Libri “Lëndina e arushëve” promovim me teatër e fëmijë

Fëmijë e prindër, artistë e psikologë, aktivistë mjedisorë në promovimin e librit të ri të Rovena Rrozhani

“Lëndina e arushëve”, libri më i ri për fëmijë është promovuar këto ditë në Teatrin Kombëtar Eksperimental në Tiranë. Aktiviteti ishte konceptuar si një festë për fëmijët dhe prindërit e tyre. Një etyd nga “Lëndina e arushëve” realizuar nga fëmijët e qendrës kulturore “Edukojmë me art” nën drejtimin e regjisores Alma Hoti, ngriti siparin e promovimit.

“Jam e kënaqur që shtëpia botuese ka një autore të re të librit shqip. Prej shumë kohësh letërsisë për fëmijë i mungojnë krijuesit dhe më së shumti botohet letërsi e përkthyer. “Lëndina e arushëve” është një dhuratë e  veçantë për fëmijët. E shoqëruar me ilustrime të bukura nga Borena dhe cilësi botimi Rovena pasuron bibliotekën e librit shqip për fëmijë”- tha botuesja e “Mediaprint”, Anila Bisha, e cila shtoi se “Shtëpia botuese e ka propozuar si titull për konkurimin e librit për fëmijë në panairin e 21- të librit. Shpresoj shumë dhe besoj se do të vlerësohet nga kritika dhe lexuesi”.

Autorja e librit, Rovena Rrozhani u shpreh se ky libër frymëzohet nga realiteti dhe i fton fëmijë e të rritur që të përshkojnë “të njëjtin rrugëtim” që ajo bëri gjatë shkrimit të “Lëndinës së arushëve” duke rigjetur lidhjen e njerëzve me natyrën dhe elementet e saj.

Në promovimin e librit u lexua mesazhi i shkrimtares shumë të njohur për fëmijë, Adelina Mamaqi, e cila është njëherësh edhe redaktorja e “Lëndina e arushëve”. “Ky libër që fillon me një peizazh të bukur poetik, vazhdon kështu edhe me lodra, edhe me dhimbje, edhe me përpjekje, edhe me lumturi, të cilat janë pjesë e jetës dhe të cilat i përjeton gjer në fund të librit me emocion e me mbresa të thella”- shkruan Mamaqi në letrën e saj.

Letërsia është një formë mjaft e mirë edukimi dhe formimi për fëmijët theksoi Dr. Blerta Bodinaku, psikoterapiste. “Vlerat nuk janë koncepte abstrakte që i shërbejnë një morali abstrakt shoqëror. Vlerat mbi të gjitha janë instrumente që i shërbejnë mirëqënies tonë individuale, pastaj ndërtimit të mirëqënies shoqërore. Të mësosh të pranosh diversitetin e të tjerëve, do të thotë të mësosh të pranosh të ndryshmen tek vetja; të mësosh të duash tjetrin, do të thotë të mësosh të duash veten. Leximi është një akt zhvillimi intelektual, por leximi i letërsisë së mirë, të fokusuar tek vlerat e shëndetshme njerëzore, është një akt dashurie për veten”- tha Bodinaku e cila ka ideuar dhe udhëhequr dy botime didaktike për fëmijët e kopshteve “Tutu mëson të dëgjojë” dhe “Kush e shëroi Elefantushin”.

Regjisorja Alma Hoti, me të cilën shkrimtarja ka realizuar shfaqjen muzikore për fëmijë, “Rozi dhe kopshti magjik” u kërkoi prindërve që të mbajnë fëmijët më pranë librave dhe më larg teknologjisë e celularëve. Ajo u shpreh se ky libër është  një relike e vyer në duart e fëmijëve, pasi kryen funksion sa artistik aq dhe edukues, sensibilizues, argëtues. “Libri të përpin mes rreshtash duke të mbarsur me imagjinatë e fantazi qofsh fëmijë apo i rritur dhe kjo e bën librin të dashur e të suksesshmë, pasi arrin të depertojë pa kufinj te çdo grupmoshë. Ne kemi nevojë më shumë se kurrë në kohën që jetojmë t’i ofrojmë fëmijëve libra e specifikisht përmes tyre të prekim tema delikate siç është kjo e dashurisë dhe kujdesit për kafshët,  që ata të mund të marrin mësimet e duhura e të ndryshojnë për mirë në këtë drejtim”. Gjithashtu regjisorja bëri me dije se shumë shpejt “Lëndina e arushëve” do të bëhet një shfaqje e mirëfilltë teatrale për fëmijë e cila do të shëtisë kudo ku ka fëmijë për t’i edukuar dhe argëtuar duke e jetësuar librin në skenë.

Në promovimin e librit, përfaqësuesi i Fondacionit “Katër Putrat” , Sajmir Shehu vlerësoi botimin “Lëndina e arushëve”dhe vlerat e arrira artistike qe ai përcjell duke theksuar rëndësinë që ka kjo vepër letrare në rrafshin e edukimit të brezave të rinj me dashurinë ndaj kafshëve dhe mjedisit. Fondacioni e vlerëson se tepërmi këtë bashkëpunim dhe thekson nevojën e rritjes së sensibilizimit të opinionit publik në trajtimin e problematikës mjedisore.

“Lëndina e arushëve” është një rrëfim i mbushur me ngjyra dhe fantazi që sjell në vëmendje historinë e trishtuar të arushit Tomi, i cili nga pylli u jetonte me familjen e tij, përfundon në një kafaz restoranti. Miqësia e tij me Egretën, por edhe dashuria e një djali të vogël për të, janë mbështetja dhe ndihma që arushi të rikthehet në botën e tij. Por sigurisht që kjo ndodh pas një sërë aventurash. Ky botim mund të konsiderohet nga të parët botime shqiptare për fëmijë me tematike mjedisore. Këtë e përforcon dhe një informacion i dobishëm për prindërit nga specialistët e “Katër Putrave”,  i shtuar në botim, pas mbylljes së përrallës.  Libri është ilustruar me mjeshtëri nga piktorja e talentuar Borena Frashëri Kunze, e diplomuar në Akademinë e Arteve në Dyseldorf të Gjermanisë.

Fëmijët e pranishëm në promovimin e librit lexuan pjesë nga “Lëndina e arushëve” dhe në fund morën librin me autograf nga autorja. Tullumbace dhe aksesorë me “putra” në miniaturë të dhuruara për fëmijët nga Pylli i Arinjve në Prishtinë,  shtuan edhe më shumë atmosferën festive të promovimit.

Mesazhi i plotë i shkrimtares Adelina Mamaqi

Së pari shpreh keqardhjen time dhe kërkoj ndjesë që, për kushte objektive, nuk mund të marr pjesë në promovimin e librit “Lëndina e arushëve” të shkrimtares së re dhe të talentuar Rovena Rrozhani, libër për të cilin kam nderin dhe kënaqësinë të jem redaktore e tij.

Rovenën e kam njohur në vitet 2000, kur isha kryeredaktore e revistës “Mrekullia”. Ajo ishte fare e re, por përrallat e tregimet që paraqiste i botoja me kënaqësinë se një yll i vogël po hynte në orbitën e letërsisë sonë për fëmijët e cila ka shumë nevojë për dritëza të reja. Dhe Rovena me krijimtarinë e gjertanishme e me botimin e “Lëndinës së arushëve”, e ka zënë vendin e saj në këtë orbitë me premtimin e një të ardhmeje gjithmonë e më të suksesshme. Ky libër është një arritje e autores dhe i letërsisë sonë për fëmijët jo vetëm për temën e veçantë dhe tepër humane, por edhe për ngrohtësinë, dashurinë, lirizmin me të cilët është shkruar, si edhe për vlerat edukative që përcjell.

Te “Lëndina e arushëve” lexuesi i vogël dhe i madh (sepse letërsia e bukur për fëmijët është ajo që ta lexojnë me ëndje edhe të rriturit, si prindërit, etj.) nuk sheh kafshë, por qenie me shpirt, me ndjenja, me jetë që, ashtu si çdo jetë, meriton të duhet dhe të mbrohet.

Ky libër që fillon me një peizazh të bukur poetik, vazhdon kështu edhe me lodra, edhe me dhimbje, edhe me përpjekje, edhe me lumturi, të cilat janë pjesë e jetës dhe të cilat i përjeton gjer në fund të librit me emocion e me mbresa të thella.

Ndoshta e zgjata shumë, por ndoshta edhe thashë pak nga çfarë duhet thënë për këtë sukses të Rovenës, pse jo, edhe të letërsisë sonë për fëmijët.

Urime Rovena e dashur! Gjurma jote do të mbetet në letërsinë tonë për fëmijë! Je ende në fillimet e tua, por brezat e lexuesve do ta ndjekin me dashuri e vlerësim emrin tend!

Ju faleminderit!

Adelina Mamaqi

SHKARKO APP