Lind Delija, artisti i zemrës

Personazhet në pikturat e Lin Delisë kanë të njëjtin vështrim me artistin. Gra të zhveshura që shohin larg, duar të zgjatura drejt horizontit duke pritur diçka apo portrete që flasin vetëm me një vështrim.

Në historinë e artit, emri i Lin Delisë, me një jetë të trazuar jashtë kufijve të Shqipërisë, përmendet pak. Portreti i tij i plotë, ku dallohet mjegulla e cigares, është i mbushur me misterin e viteve që i kaloi në vetmi. Pa vetmi nuk mund të pikturosh.

Delija në e dinte këtë. Ndaj në ishullin që i krijoi vetes realizoi tablotë më të bukura, që sot janë një testament për artin shqiptar. I lindur në Shkodër më 3 janar 1925, Lin Delija e mori edukimin e parë në shkollën e Fretënve Françeskanë dhe më pas në liceun “Illyricum”, ku spikati pasioni i tij për pikturën. Më pas udhëtoi drejt Herceg Novi dhe në Zagreb, për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura. Pas hyrjes së sistemit komunist në vend, i ndihmuar nga Ernest Koliqi arratiset drejt Italisë më 1949, me një bursë studimi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë.

Mësuesit e tij ishin Mario Mafai dhe Amerigo Bartoli – prej të cilëve ai mori njohuritë e teknikave bashkëkohore dhe përsosi më tej botëkuptimin e tij artistik duke ndërthurur në mënyrë harmonike modernen me elementin etnik, shqiptar dhe ballkanik. Por, ikja e tij drejt vendit fqinj do të ishte fatale për familjen. Familja e tij internohet në Kuçovë dhe më tej në Turan të Beratit. Në fillim të viteve 1970, Lin Delija themelon Akademinë e Artit “Gjergj Fishta” dhe në vitin 1983 krijon Akademinë e Artit “Carlo Cesi” në vilën Mentuccia në Antrodoko.

Për ata që patën mundësi ta njihnin, ai ishte artisti në gjithë dimensionin e kësaj fjale. Pas një sëmundje të rëndë ai mbylli sytë po në Romë më 9 prill të vitit 1994. Veprat e tij ekspozohen në Pinakotekën e Artit Modern në Vatikan, në Muzeumin e Artit Bashkëkohor në Romë, në Muzeumin “Lin “elija» në Antrodoko, në Muzeumin Qytetës të Osimos, në Qendrën e Studimeve të Artit Modern në Brescia, në Galerinë e Artit Modern në Palermo, në Muzeumin e Shën Anës në Kuebek të Kanadasë, në Universitetin e Erlangenit në Gjermani, në Nju Jork etj.

Në qytetin e Osimos ekziston një muze i kushtuar mjeshtrit Delija, ndërsa miqtë e tij të vjetër të Antrodokos i kanë ngritur një muzeu në vitin 2002 në qytetin ku jetoi. Në pikturat e tij shihet kërkimi i tij drejt botës njerëzore, për të kuptuar thelbin e ekzistencës.

Për shumë kritikë, Lin Delija është artisti i zemrës, pasi veprat e tij përshkojnë qenien tënde vetëm me një vështrim. /Shqip/

Lin Delija FILM by Gjon Kolndrekaj  ENG subtitle (1979. Rai production)

SHKARKO APP