“Lufta e Kosovës”, promovim në Muzeun Historik Kombëtar

Eshte promovuar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar libri “Lufta e Kosovës”, me autore Diana Skrapari. Libri është botuar në shqip nga Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike në Tetovë.
Aktivitetin e përshëndeti drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, i cili tha se: “Libri ‘Lufta e Kosovës’, e Autores Diana Skrapari është një studim i detajuar për Luftën e Kosovës. I shkruar në kohën kur Kosova kishte më së shumti nevojë për t’u kuptuar, e drejta e popullit të Kosovës, e posaçërisht kur e kemi parasysh se libri doli për herë të parë në gjuhën frënge në Francë, që ia shtonte dhe më shumë rëndësinë pasi u shkrua për një audiencë e cila e njihte pak problemin e pazgjidhur shqiptar. Autorja me të drejtë thotë se ky ishte shkaku kryesor i lindjes së UÇK-së, si e vetmja zgjidhje për t’i dhënë fund sundimit të regjimit serb në Kosovë. Kjo luftë përfundoi, por hijet e errëta të saj mbetën, pasi Serbia akoma nuk e njeh pavarësinë e Kosovës dhe përkrahësit e saj në arenën ndërkombëtare vazhdojnë t’a mbështesin, ashtu siç e mbështetën duke vënë veton e tyre ndaj ndërhyrjes ushtarake në Kosovë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Megjithatë Kosova vazhdon rrugën e saj drejt ndërtimit të një shteti demokratik dhe ëndrra e shqiptarëve u bë realitet më 17 shkurt 2008, kur Kosova shpalli pavarësinë. Një rrugë e gjatë e pret këtë vend, më të riun në Europë, e cila nuk ka për të qenë e lehtë, por më e rëndësishmja është se ky rrugëtim ka nisur”. “Si i tillë, libri i autores Diana Skrapari është një kontribut i jashtëzakonshëm për çështjen e Kosovës dhe mua nuk më mbetet asgjë, vetëm t’a përgëzoj për punën e bërë në ndërkombëtarizimin e çështjes së drejtë të shtetit të Kosovës”, përfundoi Dr. Dorian Koçi.
Libri “Lufta e Kosovës” përbëhet nga dy pjesë. Në pjesën e parë flitet mbi arsyet për fillimin e luftës së Kosovës dhe shpërthimi i konfliktit të armatosur midis ushtrisë serbe dhe ushtrisë çlirimtare të Kosovës. Po ashtu kemi pasqyrën e statusit kushtetues të Kosovës pas Luftës së Dytë Botërore. Në kapitullin e dytë flitet me shumë kujdes për konfliktin e armatosur në Kosovë: zhvillimi nga një konflikt i armatosur jo ndërkombëtar në një konflikt të armatosur ndërkombëtar. Në Seksioni I – Konflikti i Armatosur Jo Ndërkombëtar (KAJN) ndërmjet Ushtrisë Serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ndërsa në Seksionin II – flitet për: Ndërhyrjen e NATO-s në konfliktin e armatosur para-ekzistues jo-ndërkombëtar në Republikën e Jugosllavisë dhe në ndërkombëtarizimin e këtij konflikti të armatosur. Më tej trajtohet çështja e shkeljes të Ligjit Humanitar gjatë luftës së Kosovës dhe gjykimi i përgjegjësve të prezumuar para Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Hagës.
Në promovim merrnin pjesë dhe ish-ambasadori dhe përfaqësuesi i përhershëm i Republikës së Shqipërisë pranë zyrave të OKB-së dhe të OBT-së në Gjenevë, Prof. Dr. Ksenofon Krisafi, si edhe të interesuar të tjerë mbi këtë libër. /ATSH/

SHKARKO APP