Libri i veçantë i një italiani për Titujt e Nderit në Shqipëri (1912-2017)
Një libër i rrallë është botuar këto ditë në Itali dhe që ka në qendër Shqipërinë. Dr. Carmelo Cataldi, ka grumbulluar të gjitha medaljet dhe titujt e nderit të shtetit shqiptar, duke i përbledhur në një botim të veçantë. “Sistemi Honorifik në Shqipëri (Titujt e nderit)” është botimi që jep në mënyrë të detajuar të gjithë titujt dhe dekoratat e Shqipërisë.
Në libër gjenden të dhëna që nga viti 1912 kur është themeluar Shqipëria e deri në ditët e sotme.
Botimi është një studim i mirëfillte për sistemin e vlerësimit të titujve dhe dekoratave në Shqipëri. Ajo që e bën dhe më të veçantë është fakti që një italian prezanton këtë pasuri të Shqipërisë duke e krahasuar edhe me vendet e tjera.
Kush është Dr.Carmelo Cataldi? Ai është me profesion bazë Jurist. Është autor i disa botimeve madhore ne këtë fushë. Ai është aktual me shumë shkrime dhe botime që lidhen me gjyqësorin, avokatinë, gjykatat administrative, problemet mjedisore etj. Ai ka shkëlqyer në vitet e fundit dhe me disa botime të tjera që lidhen me historinë, gjuhësinë, etnografinë dhe jo vetëm në Itali. Ai tashmë njihet në rrethet akademike italiane për aftësitë e tij shkencore dhe juridike, për interpretimin e ngjarjeve dhe fakteve historike të lidhura këto me një të drejtë juridike përkatëse.