Majko vizitë në Ukrainë – Arrihet dakordësimi për krijimin e Katedrës Shqipe
Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, zhvilloi sot një vizitë në Ukrainë, në fshatin Karakurt, në të cilin jetojnë më shumë se gjysma e shqiptarëve të Ukrainës.
Pasi i ftoi të vinin për ta parë Shqipërinë nga afër pas 300 vitesh, ministri u premtoi se ‘do të ketë gjithmonë një sy e një vesh për diasporën në Ukrainë.’
Në tryezën e mbajtur me autoritetet rajonale dhe përfaqësues të diasporës, në fokus të diskutimeve ishin implementimi i projekteve të përbashkëta në arsim dhe kulturë.
Ndërkohë, Majko vizitoi shkollën ku mësohet gjuha shqipe si dhe Shtëpinë e kulturës ku performuan një sërë grupesh artistike të diasporës.
Ministri pati gjithashtu një takim rezultativ edhe me Zëvendësministrin e Parë të Arsimit dhe Shkencës, Kovtunets Vladimir Vitalievich. Nga bisedimet u arrit dakordësimi për krijimin e Katedrës Shqipe në Ukrainë dhe ai lidhur me bursat për studentët shqiptarë në nivelet Bachelor, Master dhe Phd.