“Liria”
Nga: Carlos Fuentes
Përktheu: Bajram Karabolli –
Lirinë e konsiderojmë si kapriço absolute, ose si gjë të varur nga trashëgimia, natyra, fataliteti apo nga rastësia; të shqiptosh emrin e saj tashmë është një akt shprese. Vetëm ata, të cilëve u mungon liria, dinë ta vlerësojnë më mirë se kushdo.
Ata që janë të sigurt për të, rrezikojnë ta humbasin. Ndërsa ata që luftojnë për lirinë, duhet të jenë të vetëdijshëm se ç’rreziqe ka një luftë e tillë.
Në diskutimet për lirinë revolucionare, gjatë Revolucionit Francez, Saint-Just thoshte: “Lufta për lirinë kundër tiranisë është epike; lufta e revolucionarëve midis tyre është tragjike”.
Gjatë përleshjeve për lirinë kanë lindur forma ekstreme të shtypjes që, megjithatë, janë legjitimuar, duke i bërë thirrje origjinës së tyre revolucionare. Revolucionet legjitimojnë. Por, me ta arritur lirinë, qoftë revolucion apo pavarësi, çështja është si ta ruash atë, si t’ia zgjatësh jetën asaj, si ta bësh më të begatë atë?
Ndoshta nuk ekziston formulë më pragmatike dhe më e saktë se ajo që jepet nga James Madison te “Federalisti”: “Në qoftë se njerëzit do të ishin engjëj, qeveria nuk do të ishte e nevojshme. Në qoftë se njerëzit do të qeveriseshin nga engjëjt, nuk do të ishin të nevojshme kontrollet, të jashtme apo të brendshme, mbi qeverinë. Por, kur vendoset një qeveri, në të cilën njerëzit administrohen prej njerëzve… së pari, qeveria duhet të kontrollojë njerëzit që qeverisë, por, fill pas kësaj, qeveria duhet detyruar të kontrollojë vetveten”.
Zgjedhje, tërheqje, dyshime, gjyqe administrative, pesha dhe kundërpesha, ndarje pushtetesh, inspektime të ekzekutivit. Sistemet demokratike kanë krijuar shumë mënyra për të shkuar më tej formulës së Madison-it, për të siguruar që të jenë qytetarët dhe institucionet ata që do t’i detyrojnë qeveritë të kontrollojnë vetveten, me qëllim që, midis të tjerave, të mos humbasë kontrollin e popullsisë.
Liria politike i njeh këto shtysa dhe i pranon këta kufij. Por, liria nuk është vetëm çështje publike, ajo është edhe çështje private. Madje, e vlerëson veten si një institucion në vetën e parë, numri njëjës. Të mbrosh vlerën personale, të brendshme, vetjake, është një formë e lirisë që i takon kategorisë së unit. Por, me të dalë jashtë unit, liria kupton se askush nuk është më i lirë në vetvete. Liria fillon në vetën e parë, numri njëjës, por vetëm mund të mbahet me tri vetat e shumësit. Liria ime jam “unë”, plus “ne”, plus “ju”, plus “ata”. Tensionet që krijohen në këtë mënyrë midis unit të lirë, dhe botës së të tjerëve, mund të jenë konfliktive, por përherë janë krijuese, në kuptimin që, duke qenë liria, mbi të gjitha, një mundësi imja, je vërtet i lirë, vetëm kur është gjithashtu edhe mundësi e të tjerëve.
E theksoj fjalën mundësi, sepse pengesat që has liria janë të shumta dhe tepër të forta, si për të na siguruar se, “për të qenë të lirë”, është diçka menjëherë e arritshme. Mund të veprohet lirisht kundër interesave vetjake, nga mazohizmi, por, mbi të gjitha, nga padija apo nga gjykimi i gabuar.
Liri mund të jetë edhe për keq. Nevoja e shtynë, por po ashtu e kufizon dhe e bën të dështojë. Natyra e thërret, por gjithashtu e përjashton. Rastësia është paralajmërimi që e mbështjell. Dhe përmbledhja e këtyre pengesave dhe kundërshtive mund të na shtyjë, jo pa arsye të forta, për ta konsideruar lirinë vetëm si një fakt moral apo vetëm si një detyrë. E ka thënë shumë mirë Manuel Azanja: “Ndoshta liria nuk i bën dot të lumtur njerëzit, por të paktën, i bën ata njerëz”.
Panglosi i Volterit na thotë se jetojmë në më të mirën botë të mundshme. Ndërsa Vinia e Beketit thotë se jetojmë në më të keqen botë të mundshme.
Midis këtyre dy vizioneve, Sokrati na këshillon të jetojmë jetën urbane, të kërkojmë lirinë në shoqëri dhe në dialog, edhe pse shoqëria na e privon në fund të dialogut dhe, gjithashtu si Sokrati, në fund të jetës. Dituri kritike do të thotë të kapërcesh hendekun midis jetës së brendshme krijuese dhe jetës së jashtme mondane, si përmes njohjes personale – njih vetveten – ashtu edhe përmes njohjes së shoqërisë – njih të tjerët – sepse çarja midis lirisë së brendshme dhe asaj së jashtme është reale, është e prekshme, edhe pse nganjëherë duket si humnerë, si zbrazësi.
Albert O. Hirshman, në një libër të çmuar, e shikon me qartësi këtë proces hyrjesh dhe daljesh.
Vazhdimisht hyjmë dhe dalim nga liria. Dilema e madhe është të mos mbetemi te liria individuale, që mund të kthehet në klauzolë solipsiste, që me kohë e kthen botën e jashtme në iluzion të thjeshtë; as në mungesë ekstreme të lirisë, që do të thotë të jetosh nën një diktaturë.
Përkundrazi, liri është ajo që ecën përpara jo pa konflikte, veç me një kuptim krijues, midis personit dhe botës, midis individit dhe shoqërisë, midis unit dhe të tjerëve. Liria, në mënyrë të pandërprerë, mbush çarjen midis veprimit të brendshëm dhe atij të jashtëm, humnerën midis realitetit të brendshëm dhe atij të jashtëm, zbrazësinë midis determinizmit dhe dëshirës.
Detyrë e pambarimtë, jo Sizifi i Kamysë, por njeriu i papërfunduar i Miltonit: A mundet njeriu të mos përfundojë kurrë, por të vazhdojë, të bëhet me liri? Shën Agustini, në diskutimin e tij të famshëm me Pelagion, nuk e pranon një liri që nuk kalon përmes Kishës, domethënë përmes Institucionit. Pelagio, një mijë vjet para Luterit, i jep individit lirinë për të shpëtuar vetveten përtej institucioneve kishtare.
Por, kjo liri është gjithashtu edhe për të vepruar në mënyrë krijuese brenda institucioneve jo për të bërë keq, jo i detyruar, por nga vullneti i lirë. Që kjo të përfshijë, si një lloj ADN-je në mutacionin gjenetik, pjesë trashëgimie, biologjike, edukimi, kulture, gjuhësore, politike dhe morale, nuk bën gjë tjetër veçse i jep lirisë një fytyrë më humane, edhe pse më të ndërlikuar. Nuk ka liri të thjeshtë.
Si matet liria? Nëpërmjet hapësirës së vullnetit të lirë që institucionet i lejojnë secilit? Apo e kundërta, nëpërmjet hapësirës autoritare që vullneti ynë i lirë u jep institucioneve? Gjithsesi, liria ekziston, vetëm nëse beson në të, nëse lufton për të. Liri do të thotë të kërkosh liri. Atë kurrë nuk do ta sigurojmë plotësisht.
Vdekja do të na paralajmërojë se ka kufij për çdo liri personale. Historia na tregon se vdesin dhe transformohen institucionet, të cilat në një moment të dhënë na kanë përcaktuar lirinë. Por midis jetës dhe vdekjes, midis bukurisë dhe tmerrit të kësaj bote, kërkimi i lirisë, në çdo rrethanë, na bën të lirë.