Logoja e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit që kushtoi 18 milion lekë, del e vjedhur
Teatri Kombëtar i Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor shpalli në janar të 2020 konkursin ”Newbrand & Brandbook & Videokoncept i newbrandit-TKOBAP”, në kuadër të asaj që u quajt rinovim rrënjësoj i imazhit dhe identitetit të institucionit.
Në njoftimin zyrtar, ku u tha se fituesi i konkursit do të shpërblehet me 1,845,000 lekë, u specifikua se projekti përfshinte krijimin e logos dhe brandimin (ridimensioni, faqosja, dizenjimi dhe prezantimi i produktit). Ende nuk është bërë e ditur se kush “krijoi” logon e re, por megjithatë interneti nuk e pati të vështirë të zbulonte origjinën.
“SoundWave Background” është publikuar katër vite më parë në Freepik, ndërkohë që TKOBAP njoftoi se ndër të tjera “logoja duhet të jetë origjinale dhe moderne”. U theksua edhe se “punimet dhe materialet duhet të jenë origjinale, të papublikuara” si edhe autori “duhet të pranojë përgjegjësi ligjore përsa i përket autenticitetit të punimeve të dorëzuara”.
Deri në këto momente, TKOBAP nuk ka reaguar në lidhje me logon e kopjuar, ndonëse qartazi kemi të bëjmë me një shkelje. Freepik.com, një nga burimet më të përdorura për dizajnerët grafikë – ofron mundësi që të gjeni falas ilustrime, ikona, logo etj., të cilat mund të përdoren nëpër faqet e internetit, projekte personale dhe komerciale, gjithmonë duke vendosur emrin e krijuesit në rast se burimet merren falas.
Edhe në rast se logoja në Freepik dhe ajo e TKOBAP nuk janë identike dhe marrim të mirëqenë faktin që autori thjesht është frymëzuar, Freepik thekson: Në rast se modelet shiten, burimet e siguruara nga Freepik nuk duhet të jenë elementë kryesorë, por mund të përdoren si sfond ose elementë dytësorë.