Liljana Çefa, mësuesja e dy brezave të piktorëve që vijon t’u japë jetë telajove të bardha
Ka vite që punon me pasion në artin e pikturës, nga “duart” e saj si pedagoge e pikturës kanë dalë breza të tërë piktorësh të njohur shkodranë. Dhe tani, edhe pse në moshën 84-vjeçare, piktorja Liljana Çefa vijon të mos ndahet nga penelatat. Përballë piktorit Helidon Haliti në “Mes dy botëve” në RTSH, Liliana Çefa shprehet se forca e saj ka qenë dhe familja, e veçanërisht bashkëshorti i saj që e mbështeti deri në fund.
“Unë dhe Valentina Balli jemi vajzat e para të Akademisë së Arteve, Vajzat e para që kemi dalë. Ni ndihemi të plotësuara. Unë kam pasur një fat të madh sepse më ka ndihmuar shumë burri, shumë punë shtëpie, shumë me fëmijët, më ka dhënë forcë për pikturë. Në momentin e vdekjes, kemi qenë unë dhe Andi (djali), aty afër më kapi dorën dhe ma puthi vetëm prej pikturave që kam bërë. Më pati dhënë emocion të fortë që nuk e harroj një gjë të tillë”, thotë ajo.
Një emër i bukur i artit – Liliana Çefa (Hila) shprehet se artistët aso kohe kanë pasur një bashkëpunim shumë të mirë me njëri-tjetrin, duke ndihmuar dhe sugjeruar për të pssur vepra më cilësore.
“Kemi qenë shumë të mire, shkonim tek njëri-tjetrit, shikonim njëri-tjetrin, jepnin mendime, ishin shumë të sinqerta raportet. Periudha më e bukur ka qenë e Liceut Artistik. Kemi qenë shumë të lidhur me njëri-tjetrin. Që kur mbarova shkollën e lartë, nuk kam qëndruar asnjë vit pa marrë pjesë në ekspozita. Njëherë kam qenë në Tiranë që kam marrë pjesë, kam marrë dhe dy ccmime. Njëra me një partizane e strehuar në shtëpi duke mësuar fëmijët si të shkruajnë dhe një fëmijë ngjitet me tabaka me fruta. Të varur në atë traun, pushka, xhaketa. Janë në Galerinë e Arteve, por janë nëpër fonde sepse politika ka bërë punën e vet. Por nuk duhet. Nëse ka gabuar, nuk ka qenë i mirë Enver Hoxha, por shumë partizanë kanë qenë të mirë dhe janë nisur për të çliruar vendin. Ajo partizane që kam pikturuar unë, ajo do ketë qenë e mire”, thotë me plot pozitivitet artistja shkodrane.
Liljana Çefa është fituese e disa çmimeve brenda dhe jashtë vendit. Ndër to mund të veçohen çmimi i parë i fituar në vitin 1997 në konkursin e pikturës të revistes “Pediatria” në Romë të Italisë, në 2007, Medalja e Argjendë Internacionale në konkursin e 37-të të Akademisë Europiane të Artit në Belgjikë etj. Për vlerat e saj si piktore, por edhe si pedagoge e pikturës, piktorja Liljana Çefa është nderuar në vitin 2000 me titullin “Krenaria e Qytetit” nga Këshilli Bashkiak i Shkodrës, ndërkohë që më parë ka marrë edhe titullin “Naim Frasheri”.