Mali i Tomorrit mes turizmit dhe shenjtërisë

Mali i Tomorrit është një destinacion për adhuruesit e aventurës, vëzhgimit dhe patjetër edhe për besimtarët që kryejnë pelegrinazh. Mali i Tomorit shtrihet në verilindje të qytetit të Çorovodës, në një largësi rreth 20-25 km dhe gëzon statusin e Parkut Kombëtar.

Të katër stinët janë shumë të bukura në këtë park, por veçanërisht dimri me dëborë. Faqja perëndimore e malit është pjesa më e pyllëzuar. Tipike të tij janë pyjet e ahut, të cilët takohen kryesisht në lartësitë 1000-1200 m mbi nivelin e detit dhe pyjet e rrobullit në lartësitë mbi 1600 m.

Parku karakterizohet nga një larmishmëri e lartë kafshësh të egra, ku në disa pjesë të pyllit takohet shpesh ariu i murrmë, në afërsi të fshatrave takohen ujku, dhelpra, kunadhja dhe baldosa, ndërsa në rrethinat e pyllit dhe afër tokave bujqësore derri i egër, lepuri i egër etj.

Në lartësinë 1200 metra mbi nivelin e detit, gjenden Tyrbja e Abaz Aliut, i cili konsiderohet një vend i shenjtë dhe i adhuruar. Çdo fundgushti nga data 20 deri në datën 25, në këtë vend organizohet një ritual dhe një festë madhështore nga besimtarët e sektit bektashi e cila përbën festën më të rëndësishme të vitit.

SHKARKO APP