Mari Antuaneta, jeta e gruas që joshi Cvajgun
Një nga rrëfimet më të bukura për Mari Antuanetën është bërë nga shkrimtari I njohur Stefan Cvajg. Biografinë e librit të tij për Mari-Antuanetën, i cila u kurorëzua mbretëreshë e Francës në moshën 15-vjeçare, Stefan Cvajgu e bazoi në dokumentet e korrespondencës së Mari-Antuanetës me nënën e saj.
Cvajgu analizon pikërisht kiminë e shpirtit të kësaj gruaje, që nga kënaqësitë e saj intime e deri në vuajtjen e saj publike. Mari-Antuaneta kishte lindur si princeshë e Austrisë. Ajo u martua me mbretin Luigj XVI, si rrjedhojë e makinacioneve politike të familjeve monarke të asaj kohe. Mbreti Luigj XVI kishte një karakter të dobët dhe të pavendosur.
Ai gjithashtu nuk mund të përmbushte detyrimet bashkëshortore, për shkak të paaftësisë së tij fiziologjike. Që të lehtësonte ankthin e saj të brendshëm, Mari-Antuaneta zgjodhi një jetesë ekstravagante dhe të trazuar, duke e kaluar kohën në lojërat e fatit dhe duke bërë shpenzime të bujshme e të pafundme, por më në fund gjithçka i doli kundër.
Sidoqoftë, gjatë viteve të fundit të jetës, Mari-Antuaneta ndryshoi sjelljen e saj të mëparshme ekstravagante dhe të padurueshme, duke u bërë këmbëngulëse e guximtare dhe me një përpjekje të admirueshme për të mbrojtur dinjitetin e saj, e përqafoi vdekjen me qetësi të plotë.