Librat më të mirë sipas Institutit “Pashko”
Shpeshherë shkrimtarët thonë se ndihen të vetmuar dhe të izoluar nga njëri-tjetri. Megjithatë, për të sjellë vëmendjen te letërsia, te debati dhe te kultura, është gjithmonë kritika, por edhe renditjet e çmimet. Një e tillë është edhe renditja e 10 librave më të mirë të vitit, e bërë publike nga Instituti Europian “Pashko”.
“Në fakt anketa ka qenë e hapur. Kanë marrë pjesë gati 100 personalitete nga fusha e kulturës dhe e medias. Duke qenë se ne kemi në fokus librin dhe merremi e shohim zhvillimet e letërsisë, pamë që nëpërmjet kësaj ankete kishte një rritje të vëmendjes ndaj autorëve dhe leximeve të fundit, pasi në fokus të anketës ishin botimet e vitit 2018. Besoj që këto janë 10 botime nga njerëz që merren me librin, që e certifikojnë librin dhe që sigurisht e ndjekin atë në vazhdimësi”, tha Alda Bardhyli.
Në vend të parë, nga lexuesit renditet Ismail Kadare, me librin “Kur sunduesit grinden”, për të vijuar me “Vrasje në Kryeministri” nga Diana Çuli, e “Gurët e vetmisë” të Tom Kukës në vendin e tretë.
Më pas, lexuesit kanë zgjedhur “Pusin” e Kim Mehmetit. Në vendin e pestë është “Hekuri dhe çeliku” i Mitrush Kutelit. Renditja vijon me “Vila me tre porta” të Vera Bekteshit; “I keqi i vetes” i Gazmend Kapllanit; “Tutori” i Mimoza Ahmetit; “Roja i dritës” i shkrimtares Flutura Açka; e në vend të 10 është “Piramida e shpirtrave” të Virgjil Muzit.
Pjesa më e madhe e këtyre librave janë botuar gjatë “Panairit të Librit”, çka tregon që lexuesit janë shumë të shpejtë. Ndërsa organizatorët kërkojnë që këtë anketë ta kthejnë në një traditë të përvitshme.