Margariti për “La Stampa”: Arti dhe kultura, pasaporta e Shqipërisë

Shqipëria, paçka se është e vogël në sipërfaqe, po tërheq vëmendjen e medieve të huaja, përmes artit dhe kulturës. Gazeta italiane “La Stampa”, ka intervistuar ministren e Kulturës, Elva Margariti mbi zhvillimet kulturore në Shqipëri. Ajo ka thënë se vendi ka ngjarje të mëdha historike.

“Shqipëria është një shtet relativisht i ri, pak më shumë se një shekull, por e ngjeshur me ngjarje të mëdha historike, që kanë lënë gjurmë edhe në arkitekturë. Nga një vend pa identitet arkitekturor, Shqipëria përqafoi idetë dhe projektet e arkitektëve italianë, në vitet ’30 –40. Firmën e arkitektëve si Bosio, Brasini, Berte mbajnë kompleksi i ministrive, Korpusi i Universitetit, Universiteti i Arteve, ndërtesa e Kryeministrisë, Bulevardi, etj. Uniformiteti i stilit sovjetik dhe kinez i viteve të diktaturës, u zëvendësua me kaosin ndërtimor të viteve të tranzicionit”, u shpreh Margariti gjatë intervistës për gazetën italiane “La Stampa”.

Margariti vijoi duke thënë se Tirana është në një fazë tjetër, kur nuk synon më të ndërtojë thjesht për të përmbushur nevojat për strehim por për të thurur traditën dhe modernen, identitetin kombëtar me arritjet bashkëkohore për krijimin e hapësirave publike.

“Arti dhe kultura janë thelbësorë në identitetin e një kombi. Për ne, kultura është një motor zhvillimi dhe po përpiqemi të kthejnë në resurse ekonomike, të gjitha asetet e trashëgimisë sonë kulturore. Investojmë, rrisim vizitorët në site, parqe e monumente kulture dhe i ofrojmë komuniteteve përreth mundësi zhvillimi. Është një proces i gjatë por që po i jep frytet e veta”. Ministrja e Kulturës, theksoi edhe njëherë se kultura është pasaporta më e mirë e një vendi.

SHKARKO APP