Mark Vuji, djali i Hotit që u bë “yll i pedagogjisë shqiptare” në Lezhë

Mark Vuji me Gjovalin Gjeloshin dhe Gjergj Shytin
Mark Vuji me Gjovalin Gjeloshin dhe Gjergj Shytin

Dr. Gjovalin Gjeloshi –

Pak kilometra, mbi e rrotull qytetit të Shkodrës, ndodhet “Hoti i Ri”, ashtu siç gjendet “Gruda e Re”, “Shtoji i Ri” e tash së fundmi shohim edhe një tabelë, e cila shënon “Gucia e Re”. Të gjitha këto emërvende kanë rrjedhur prej sipër e janë “zatetë” aty, së bashku me banorët e rinjë në vite. “Ama”, si e Hotit, Grudës apo edhe e Gucisë, Shtojit etj, është disa km larg e lart. Këta malësorë nuk e kanë lënë vendin atje, se nuk e kanë dashur dhe as, se kanë qenë në gjakmarrje (malësori zakonisht përdorë diplomacinë fillimisht, pastaj pushkën), siç thuhet rëndom në shumicën e rasteve, për familjet që kanë ndërruar vendbanimin. Jo, të shumtët e kanë lënë vendin për një jetesë më të mirë, por nuk e kanë braktisur kurrë dhe si dashuri të përjetshme, kanë marrë me vete emrin e krahinës, të qytetit apo fshatit të tyre dhe e kanë vënë në vendbanimin e ri. Ky zakon, në mënyrë të pavarur, është i njëjtë me ngulimet e para në “Tokën e Premtuar” apo “Tokën e Re”, kur emigrantët e parë kapërcyen Atlantikun e populluan Amerikën e Veriut. Para se të krijoheshin Shtetet e Bashkuara, natyrisht që u themeluan shtetet e veçanta dhe emrat e disa prej shteteve, qyteteve apo ngulimeve të tjera, mbanin kujtimin e banorëve për vendlindjet e tyre. Emra të tillë të njohur si: “New York”, “New England”, “New Orleans”, “New Mexico”, “New Hampshire” etj, pa përmendur emra mbretërish apo personalitetesh, të gjithëve na kujtojnë Anglinë, Meksikën etj, si shtete apo Yorkun, Hampshirin, Amsterdamin etj, etj, si qytete, por tashmë, “të reja”. Madje, e gjithë Australia quhej fillimisht “Holanda e Re”. Ndoshta e teproj po të them se, jashtë këtyre rasteve, pak kam hasur emërtime të tilla.

Mark Vuji me Gjovalin Gjeloshin dhe Gjergj Shytin

Mark Vuji me Gjovalin Gjeloshin dhe Gjergj Shytin

“Hoti i Ri” – “Mark Vuji-i riu”

“Hoti i Ri”, në të vërtetë është vetë Hoti. Natyrisht që tash aty mund të ketë banorë të ardhur edhe prej viseve të tjera, ashtu siç ka, bie fjala, në New York prej të gjithë rruzullit. Por është privilegji i banorëve të parë që të themelojnë vendbanimin e ri, me emrin që ata kanë në shpirt. Një prej këtyre banorëve qe edhe Kolë Mark Vuji, i cili me familjen e tij të vogël, mësyni drejt “Hotit të Ri” të ardhshëm. Pas të jatit, që luftoi përkrah Dedë Gjo’ Lulit, Kola largohej nga Traboini (në të vërtetë direkt prej burgjeve serbe), pasi kishte goditur në kokë me katruven e ujit, një serb që i shau flamurin dhe vendlindjen.

“Afër Shkodrës”, jeta nuk është si “afër Toplanës” apo “ afër Vuklit”, që megjithë respektin që kam për këto vende, të cilat i kam shetitur, atje e në shumë vende të tjera, kanë munguar mundësitë, jo për jetesë (për të mbajtur shpirtin gjallë), por për diç më tepër (të jemi realistë), që  unë do ta përmblidhja në: shkollimin dhe të ardhmen  e fëmijëve.

Një prej këtyre fëmijëve, qe edhe ai, që unë po e quaj “Mark Vuji-i riu”. Me emrin e gjyshit të vet luftëtar, Mark Vuji, falë guximit të babës Kolë për të lëvizur, pati fatin të shkelte në “Gropën e Shkodrës”, qysh fëmijë i klasës së parë. Shkollat françeskane në atë kohë, nuk ishin të vetmet shkolla, sepse kishte edhe shkollim publik, por ishin ndër të paktat që ofronin shkollim dinjitoz, plus strehim e veshëmbathje, për një kategori fëmijësh të varfër që vinin nga Malësia dhe kishin dëshirën e madhe për t’u shkolluar. Një ndër ta qe edhe Mark Vuji, arsimimi i ciklit të ulët i të cilit, kaloi në këtë sitë shkollash perëndimore, me një ndikim të dukshëm në formimin e mëvonshëm të çdo nxënësi që kishte rastin të ulej në ato banga…(Kush dyshon se, Mark Vuji, nuk e ka kaluar ciklin e ulët në këtë shkollë, të vështrojë vetëm një gjë të thjeshtë: bukurshkrimin e tij, i cili është krejt i ngjashëm me shkrimin e disa nxënësve të tjerë, të cilët arritën edhe të shuguroheshin meshtarë, të tillë si: At’ Kolë Berishaj, At’ Konrad Gjolaj, At’ Zef Pllumit, bukurshkrime të cilat, unë i kam pasur përpara syve si dhe shumë nxënësve të tjerë, të cilët mund të kenë qenë edhe gjyshërit apo baballarët tanë.)

Pas mbylljes së disa shkollave, së paku në nja dy vite të luftës, më pas shkollat françeskane nuk e panë më dritën e diellit (ato që suallën dritë, u akuzuan për errësirë) dhe nxënësit e mbetur përgjysëm në ciklet përkatëse, u detyruan të ndjekin shkollat shtetërore. Në këto raste, i rëndësishëm është shkollimi, por vështirësitë shtoheshin për nxënësit që jetonin në rrethinat e Shkodrës.

Në vitet 1945-1946, një djalë hollak e imcak, (që premtonte të rritej si “shtyllë bajrakut), me tipare të rêmta e flokë kaçurrela, me hapa të shpejtë, por të sigurt e të matur, bënte çdo ditë rrugën për në shkollë, nga Hoti i Ri në Shkoder. Në një çantë prej bezeje që kishte edhe një rryp krahaqafë, përveç librave, mbështillte me një rubë katërthekësh edhe pak bukë me djathë a çkado tjetër, që nana Age Lukja, ja bante gadi çdo ditë. Varfëria ishte shtuar edhe më tepër që kur mungonte i zoti i shpisë. Ag’ja ishte edhe zonjë e zot shpijet dhe djalit, edhe pse në shkollë, qysh në këtë moshë iu desh të bëhej “baba” për vëllain e motrën e vogël. Në ditët me shi, rruga ishte edhe më e gjatë dhe nxënësi nga Hoti i Ri, ulej në fund të bankave, “i lagur e i ndragur”, si thotë populli. As mushama, as m’rrelë dhe as opinga të hajrit, për me ndalë lagështirën mos me hi në trup.

Pak a shumë, kështu më orienton t’i shkruaj këto radhë, bashkënxënësi i Mark Vujit, profesori i gazetarisë Hamit Boriçi, prej të cilit kam pasur miqësinë fillestare edhe unë me prof. Markun. Ndër ne ai ishte i veçantë, kujton Hamiti. Ai rrezatonte në grupin e djemëve edukatë të naltë e kulturë prej një fisniku të vërtetë. Të gjithë ishim të varfër, por varfëria e Markut shfaqej dukshëm në ditët e dimrit, prej rrugës së gjatë që bënte në këmbë. Një ditë, shoku i klasës sonë, Hodo Sokoli, vëllai i muzikologut Ramadan Sokoli (bijë të derës së Hodo Sokolit, luftëtarit të dëgjuar të Hotit), më thotë: Hamit, unë dua me shkua për me njoftë nanen e Markut në Hot të Ri. Dua me e falenderua me zemër për këtë djalë që ka rritë. Të nesërmen muarëm biçikleta me qera dhe shkuam në Hot te shpija e Markut. Në shtrat të biçikletës, Hodoja kishte edhe një qese. Nuk më tregonte se çfarë kishte brenda, por siç duket, një dhuratë për nanen. Në oborr të shpisë na priti nana e Markut, e cila na ftoi brenda. Kur u takuam, Hodoja u përkul dhe i puthi doren.

-Të lumtë kjo dorë, i tha, që ke rritë atë farë djalit! Nana Age na qerasi dhe ndejëme pak.

Atë ditë e mbrapa, sa herë që binte shi, Marku kishte të veshura një palë çizme të shkurtëra dhe një mushama si ato të peshkatarëve. Vetëm atëhere e mësova se cila ishte dhurata e Hodos…

Ka disa njerëz, që kur bëhen të pasur apo “të dëgjuar” dhe dikush u kujton se “dikur kanë qenë të varfër”, çojnë me turinjë ose e mohojnë  një fakt të tillë dhe këtë “kujtuesin”, nuk duenë me e pa ma me sy.  Kujton Maria, e motra: një herë më dha një broshurë ku kishte shkruar edhe Hamit Beqja, se si e kishte njohur Markun në shkollën e mesme. Përmendëte aty veshjen e pastër, por të varfër, këpucët e grisura etj. Mua më erdhi keq, dhe nuk e lashë librin në tavolinë, por e hodha në tokë duke i thanë: more këta pse nuk përmendin se ti ke marrë dy klasë përnjëherë, por vetëm se ke qenë këmbëzbathur? Ti sot je një personalitet në arsim. Marku nuk u nervozua se e hodha librin, veçse më qortoi me dashuri: Marie, pse je personalitet, nuk do të thotë se nuk ke qenë këmbëzbathur. Varfëria nuk duhet ta bëjë njeriun t’i vijë turp. Varfëria të bën punëtor, të bën nxënës apo student shembullor, të mëson t’i bësh gjërat vetë.

Dy kohët e arsimit: nga pirja e duhanit tek tymosja e hashashit

Mark Vuji, pasi punoi si mësues në vitet e para të punës, si në qytetin e Shkodrës ashtu edhe jashtë këtij rrethi, fiks në moshën 27 vjeçare erdhi në Lezhë, jo si mësues, por si drejtues i së vetmes shkollë të mesme (gjimnazit), që u hap në vitin 1957. Ky vit pati disa ngjarje të shënuara në arsim: u themelua Universiteti Shtetëror i Tiranës, u ngrit Instituti i Lartë Pedagogjik i Shkodrës dhe u hap gjimnazi i Lezhës. Lezha dikur ka pasur kërçik edhe për më shumë në fushën e arsimit. Mund të themi pa mburrje se në Troshan, plot 75 vjet më parë nga 1957 (më 1882), ishte hapur Kolegji, përmasat e të cilit nuk ishin më të pakta se sa kolegjet e Stambollit apo Londrës, prej të cilave fillon historia universitare në ato vende. Por kjo është një “faqe” tjetër. Ne akoma vazhdojmë të mos i korigjojmë gabimet e së kaluarës, në të mirë të kulturës sonë. Jeta vazhdon, dhe ne “vegjëlia” duhet të kemi durimin që të pajtohemi me ato gjëra që nuk i kemi në dorë t’i zgjidhim. Natyrisht që, për kohën, hapja e gjimnazit ishte një arritje dhe drejtori i tij do të rezultonte shpejt- një vlerë. Lezha do të renditej në kohë, me gjimnazet më të mira të Tiranës dhe të vendit dhe me një emër që pak a shumë e ndjekë edhe sot. Të paktën, qe një kohë kur gjimnazi ishte “universiteti” i qytetit dhe Mark Vuji, rektori.

Edhe pse “i hershëm”, falë pasionit për punën pedagogjike, Marku punoi në të dy kohët në arsim: para dhe pas vitit 1990. Edhe pse në pensionim, siç kanë një shprehje kosovarët, jo vetëm që nuk iu nda punës kërkimore-shkencore në lëmin e arsimit, por ai qe mësimdhënës e drejtues aktiv, falë aktivizimit në arsimin jopublik që nuk mungoi edhe në Lezhë. (Ai gjithmonë çmonte Gjovalin Matinë për guximin që pati dhe iu duk se iu shkurtuenë të dy krahët kur e shembën me eskavator shkollën private). Mark Vuji diti t’i kapërcejë me mjeshtëri problemet disiplinore të të dy kohëve, që ishin krejt të ndryshme. Si shkecëtar që ishte, ai u familjarizua shumë shpejt me metodat bashkëkohore perëndimore në dhënien e mësimit dhe në shkrimin e literaturës përkatëse.

Nëse shkolla përpara 50-60 vitesh përballej me probleme të tilla disiplinore si: zhurma në klasa, kur nuk ishte mësuesi prezent; vrapimi në koridore, kur mbaronte ora e mësimit apo dilej në pushimin e madh; prishja e rreshtit, kur shkolla rreshtohej në mëngjes në oborr për të filluar mësimin; dikush përtypte çamçakëz në klasë apo kur fliste me mësuesin; flitej pa radhë në një takim apo në orën e mësimit; thyhej kodi i veshjes, kur përcaktohej uniforma apo kishte pantallonat të gjera në fund; djelmnia mbanin flokë të gjata apo nxënësit hidhnin mbeturina përtokë etj, etj, sot, dmth. në këtë shekull, nuk do të ankoheshim fort prej atyre problemeve disiplinore. Atëhere, nëse disa nxënës në shkollën e mesme pinin duhan fshehurazi, sot edhe në 9-vjeçare tymosen cigare hashashi apo konsumohet drogë në gjimnaze, pa u ndrojtur; abuzohet me alkoolin; ka grabitje, sulme të dhunshme apo deri edhe përdhunime. Nuk bëhet fjalë për “kodin e veshjes”, për vajzat kryesisht: me funde e pantallona të shkyem deri tek shalët e me dekolte deri te gjinjtë. Në këtë mori problemesh, edhe puna e mësuesit vjen e vështirësohet dhe shkenca arsimore duhet t’u përgjigjet këtyre sfidave.

Mark Vuji edhe pse paraqitej në pamje të parë i sertë, vetëm pamjen kishte të tillë: ai karakterizohej nga korrektësia maksimale pedagogjike, bashkëpunimi brilant me kolegët dhe ishte drejtues me një efektivitet të lartë. “I sertë”, nuk do të thotë se ai ishte i prerë për të dhënë mësim në “shkollën e Makarenkos”. Profesori nuk e njihte dhe nuk e imagjinonte ndëshkimin fizik të fëmijës në shkollë apo në shtëpi. Është mangësia jonë, thoshte, e prindërve dhe e mësuesëve, nëse vijmë në përfundimin se nuk ka rrugë tjetër, pos ndëshkimit të fëmijës. Në shkollë, ai kurrë s’e ka lejuar këtë fenomen, por ka ndikuar dukshëm përherë edhe te prindërit.

Çfarë ndëshkimi mund të kishte për nxënësit me sjellje të pahijshme? Më vjen në ndihmë At’ Kolë Berishaj me kujtimet e tij për mësuesin e shumë meshtarëve, Don Alfons Trackin e Velipojës: kur dikush prej nesh fliste ndonjë fjalë të pahijshme a thyente rregullin, ai na bante me puth murin dhjetë herë rresht, derisa ta hiqnim nga fjalori atë fjalë apo atë ves.  Ndërsa një ish nxënëse e Vujit, më thotë se, kur shkonim vonë në shkollë, na bante me ecë vrap disa herë në sheshin që kishim përpara shkollës deri te stadiumi. Ose, kur kishte thyerje disiplinore në një klasë, ai e thirrte të gjithë klasën në zyrën e drejtorisë dhe secili prej nesh vraponte për me zanë i pari kolltuqet që ishin aty. Edhe mësuesit që vinin më vonë orarit, i fuste në rresht me nxënësit. Ose një metodë tjetër, që natyrisht nuk u pëlqente të gjithëve ishte edhe kjo: lexoheshin përpara shkollës të gjithë emrat e nxënësve që merrnin 9 e 10, por edhe ata që kishin marrë notë pakaluese.

Këto raste nuk po i sjellim si përvojë që mund të ndiqet edhe sot, por për kohën kjo bënte efektin e duhur. Nga ana tjetër edhe me lexuesin duhet të mirëkuptohem: Mark Vuji nuk kishte pikuar prej qiellit. Ai siç shkëlqente në anën pedagogjike e metodike, natyrisht që kishte edhe “dritëhijet” e veta në ndonjë aspekt. Ai nuk mund të ishte disident, (disidenca nuk ka ekzistuar tek të gjithë ata që na e thonë sot), se ndryshe nuk do të ishte drejtor në një shkollë të rëndësishme për aq vite dhe nuk mund të ishte hero, edhe pse nuk kishte fëmijë për të mbajtur. Ai siç ishte “drejtor me emër të mirë në një shkollë të mirë”, ishte edhe “kryemësues, si ndihmës i partisë në edukimin e brezit të ri me normat e moralit komunist”. Të ishe “ndihmës i partisë” në edukim, nuk ishte nevoja të ishe domosdoshmërisht anëtar i partisë, ashtu siç nuk qe as Marku.

Prindërimi- a ka përsosmëri?

Kur Marku bëri një herë një shkrim në gazetë, për një libër të botuar për Kelmendin, ai kishte shkëputur një paragraf ku përmendej Prek Cali, i cili (sipas autorit të librit) u takua me dy gra në Shkoder. Njëra grua e njihte, tjetra jo. Pasi u d’veten e u përfalen, u ndanë. Ajo që nuk e njihte, pyet shoqen: po kush ishte ky farë burrit?

– Prek Cali, a nuk e njofte, a?

– Jo besa, jo! Por zanin ja kam ndije.

– Po pra, njiky ishte.

– O ky, mos lashtë djalë mbrapa!

– O qyq’eja, po pse po e nêmë?

– Nuk po e nêmi, i thotë kjo, por po e uroj, se sido e pastë djalin mbrapa, nuk ka me kênë kurrë si ky burrë…

Mark Vuji nuk pati fëmijë të vetët (dhe nuk di, a do t’i ngjante djali po ta kishte), por kjo nuk e pengoi atë të bëhej pjestar aktiv i një familjeje të madhe, me fëmijë shumë dhe të vlerësonte familjen si një institucion të rëndësishëm dhe hallkën e parë në zinxhirin e edukimit të fëmijës. Kur pata biseduar një herë me Markun (Gazeta “Dita”, 12 shtator 2001), në prag të fillimit të vitit të ri shkollor, atë nuk e shqetësonte ana teknike e ditës së parë të shkollës, siç shqetësohen zyrtarët e kësaj fushe. “Ajo është shkollë zyrtare dhe në këtë muaj ka një datë zyrtare”- u shpreh ai. Mësimi do të fillojë se s’bën”. Por ai e kishte mendjen te një shkollë tjetër e madhe, që është paralel me atë zyrtaren. Një shkollë  që nuk regjistrohesh në të, por që e ndjekë të gjithë jetën: kjo është shkolla e edukimit familjar.

Mark Vuji jetoi edhe kohën kur familja shqiptare, në të shumtën e rasteve, qe vërtetë një bërthamë e konsoliduar, (varfëria dhe vuajtjet e mbajnë familjen më të bashkuar), por edhe këtë kohë, kur familja është vënë në shënjestër të shpërbërjes. Statistikat që sjellin specialistët botëror e vertetojnë këtë. Sot edhe vendi ynë, nuk ka nga ia mbanë, fatëkeqësisht, pa pasur trendin e botës: divorcet e shumta, familje me një prind, martesa të reja pa të ardhme, dhuna në familje, sëmundje seksualisht të transmetueshme edhe ndër adoleshentët që nuk kanë mbaruar gjimnazin etj, etj dhe për të ardhur te procesi mësimor: rezultatet në testet shkollore me rënie të theksuar.

Tolstoi tek “Ana Karenina”, me shprehjen e tij: “Familjet e lumtura janë të lumtura njësoj, ndërsa familjet e palumtura janë secila sipas mënyrës së vet”, mendoj se ka qenë si udhërrëfyes për psikologun Mark Vuji. Vetëm një familje e lumtur mund të ketë prindër që “vrapojnë” drejt përsosmërisë dhe Vuji në veprën e tij e ka analizuar e shtjelluar mirë këtë. Kur shkruan për “Vetëvlerësimin mësimor”, ai ka në themel sentencën popullore, se “ai njeri që nuk e njeh veten, së paku pesëdhjetë përqind, nuk vlen”, apo edhe postulati i Sokratit: “Njeri, njih vetveten”, që Marku e ka si “dafinë” në veprat e veta. Prindi duhet të gjykojë vetë mbi produktin e punës së tij, sjelljen e tij dhe ndikimin te djali apo vajza. Kur e nxisim vetëvlerësimin te nxënësi, po për prindin e tij, sa duhet të kërkojmë? Gjithmonë kam pasur bindjen se prindi edukon jo me fjalë, por me shembull. Nuk themi kot: prindi është shëmbulltyra e fëmijës. Nëse baba vjen në shtëpi nga puna dhe shtrihet në divan duke lexuar gazetën apo duke shikuar televizor dhe nëna po nga puna, futet në punët e shtëpisë, nuk mund t’i themi djalit “ndihmoje nanën apo motrën”. Nëse prindi tymos gjithë ditën dhe ndoshta e ka filluar duhanin qysh fëmijë, çfarë efekti do të ketë fjala jonë tek ai “mos e pi duhanin”. Nëse prindërit nuk kanë lexuar një libër dhe nuk kanë ndjekur një shkollë gjithë jetën e tyre, edhe pse e kanë pasur këtë mundësi, sa janë të prirur fëmijët tanë që të na dëgjojnë kur u themi: ulni kokën mbi libra?

Përsosmëria i ka “rrënjët” larg, do të thosha unë. Nuk mjafton vetëm të jesh i arsimuar dhe je baraz me “prind i përsosur”. Ju kam thënë më sipër, se Mark Vujin fillimisht e kisha shok prej mikut dhe profesorit tim të gazetarisë, Hamit Boriçit.

Një ditë Marku më pyet: a e ke pa Hamitin, si është? – Mirë,   i them!

-Aha, jam prish me të, më tha. Herën e fundit që isha në shpi të tij, m’i ra shpullë Artanit (djali i Hamitit) në sy têm.

“Shpulla e Artanit”, vertetë u bâ legjendë, sa unë e mësova edhe prej burimeve të tjera dhe mëria e Markut kishte shkuar aq larg, sa ky, jo vetëm që në shpi nuk i shkonte Hamitit, por as nuk i fliste për disa kohë. “Ti e fyeve djalin, ti i ule personalitetin fëmijës në sy të dikuj tjetër dhe kjo është antipedagogjike. Kur e bën këtë, ti  që je pedagog, po prej prindërve të tjerë, çfarë do të presim” – dhe në fund i kishte thënë: ti më ke ra edhe mua me atë shpullë.

Mark Vuji si mësimdhënës në Akademinë Pedagogjike, Tiranë.

Mark Vuji si mësimdhënës në Akademinë Pedagogjike, Tiranë.

Jo si gjithë të tjerët

Për Mark Vujin kanë shkruar e shkruajnë shumë: ish-nxënës të tij, ish-kolegë e deri profesorë e akademikë. Kam lexuar apo dëgjuar prej disa syresh duke artikuluar mendimin e përgjithshëm se: institucionet shqiptare  kishin mundësi të bënin më shumë për profesorin e nderuar, kishin mundësi të lehtësonin kushtet e punës, të vlerësonin e përjetësonin imazhin pozitiv të një shkencëtari që nuk kërkonte kurrë lehtësime e rehati personale… etj, etj.

Duhet të them që në fillim se ishte dhe është në mentalitetin e shoqërisë e shtetit shqiptar, që njerëzit e dijshëm të mos vlerësohen aq sa e meritojnë, në të gjallë të tyre. Kjo nuk përjashtohet as për Mark Vujin. Por unë nuk do të bashkohem  plotësisht me kolegët e mi të sipërcituar. Prof. Markut, sa qe gjallë, mendoj se i është vlerësuar kontributi në një masë të konsiderueshme. Vlerësimi i parë, natyrisht që janë 30 vitet e tij si drejtues i të vetmit gjimnaz në Lezhë. Sigurisht që vendimtare ka qenë puna e tij, por ka pasur edhe raste në atë sistem, që aftësia i është kthyer dikujt në të kundërtën e asaj, që ai ka menduar se po bën mirë. Mark Vuji kishte titullin “Mësues i Popullit”, ndoshta e konvertuar me titujt që jepen sot, më shumë se “Mjeshtër i Madh”. Në fund të viteve 80-të, ai u zgjodh në postin e nënkryetarit të organizatës më të madhe të masave, të Frontit Demokratik të Shqipërisë, kryetar i së cilës, derisa vdiq, ishte vetë E. Hoxha e pastaj në kohën kur u zgjodh Marku, ishte e veja e tij. Bashkë me Ismail Kadarenë, ata qenë dy nënkryetarët që u zgjodhën për t’i dhënë një fytyrë e frymëmarrje tjetër udhëheqjes së kësaj organizate, leva kryesore e partisë, që shihej se po i merrej fryma e po i vinte fundi.

Kam vënë re se, kur shkruhet për Markun, këtë funksion të fundit nuk e kujtojnë aspak. Për t’a mbrojtur nga përfshirja e tij në nivele të larta drejtuese të sistemit komunist?! Nuk është e nevojshme. Të gjithë duhet ta dimë se, në një periudhë tjetër, kur sistemi njëpartiak ishte “në zenit”, ndoshta I. Kadaresë nga Gjirokastra, do t’i vinte radha të zgjidhej aty, por jo një njeriu me emrin Mark nga Hoti apo Lezha, sado personalitet që të ishte. Markut i erdhi radha për atë post, për të rregulluar imazhin e shkyemë të këtyre soj organizatave, ashtu siç i erdhi koha dikuj tjetër të pranohej në atë parti, kur disa vite më parë nuk e lenin me u afrue as te dera, kur bëhej mbledhja e organizatës bazë së partisë, në lagjen a në fshatin e tij.

Mosvëmendja ndoshta shikohet në 20-25 vitet e fundit. Por edhe ky fenomen, nga ndonjë, mendoj se është vështruar nga larg. Ne harrojmë ose dikush nuk e ka ditur asnjëherë, se Mark Vuji nuk ishte si “të gjithë të tjerët”. Ashtu siç ishte, fjala vjen Ahmet Osja, me të cilin Marku ishte binjak në shumë pikëpamje: nuk pranonte kafe prej askujt, nuk pranonte lehtësira financiare apo trajtime të veçanta prej shtetit a shoqërisë dhe punonte pa u lodhur ashtu në heshtje e me përkushtim. Kur Ahmeti, në pension, shëtiste gjithë Shqipërinë duke dhënë ndihmesë e këshilla të vlefshme për bujqësinë dhe si të ardhur financiare kishte atë pensionin e zakonshëm, i pata propozuar kolegut e mikut tim, kryetarit të qarkut të Lezhës Bardh Ricës, që të gjenim mënyrën për t’a ndihmuar. Ky i fundit pranoi menjëherë që ta emëronte këshilltar për ekonominë, por unë nuk kisha llogaritur kundërshtimin e prerë të Ahmetit dhe vetëm atëherë e mësova, se ai nuk kishte pranuar as pensionin e veçantë që ishte propozuar për të. Mendjen e Ahmetit kishte edhe “binjaku” Mark. Kam disa fakte për të vertetuar këtë që them. Të parin e kam nga komshiu i tij, Gjergj Shyti, i cili ka jetuar prej vitesh në të njëjtin pallat e kat me të. Sipas një vendimi të KM (pas vitit 1990), disa personalitete do të kishin një pension të veçantë (shtesë pensionit të zakonshëm që merrnin). Njëri prej dy-tre personave që propozoheshin prej Lezhës, ishte natyrisht edhe Mark Vuji.

I shkuam disa herë në shtëpi – kujton Gjergj Shyti, – unë si koleg e komshi i tij dhe Pal Pepa, si i ngarkuar i komisionit ad-hoc që ishte ngritur për këtë problem. Natyrisht, që Pali shkonte për të disa-tën herë dhe mua më kishte marrë si përforcues. Por a bindej Mark Vuji për të pranuar pension shtesë? Edhe pse filluam të bënim krahëmarrje me Bukurien, të shoqen, për t’a bindur, atij nuk i hiqej një ashkël nga vendosmëria. Kur ndërhynte ndonjëherë Bukuria, edhe asaj iu kthye: Të lutem, mos fol në emrin tim! – dhe na u drejtua ne: “Nuk e dua atë pension. Nuk kam punuar që të shpërblehem. Dua të jetoj me këto që kam”.

“Lutësit”, të dorëzuar u  ngritën e dolën jashtë. Deri te dera i përcolli Bukuria, e cila u tha: Pal, Gjergj, mos hajdeni ma për këtë punë. Është e kotë. Ju e patë vetë.

Nëse për një moment do të pranojmë, se qeveria e madhe apo ajo lokale, nuk pyetën se ku jetonte Mark Vuji, kolegët e tij asnjëherë nuk e harruan. Çdo drejtor arsimi në Lezhë, pas vitit 1990 (pa qenë nevoja të rendis emra), e trajtuan Mark Vujin si “aset” të çmueshëm (se ashtu e meritonte) dhe u interesuan deri në detaje, për jetën e tij private. Në vijmësi, njëri prej drejtorëve të arsimit në rreth, më tregon faktin e dytë: U vendos një herë nga drejtoria arsimore, që një sanitare e njërës prej shkollave të qytetit, të ndihmonte me ditë e orë të reduktuara në shtëpinë e Markut edhe kur Bukuria akoma jetonte. Ishte përgjigja e dytë kategorike kundër lehtësimeve, që jepte Mark Vuji dhe të njëjtin qëndrim vazhdoi të mbante edhe pas ndarjes nga jeta të së shoqes. Në jetën e tij ai pranoi vetëm shërbimin dhe shoqërimin që  i bëri në shtëpi, mbesa e tij, Florinda, në një periudhë kohe.

Dhe rasti i tretë më vjen nga një ish-nxënës i tij: në fillim të viteve 90, Mark Vuji organizoi kurse për t’u mësuar jo vetëm nxënësve, por edhe moshave të rritura, gjuhën italiane. Këto kurse italishteje ai i jepte kryesisht pa pagesë. “Pa pagesë”- nuk mund të vihej në diskutim për banorët e pallatit e lagjes rreth e rrotull; dhe të tjerët jashtë këtij perimetri: ata e dinë se ç’hiqnin,  kur i linin në të radhë, një shpërblim modest në dorë.

Me këtë fakt, unë vertetoj përnjëherësh dy veti të Markut: me mësu fëmijët, e kishte ideal dhe jo qëllim për të siguruar të ardhura financiare dhe e dyta: ai ishte një njohës i mirë i gjuhës italiane (siç dinte edhe frëngjisht e rusisht). Italishtja, plus bukurshkrimit të përmendur më sipër, na bindë edhe më tepër se Marku, ciklin e ulët të shkollës, nuk e kishte kryer, as në Hot të Ri apo Hot të Vjetër, por në shkollat françeskane të qytetit të Shkodrës, ku gjuha italiane përdorej krahas asaj shqipe.

Shumica e intelektualëve të Lezhës, e quajtën atë “Fytyra arsimore, kulturore e letrare e Lezhës”, “Një njeri me kontribute sa pak kush”, “Personi me ndikimin më të madh në arsimin e Lezhës”, “Didakti i shquar”, “I pasionuar, vullnetmadh e i pazhurmshëm”, “Studjues skrupuloz e mjeshtër i pashoq në edukimin e nxënësve”, “Drejtues i aftë e i palodhur”, “Njeriu që bëri pedagogji origjinale”, “I duruar në punën e tij me mësuesit e nxënësit”, “Puna e tij rezultoi një novacion në metodat aktive e krijuese të mësimdhënies”, etj, etj.

Cilësime të tilla e bënë atë, në vitin 2001, “kandidat” për “qytetar nderi” të qytetit të Lezhës dhe njëkohësisht një objekt diskutimi, ku Marku kaloi në një si filtër: një palë kishte mendimin se ish-drejtori i gjimnazit, e kishte tepruar ca, “me edukimin komunist të të rinjëve”, ndërsa pala tjetër “e kishte parë në tribunë përkrah Sali Berishës”. Megjithatë, do të thosha unë, vlerat e njeriut, shfaqen në liri dhe Mark Vuji, “ishte Mark Vuji”. Ishte dhe mbeti “ndera e Lezhës”.

Se, përse ky personalitet, mbeti 15 vjet me titull “Profesor i asocuar”, kur ndërkohë e marrin  titullin “profesor” edhe një soj “kallam-kusurit”? Kjo duhet të rëndojë në ndërgjegjen e komisionit të posaçëm shtetëror, për dhënien e titujve akademik.

Falje, Fishtës

Në një intervistë (gazeta “Dita”, 12 shtator 2001), kur e pata pyetur se “me çfarë po merret sot profesori i asoc. Mark Vuji”, ai më qe përgjigjur: “Kam në dorë një kolanë me pesë vëllime (vëllimi i parë i së cilës është botuar), për metodat e punës së të nxënit. Mësuesi, krahas dijeve që i jep nxënësit, duhet t’a mësojë atë edhe se si t’i marrë këto dije”.

Kolana pesëvëllimëshe e Markut, vetëm për pak, mbeti  e paplotësuar. Volumi i pestë do të jetë diku, më së shumti në skedat apo ato gjysmat e fletëve të shkruara me dorë, të ruajtura në bibliotekën shtëpiake të Mark Vujit, të cilën prej vitesh nuk e hapë kurrkush. Them, do të jetë në skeda e grimca letrash, sepse pas botimit të kolanës së katërt, ai shumë shpejt u nda nga jeta. Kam bindjen se, koha do t’i mjaftonte për të arritur objektivin që i kishte vënë vetes, për kolanën “Kultura e të nxënit”, nëse ndërkohë ai nuk do të punonte intensivisht me një vepër tjetër shumë të rëndësishme për të: me shpirt ai i kishte kërkuar falje kolosit të letrave shqipe, Gjergj Fishtës, për trajtimin që i kishte bërë edhe ai vetë, (në zbatim të mësimeve të partisë), kur përmendej emri i tij në mjedise zyrtare, dhe për disa vite rresht, ai punoi me veprën “Filozofia arsimore e akademikut Gjergj Fishta”. Mbi të gjitha, e ndjente detyrim edhe si ish-nxënës i Liceut “Illyricum”, që shkodranët, si thotë edhe vetë Marku, e quanin “shkolla e pater Gjergjit”. Veprimtaria aktive botuese zyrtare, në shtypin periodik e shkencor, e prof. Mark Vujit, ka filluar në periudhën 1965-1968. Sipas mendimit tim, natyrisht jo shkencor dhe si, pak i jashtëm në sistemin arsimor, në 50 vitet e jetës botuese, ndër veprat më të arrira shkencore e publicistike të tij, është “Folozofia arsimore e Akademikut Gjergj Fishta”. Megjithëse për Fishtën, detyrimet janë të mëdha, Mark Vuji bëri pjesën e vet, për “Fishta-pedagog e arsimtar”, ashtu siç bëri presidenti Moisiu për “Fishta-Nderi i Kombit”, ashtu si bëri botuesi Frano Kulli që botoi kolanën e veprës kryesore, ashtu si bëri Hamit Boriçi që punoi me studimin “Fishta publicist e polemist” si dhe disa autorë të tjerë, që kanë bërë botime me objekt të përgjithshëm për Fishtën; pritet edhe prej studjuesve të tjerë që të shkruajnë për “Fishtën-poet”, “Fishta-teolog e filozof”, “Fishta-gjuhëtar”, “Fishta-etnolog”, “Fishta-sociolog e psikolog”, “Fishta-politikan e diplomat”, “Fishta-dramatik e satirik”, “Fishta-epik e lirik”, “Fishta-arkitekt”, “Fishta-edukator i rinisë” etj.

Amanet…

Vepra e fundit e botuar e Mark Vujit qe “Vizioni mësimor”. Përkushtimin e kësaj vepre gjithmonë e kam konsideruar si “amaneti dhe falenderimet e fundit” që bëri Prof. Mark Vuji për të afërmit dhe pjestarët e familjes së tij. Ndoshta diçka i kishte ndjerë zemra. Pak javë pas botimit, në një ditë të nxehtë të korrikut 2015, ai kishte disa orë që nuk po i përgjigjej telefonatës të së motrës… Zemra e tij kishte pushuar përgjithmonë. Të afërmit e gjetën në tavolinën e punës me një grumbull librash dhe me shënimet e radhës përpara. I kishte “fluturuar” shpirti, ulur përball dy portreteve, që ai i mbante gjithmonë varur në murin e dhomës dhe që i deshti aq fort: të Dedë Gjo’ Lulit- heroit shqiptar të Traboinit të Hotit dhe të babës së tij: Kolë Mark Vujit.

SHKARKO APP