Lypset një ndjesë për Moikomin

Nga Ilir Çumani

Tashmë Moikom Zeqo u shua fizikisht. U larguar përgjithmonë nga bota e të gjallëve. Iku ashtu siç ikën një njeri jo i zakonshëm kur ndal frymën e fundit. Na la pa gojë të gjithëve me ikjen e tij të mundimshme dhe të pazë, prej sëmundjes kapricioze dhe tinëzare. Na la shpejt e përgjithmonë akademiku qelibar, esteti filozof, shkrimtari dhe poeti, historiani dhe poliedriku i begatë, antifashisti i kulluar, njeriu që shkëlqeu e ndriçoi me dijen e tij multikulturale dhe erudite si rrallëkush ndër të ngjashmit e tij. Iku mendimtari dhe dijetari i universit, dinjitari emblematik i inteligjencës sipërore të një kombi, duke na lënë një trashëgimi të pasur letrare, historike, kulturore, arkeologjike, thesare të vyera gojëdhënash që nga antikiteti e deri në ditët e sotme. Iku një nga dishepujt e mendimit iluminist në tërë hapësirën mbarëshqiptare. Iku ai që i shërbeu kombit me vetëdijen dhe ndërgjegjen më të lartë patriotike, me atdhedashurinë e një atdhetari model, pa i marrë kujt si shpërblim asnjë thërrime. Po, asnjë thërrime…!!! Sepse ai, ashtu si rilindësit tanë, jetoi dhe punoi gjithë jetën si patriot dhe idealist dhe iku nga kjo botë si i tillë. Dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Një njeri i kalibrit si Moikom Zeqo, vetëm kështu mund të ikte… Me ikjen e Moikomit nga kjo botë, Shqipëria nuk do të jetë më ajo që ishte në gjalljen e tij. Të gjithë ne do të kemi më pak frymëmarrje moikomiane, do të jemi edhe më të varfër, edhe më të uritur prej mungesës të mendjeve të ndriçuara si ai. E konsideroj veten me fat që në jetën time pata një mik kaq të rëndësishëm, të pashembullt nga përmasat e mirësisë dhe të dhembshurisë njerëzore, simbol i mençurisë dhe diturisë të pamat, mendjendriturin akademik dhe njeriun e kulluar, dijetarin humanist, patriotin dhe idealistin shembullor, profesor Mikom Zeqo. I rritur jetim qysh në fëmijëri, ishte kjo edhe një arsye më shumë që 30 vitet e fundit u lidha ngushtësisht me profesorin e nderuar, në një miqësi të pastër e të sinqertë. Dy vjet më parë, në një të përditshme në shtypin e shkruar, profesori i nderuar do të rrëfente hapur jetën e tij, fëmijërinë e vështirë, duke deklaruar se në moshën 10-vjeçare kishte mbetur jetim. Babai i tij kishte qenë partizan, ishte plagosur dy herë në luftë. Kjo, me sa duket, i mori jetën para kohe. Mirëpo, as humbja e babait në moshë të mitur, as varfëria e skajshme në familje dhe nëna e tij e mbetur e ve dhe as ndonjë mik nuk ndikoi në rrugëtimin e tij, në ambicien për t’u bërë një emër i madh dhe një nga emblemat e kulturës sonë shqiptare. Në njëfarë mënyre, siç shprehej Moikomi, u bë vetë ai që ishte, pa rregulla, si një autodidakt dhe kureshtar i etur për dije e kulturë. Përveç bisedave në fusha të ndryshme ku ai ishte zot i fjalës, mjeshtër i mendimit dhe interpretimit filozofik, në të tjera biseda të shumta më të në këto vite, mësova aq shumë edhe prej zhgënjimeve dhe brengave që pati, të cilat e shoqëruan me një pezëm të thellë në heshtje. Si një intelektual dinjitar dhe stoik, ato brenga dhe zhgënjime i mbajti të kyçura brenda vetes, deri në momentet që dha frymën e fundit. Mosmirënjohja, e më pas, braktisja që padrejtësisht i bëri 15 vjet më parë establishmenti aktual i Partisë Socialiste këtij dishepulli humanist të urtësisë dhe mençurisë danteske dhe sokrateske, ishte zhgënjimi më i madh i jetës së tij. Ngase me kulturën e gjithanshme erudite dhe poliedrike multikulturale që akademiku i shquar zotëronte, eklipsonte dhe nxirrte zbuluar pse jo, një pjesë të konsiderueshme të injorancës së analfabetëve funksionalë të disa drejtuesve brenda kësaj force politike. Moikom Zeqo u anatemua dhe u margjinalizua pa asnjë mëshirë dhe pa asnjë respekt, si nga qeverisja e djathtë e Berishës, ashtu edhe nga dy qeverisjet e Kryeministrit socialist, Edi Rama. Çdo gjë ishte e qëllimshme dhe e mirëmenduar në mënjanimin e profesorit të nderuar, ngase duke e braktisur dhe duke e lënë në harresë, synohej dashakeqësish që të zhbëhej dhe të shuhej fare emri i tij i ndritur si kontribuues i pazëvendësueshëm brenda Partisë Socialiste, si një nga themeluesit kryesorë të kësaj force politike, që e shndërroi atë parti me një histori të errët të së shkuarës, në një parti të reformuar, progresiste dhe moderne….. Falë Dritëroit, Moikomit, Limosit, Vath Koreshit dhe të ngjashmëve shumë të paktë të sojit të tyre, ajo parti shpëtoi nga rënia në humnerën e historisë, shpëtoi nga shpërbërja. Mirëpo, për fat të keq, tashmë kjo forcë politike është kthyer në një parti nepotike e klienteliste miliarderësh në duar të atyre që s’kanë kurrfarë lidhjeje me një parti të së majtës europiane. Ndaj, sot kam një apel për të gjithë enturazhin e PS-së. Ju lutem, të paktën respektoni në këto çaste kodin e vdekjes… Këto ditë, në rrjetet sociale e kudo, kam parë e lexuar shumë statuse ngushëllimi e “pikëllimi” edhe nga ata eksponentë aktualë të Partisë Socialiste, që sa ishte gjallë Moikomi nuk i folën një herë me gojë, nuk e pyetën një herë për shëndetin, të cilët sot, edhe në ditëvdekjen e dishepullit synojnë të kenë përfitime utilitare. Ju lutem, lërini statuset e rreme në rrjetet sociale, hipokrizinë dhe lotët e krokodilit ndaj profesorit të ndritur MOIKOM ZEQO, të cilin e braktisët në ditët e tij më të vështira, duke e lënë edhe disa vite pa punë në kulmin e prodhimtarisë së tij si krijues dhe si politikan. Ai ishte, është dhe do të mbetet përjetë një nga pasuritë e mëdha kombëtare, aset i paçmuar i Shqipërisë sonë me kaq shumë halle, për të cilën punoi gjatë gjithë jetës së tij pa u lodhur kurrë, pa u qarë kurrë, pa u zvarritur kurrë. Ai i dha kombit dhe popullit të tij gjithçka pati, gjithçka diti, si një mendje aq e ndritur e prodhimtare, pa pretenduar asgjë si kompensim. Heshtja juaj do të ishte shenja më e pranueshme e ngushëllimit përmes pendesës, edhe pse e vonuar. Të paktën në emër të Zotit, lypset një FALJE publike në këtë ikje të gjatë pa kthim të Moikomit të të gjithë shqiptarëve. Moikom Zeqo ishte dhe mbetet një pasuri kombëtare, por jo i partive politike, aq më keq, jo e jo i partisë që Ai e kthehu sërish në jetë, pikërisht në çastin kur lëngonte në shtratin e vdekjes, në vitin ‘91. Ndaj sot, në ditën e përcjelljes së dijetarit dhe dishepullit të fundit, Moikom Zeqo, Partia Socialiste i ka si borxh të madh një ndjesë publike, të shoqëruar me një heshtje të plotë pendese.

SHKARKO APP