Mark Kaftalli, “Paganini shkodran”, ai që naltësoi një traditë dhe u përjetësua në kryevepër
Nga Albert Vataj
Tradita e muzikës shkodrane asht e pasun me emra dhe kontributor, me vepra dhe lëvrime qi kanë ba t’mujtun me e shndriu këtë qytet në një konservator të artit magjik, artit që sipas Johann Sebastian Bach ekziston për nderu Perëndinë dhe për knaqsinë e zemrës. Njeni prej korifenjve asht padyshim Mark Kaftalli, vepra e të cilit e bujarshme, siç mbetet nji repertor nga ma t’pasunit dhe ma t’larmishimit. Asht njerëzorja e këtij artisti që bani t’mujtun qi Shkodra dhe muzika shqiptare të jen t’përfaqsume nëpërmjet vlerash dhe veprash qi jan monument i identitetit tonë dhe krenarisë.
Kam pas fatin ta përcjell virtuozitetin interpretus t’Mark Kaftallit dhe mujta me përfytyru në lojën e tij të magjishmin gjenovez të violinës, Niccolò Paganini.
Sot qi ai ka ditëlindjen, përulsisht i përcjellim nderimi për konsideratë për “Paganini shkodran”, Mark Kaftallin, atë që ka jetu për të blatu shpirtin e tij krijus, si tue dasht me i lanë gjeneratave nji testament, i cilli asht pasuri dhe krenari. Mirënjohja dhe vlersimi asht në kryeradhën e çdo kujtese dhe përuljeje qi detyrohena figurave t’përmasave të tilla siç ishte Mark Kaftalli.
Ndërmendja ndaj personaliteteve të tilla si Mark Kaftalli, asht nji mirënjohje qi tan’na duhet me ushqy si tue dasht me e ripohu se jena t’shpërblyem prej veprës dhe aktit t’tyne krijus.
Ky akt ma shum’ se vlerësim asht qytetari, asht nji pranim zemërhapun i njasaj qi erdhi, e tue xan vend në repertorin artistik t’nji qyteti, u ba ritmi, pulsi dhe shpirti i nji gjenerate.
E, na duhet me i kujtu këto veprimtar t’devotshëm, këta shpirtna t’pasun, me i ken mirënjohës njatyne dhe me e pas legjitime t’drejten me u krenu për artin, për vlerat, për thesaret qi bujarisht na dhuruen.
Siç e dini, Mark Kaftalli u lind në Shkodër më 14 dhjetor 1933, dhe ju dha amshimit në moshën 81-vjeçare, tue lan një emën dhe një vepër me vlera monumentale, si violinisti dhe kompozitori, si lëvrus dhe përpunus, si mëtues dhe kungues i artit të hyjshëm të muzikës, si… si shumëçka ku ai dini me ken virtuoz si në interpretim.
Ajo qi thuhet rreth rrugëtimit të tij si artist, asht se ai ka kry kursin e violinës pranë Shtëpisë së Kulturës, nën drejtimin e mësuesit, Zef Alimhilli. Ma vonë, dhe konkretisht, në periudhën ndërvitase 1952-1955, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë në Tiranë, ku vazhdoi studimet për violinë nën kujdesin e kompozitorit-violinist, Nikolla Zoraqi.
Mbas krymjes së shërbimit ushtarak, prej t’madhit, Preng Jakova, mori msime për harmoni dhe kompozicion. Asht prezantu spariherë në Shtëpinë e Kulturës të Shkodrës me orkestrën e madhe dhe korin e këtij institucioni, ku Gjon Saraçi ishte në piano dhe Prenk Jakova ishte shefi dhe drejtuesi i muzikës.
Suksesi i Markut asht befasues, mëtojnë ata qi ishin pjesë e veprimtarisë së tij krijuse, për nji talent t’spikatun dhe përkushtim të jashtëzakonshëm. Karriera e tij deri në daljen në pension ka vazhduar pa ndërprerje, për 30 vjet në Teatrin “Migjeni”, si udhëheqës artistik. Dhe, ç’ka kjo emblemë e kulturës shkodrane ka mujt me lan gjurmë në artin shqiptar, pa asnjë mëdyshje, nji rol përcaktus ka pas puna dhe kontributi i Mark Kaftallit.
Tue ju referu fakteve, mëtojmë se Mark Kaftalli, për të parën herë, në vitin 1962 realizoi festivalin e parë të muzikës së lehtë në Shkodër, një aktivitet i cili mundena me than se vuni themelt e nji arti të madh. N’festivalin e parë të kompozitorëve amator, Mark Kaftalli vlerësohet me çmimin e parë me kangën, “Vallë çka dru”, me tekst dhe muzikë të krijum nga vetë ai dhe e kendum nga Ibrahim Tukiçi dhe Avni Mula.
Mbi 30 vjet si violinist, Marku ka drejtuar orkestrën e Kafes së Madhe, nji nderim dhe përgjegjsi, t’cillën ai e përmbushi me përkushtim dhe pasion, tue ken si nji nga përvojat e suksesshme të papërsëritshme të këtij institucioni. Ai ka kompozuar mbi 750 kangë, transkiptoi dhe harmonizoi mbi 400 këngë popullore shkodrane. Gjithashtu Mark Kaftalli asht autor i shtatë operave. Sipas specialistëve të muzikës, ai radhitet ndër emnat qi ka dhanë nji kontribut t’veçant n’përgaditjen e emnave dhe brumosjen e talenteve qi ju bashkunen traditës së muzikës.
Për me u ndal te nderimet dhe mirënjohjet qi me merit i përkasin jetës dhe veprës së Mark Kaftallit. Ai asht dekoru me medaljen “Naim Frashëri ” të klasit të dytë dhe të parë. Në vitin 2005 asht nderu me titullin “Mirënjohja e Qytetit” nga Bashkia e Shkodrës. Gjithashtu më 2012 vlersohet me “Diplomën e Pavarësisë”.
Duhet me permën edhe se emnat dhe suksesi i mjeshtrave t’jares shkodrane, Bik Ndoja dhe Shyqyri Alushi, janë produkt i punës së palodhun dhe profesionale që kompozitori, Mark Kaftalli bani me këto dy personalitete të pazëvendësueshëm të traditës së kangës shkodrane dhe jo vetëm. Pse ta mohojmë, e pohon vepra dhe puna e tij, se ai ishte padyshim nji nga ikonat e muzikës shkodrane, mjeshtri i violinës dhe zbuluesi i talenteve, vetë kanga qytetare, tabani i traditës së këtij lëmi, asht e kultivime dhe e trajtime si denjë për të rrugtu si përfaqësim dhe vlerë, dhe e tana kjo si meritë e punës së palodhur dhe skrupulozitetit të tij, si ajo ç’ka ai deshti dhe mujti me e lanë si thesar.
Ky ishte dhe ka me met, Mark Kaftalli. Kjo asht e lavdishmja e jetës dhe veprës së tij, e asaj që asht repertor i nji tradite të shkëlqyer dhe mbetet kulmim i arritjes përmes lëvrimit dhe përsosjes të artitë të muzikësm përmes një shpirti qi i blatoi gjithë jetën kangës, vjolinës, dirigjimit, kompozimit, mësimit, naltimit të atyne vlerave që e kanë shndriu atë në një ikonë të artit shkodran.