Libohovë, restaurohet shtëpia muze e patriotit Avni Rustemi

Godina e shtëpisë muze të atdhetarit Avni Rustemi, në qytetin e Libohovës, po i nënshtrohet rikonstruksionit. Restaurimi i saj mundësohet nëpërmjet një financimi prej 4 milion lekësh akorduar nga Bashkimi Europian në kudër të programit IPA ndërkohë që implementimi i projektit realizohet nga Prefektura e Gjirokastrës. Pas viteve 90 godina e gurtë e cila kishte shërbyer si muze u abandonua dhe u rrënëua.

“ Restaurimi i shtëpisë muze të atdhetarit Avni Rustemi synon jo vetëm rikthimin e vlerave historike të këtij objekti por edhe shndrimin e saj në një qendër të nxitjes së turizmit në zonën e Libohovës”, shprehet prefekti Astrit Aliaj. Vazhdimësia e këtij projekti ka gjetur edhe mbështetjen e Këshillit të Qarkut të Gjirokastrës si dhe bashkisë së Libohovës. “Restaurimi i shtëpisë së lindjes së Avni Rustetmi ka qenë një projekt për të cilin bashkia e Libohovës ka kërkuar vazhdimisht financues pasi me të ardhurat e saj nuk mundësonte rikonstruksionin e godinës. Në vazhdim ne do të financojmë punimet per eksponatet dhe stendat ku do të vendosen dokumentat  dhe reliket historike të shtëpisë muze”, shprehet kryetarja e bashkisë Libohovë, Luiza Mandi.

Ndërkohë edhe Këshilli i Qarkut ka shprehur interes për vazhdimësinë e këtij projekti. “Në si institucion do të mundësojmë aredimin e brendshëm të mjediseve të shtëpisë muze në mënyrë që ajo të çelë sa më shpejt dyert për vizitorët”, shprehet kryetarja e Këshillit të Qarkut, Lindita Rova. Gjatë viteve të fundit zona e Libohovës po mirëpret gjithmonë e më shumë vizitorë ndërkohë që zbatimi I projekteve të tilla shërben jo vetëm për evidentimin e vlerave historike por edhe për nxitjen e turizmit.

B. Kore

SHKARKO APP