Lezhë, tabela informuese në Kishën e Shën Nikollit

Instituti i Monumenteve të Kulturës ka hartuar projektin për vendosjen e “Tabelave informuese në Kishën e Shën Nikollit, vendvarrimi i Skënderbeut”, Lezhë.

Projekti i miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimeve do të bëjë të mundur vendosjen e tabelave të reja informuese, të cilat do të ndihmojnë vizitorët të njohin më shumë detaje rreth historisë së këtij monumenti të vyer.

Tashmë ka përfunduar edhe restaurimi i plotë i Memorialit të Skënderbeut, Kishës së Shën Nikollit (Vendvarrimi i Skënderbeut) dhe Muret e Qytetit Antik Lis, Zona Breglumore e Parkut Arkeologjik.

Në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë ndërhyrja e parashikuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës dhe Ministria e Kulturës qëndron në punimet restauruese në këtë monument, si dhe në muret e qytetit antik, në rikonstruksionin e mbulesës, konsolidimin dhe restaurimin e pikturës murale dhe mozaikut.

Vendvarrimi i Skënderbeut përbën njërin prej monumenteve më të rëndësishëm në historinë e Shqipërisë. Përveç mureve të kishës, në këtë objekt gjendet edhe absida, ku ndodhet i vendosur busti i Skënderbeut, afresku i Shën Nikollit, dritaret dhe tri harqet mbi derën e kishës.

Në mure janë të varura 25 mburoja prej bronzi, të cilat tregojnë 25 betejat kryesore të Skënderbeut. Mbi pllakën e mermerit janë vendosur kopje të shpatës dhe përkrenares prej bronzi të Skënderbeut.

SHKARKO APP