më vonë dhe fillova të kuptoja përsëri disa nga vendimet e mia. Ka diçka te rikthimi në një libër, përmes jetës tuaj, gjë që është tepër e dobishme – ju e njihni veten më mirë, sepse i vizitoni shtresat që keni pasur gjatë viteve, si një qepë”.
Duke menduar për lexuesit më të rinj, letërsia mund të luajë rol të rëndësishëm në trajtimin e krizës së shëndetit mendor, që është gjithnjë e më shumë pjesë e temave në botë. Tani ekzistojnë gjithnjë e më shumë romane për të rinj, që mund të ndihmojnë adoleshentët t’ju drejtohen çështjeve me të cilat ata mund të merren në jetën e tyre të përditshme, që nga ngacmimi e deri te droga, çështjet transgjinore dhe çështjet e përjashtimit social. Berthoud përmendi romancierët Juno Dawson, Melvin Burgessdhe Malorie Blackman që mund të jenë më të dobishëm që të shtyjnë fëmijët për të folur për “çështjet që mund të ndodhin në jetën e tyre, por që nuk kanë qenë në gjendje t’i artikulojnë. Unë me të vërtetë mendoj se një libër mund të jetë sëpata që thyen detin e ngrirë brenda nesh, siç ka thënë Kafka, dhe kjo është e vërtetë për çdo moshë”.
Por, derisa leximi sjell përfitime të padyshimta psikologjike, ç’të themi për shkrimin?
Wheatle dhe Burton pranuan se jeta e një shkrimtari mund të jetë një qese e përzier – e të mirës dhe të keqes. Nga njëra anë, siç sugjeroi Wheatle për shkrimet e tij mbi përvojat gjatë kujdesit, kjo mund të jetë një mënyrë e shkëlqyer për të përpunuar dhe për të zbrazur traumat emocionale. Nga ana tjetër, siç tha Burton, “akti i shkrimit është jashtëzakonisht i izoluar dhe ju jeni vetëm për javë, muaj e vite. Isha një aktore, e kjo ishte eksperiencë bashkëpunuese, përvojë që më mungon shumë… paradoksi është që libri juaj lexohet nga mijëra njerëz, por nuk jeni atje për ta dëshmuar këtë; nuk bëni koncert për këtë, kështu që është ndjesi shumë e çuditshme”.
Në fund, duke parë ndikimin që një libër mund të ketë në mirëqenien e lexuesve, kjo është gjëja më e mirë për mirëqenien e një shkrimtari. Wheatle kujtoi një reagim të pazakontë dhe të mirë që ai merr kohët e fundit. “Ajo tha: ‘Alex, e dua librin, më bëri të merrem me poçeri. Mendova se ‘nuk ka asgjë për poçerinë’ në libër. Por, ajo gjithmonë donte të merrej me poçeri dhe meqë heroina kalon në shumë pengesa në jetën e saj dhe ajo përpiqet t’ia dalë si të mundet, kjo e ka frymëzuar atë. Rralë merr këtë lloj reagimi, por kur e merreni bindesh se kjo është arsyeja se pse merremi me këtë punë. /Telegrafi/